Berisha autokrat blegtoral, Rama i squllët, ndërkombëtarët pa parime (Intervistë)
Iintervistë me Prof. Rexhep Qosja. Me shkurtime nga Telegrafi
Pavarësisht se në dukje kemi një zbutje të klimës politike në vend, tensioni vazhdon dhe në të vërtetë nuk është shënuar asnjë hap përpara në bashkëpunimin midis dy forcave më të mëdha politike, PD dhe PS. Si e konsideroni ju këtë gjendje?
- Jo, mjerisht, nuk ka zbutje në klimën politike, nuk ka bashkëpunim midis dy forcave më të mëdha politike, nuk ka ndryshime në mendimet dhe në sjelljet e prijësve të këtyre dy forcave politike. Dhe, siç duken punët, sot për sot nuk mund të këtë aq ndryshim në mendimet dhe në sjelljet e tyre, as bashkëpunim midis tyre! Këto forca politike përfaqësojnë koncepte kryesisht të ndryshme të salduara me mosdurim të ndërsjellë politik; ato përfaqësojnë konceptin liberal- njëra dhe konceptin autoritar tjetra. Me Sali Berishën në krye të PD-së, Shqipëria do të vazhdojë të vuajë krizë të rëndë të përgjithshme: politike, parlamentare, shoqërore, morale, sepse demokracia rurale e arnuar me kokën e duart e tij është e sunduar në mënyrë autokratike!
- Opozita është kthyer në Parlament dhe është gati të bashkëpunojë me maxhorancën për të votuar ligjet që kërkojnë votën e saj për integrimin e vendit, pavarësisht kontestimeve që ka lidhur me problemet që u evidentuan në zgjedhjet e 8 Majit. Si ju duket kjo sjellje e saj?
- Më duket sjellje pak a shumë kundërshtimore; sjellje pak a shumë dyfytyrëshe; sjellje pak a shumë e qulltë sjellje e një politike të pasigurt, që nuk e ndryshon dhe nuk e çon përpara gjendjen. Është kjo sjellje tipike e jona: e vockël!
- Sidoqoftë, raporti i OSBE / ODIHR- it për zgjedhjet e 8 Majit ishte shumë i rreptë, sidomos sa i përket parregullsive, ndërkohë që i bënte thirrje opozitës për bashkëpunim. A nuk ju duket se ka një qëndrim kontradiktor në këtë mes?
- Me qëndrimet e paparimshme, jo vetëm OSBE/ODIHR-i, po edhe institucione të BE-së, edhe ambasadori i tanishëm amerikan, Arvizu, janë bërë pjesë organike e krizës së përgjithshme politike, parlamentare etj. në Shqipëri. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit ishte i rreptë, por, megjithatë, nuk e prekte thelbin e çështjes, e thelbi i çështjes ishte ky: në ato zgjedhje, më të turpshmet gjatë njëzet viteve pas komunizmit legal në Shqipëri, Partia Demokratike e kandidoi për Kryetar të Tiranës një vrasës të katër qytetarëve të pafajshëm që morën pjesë në demonstratën e 21 janarit 2011. Për mendjen time, për ndërgjegjen time, më shumë se hajnitë, dallaveret, poshtërsitë, numërimet e falsifikuara të votave, shakatë e kryetarit të KQZ-së me mendjen dhe dinjitetin e shqiptarëve, tragjik ishte kandidimi i Lulëzim Bashës, i cili ishte ministër i Rendit publik ditën e vrasjes së katër qytetarëve. Kandidimi i tij ishte cenim i egër i parimeve dhe i vlerave të demokracisë; provokim i hapët i familjarëve të të vrarëve; ky ishte provokim i ndërgjegjes së shqiptarëve, ky ishte cenim i rëndë i zakoneve etike të shqiptarëve. Pavarësisht pse Lulëzim Basha sot e ushtron detyrën e kryetarit të Tiranës, unë them: në qoftë se Shqipëria një ditë bëhet shtet i së drejtës; në qoftë se Shqipëria një ditë bëhet shtet në të cilën do të sundojnë Kushtetuta e ligji; në qoftë se Shqipëria një ditë do të ketë kryeprokuror të lirë e të pavarur; në qoftë se një ditë Shqipëria do të bëhet shtet demokratik; në qoftë se Shqipëria shërohet prej sëmundjes me të cilën e ka sëmurë politika blegtorale e Sali Berishës, Lulëzim Basha do të nxirret në gjyq për vrasjen e atyre katër qytetarëve, të cilët, si çdo qytetar tjetër të Shqipërisë, i ka lindur nëna e me të si bashkëfajtor apo dëshmitar në Gjyq do të nxirret edhe Sali Berisha. Ky është borxhi për të cilin ata pashmangshëm do të japin llogari: sipas ligjeve të shtetit demokratik apo sipas ligjeve të Kanunit të Lekës!
- Ndërkaq, opozita ka hequr dorë nga protestat dhe Edi Rama shkruan editoriale me kushte dhe kërkesa për Berishën. A mund të quhet ky një aksion i ri opozitar për ta larguar Berishën nga pushteti?
-Shaka politike janë këto! Nuk largohet Sali Berisha prej pushtetit me editoriale. Editorialet nuk përbëjnë aksion politik. Ato, editorialet, janë zëvendësim i aksioneve demokratike, që përfaqësojnë protestat, demonstratat, grevat, me retorikë boshe; ato janë lutje si lutjet biblike a kuranore, por pa patosin e tyre etik.
- Profesor, ndërkaq, Edi Rama i ka drejtuar ditët e fundit një ftesë për debat publik Sali Berishës. Pas një mërie dhe konflikti më se dyvjeçar, sa interesant dhe produktiv e shihni këtë ballafaqim midis këtyre dy liderëve të politikës shqiptare?
- Ky debat politik, që ju me të drejtë e quani ballafaqim, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, në asnjë pikëpamje nuk mund të jetë produktiv. Gjuha e tyre politike është plotësisht e harxhuar dhe e papërfillshme për opinionin, sepse ajo nuk ka për bazë bindshmëri morale politike. Debati midis tyre, midis një intelektuali dinakërisht të përmbajtur, siç është Edi Rama dhe një populisti të hallakatur, për të cilin gënjeshtrat janë Bibël e Kuran, siç është Sali Berisha, do të ishte vetëm një ndryshor i zbehtë, qesharak, në të vërtetë tragjikomik i dramave që shfaqen në teatrot amatore. Në vend se të humbja kohën duke e shikuar dhe dëgjuar atë debat, unë do të lexoja, në të vërtetë do të rilexoja, romanin e Balzakut, Shkëlqimi dhe mjerimi i lavireve.
- Profesor, ndërkohë në Shqipëri thuajse ka filluar gara për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Midis emrave që lakohen për këtë post janë Sali Berisha, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli, Ismail Kadare e të tjerë. Ju, si mendoni, cila do të ishte figura më e përshtatshme për kryetar të Shtetit dhe cilës forcë politike do të duhej ti përkiste ai?
- Po ta përdorja si më lirisht togfjalëshin Tuaj emra që lakohen, do të thosha: të gjithë këta emra që përmendet, të propozuar prej miqve a, madje, prej përfolësve të pamëshirshëm të disave prej tyre, vërtet lakohen dhe lakohen sepse asnjëri prej tyre nuk mund të qëndrojë vertikalisht. Drejt! Të gjithë ata kanë një të kaluar shumë të lakuar. Propozimi a vetëm lakimi i këtyre emrave për kryetar të Shqipërisë tregon qartë se Shqipëria kurrsesi nuk është në gjendje të krijojë qëndrim të ri, demokratik, evropian, ndaj të kaluarës së vet totalitare. Të dhënat për këtë pohim janë tragjikisht të shumta. Ti theksoj pak prej tyre.
Sali Berisha. Shqipëria, açik vendeve të tjera ish komuniste në Ballkan, por ngjashëm Rusisë dhe Bjellorusisë, vazhdon të kryeministrohet jo prej një ish-komunisti, por prej një ish-anëtari të nomenklaturës komuniste! Llukashenkoja i ynë është ish-sekretar i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë, në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dhe, ky sekretar partie, që vendoste për fatin e studentëve dhe profesorëve të këtij Universiteti, ishte mik shtëpie i Enver Hoxhës, që bënte çmos të shfrytëzonte lidhjet me të bijtë e tij për të krijuar karrierë sa më të fortë staliniste. Ky njeri, ky ish sekretar partie, pas komunizmit ishte njëherë kryetar i Shqipërisë, që e çoi Shqipërinë në luftë qytetare në vitin 1997 dhe u përmbys pas një revolucioni demokratik. Çdo qytetar i Shqipërisë me mendje jo vetëm demokratike, po normale, do të çuditet kur të dëgjojë se për kryetar të ardhshëm të Shqipërisë mund të propozohet ky njeri, i cili përpos peshës politike tepër komprometuese në një vend normal demokratik, që rëndon në jetëshkrimin e tij, është sot kryeministër që nuk flet me kryetarin e shtetit, që e ka bërë vetë kryetar, që nuk flet me Kryeprokuroren e shtetit, që e ka bërë vetë Kryeprokurore, që nuk flet me Shefin e SHIK-ut, që e ka bërë vetë shef të SHIK-ut, që nuk flet me kryetarin e Opozitës, as kur deputeti gjerman bën çmos që tia japin dorën njëri tjetrit! Si e duron Shqipëria autokracinë blegtorale të Sali Berishës? Si mund të lejojë ajo që të flitet që ky njeri të mbetet edhe më tej në pushtet? Madje të supozohet për së dyti kryetar i shtetit! Absurd! Përmbysje e ndërgj