Berisha bën me shtëpi akademikët dhe profesorët
Jo vetëm deputetët, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese do të mund të marrin tashmë kredi të buta për shtëpi. Këshilli i Ministrave vendosi dje zgjerimin e kësaj të drejte edhe për akademikët, personalitete të shquara në fushën e shkencës, artit, kulturës, të sportit dhe fushave të tjera. Kreditë në fjalë janë deri në 50 milionë lekë të vjetra, për 25 vjet me 4 për qind interes vjetor, ose thuajse një e treta e interesit vjetor e interesave që aplikojnë bankat për qytetarët. Ndërkaq, verifikimi i dokumentacionit do të bëhet nga sekretarët e përgjithshëm të institucioneve por vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Ministrave. Sakaq, përfituesit nga 100 që kanë qenë çdo vit deri më sot, do të bëhen 150 deri në 200. Vendimi Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë përcakton se shqyrtimi dhe verifikimi i plotësimit të kritereve për përfituesit do të bëhet nga sekretarët e përgjithshëm të institucioneve dhe në rast se institucioni nuk e ka në organikë funksionin e sekretarit të përgjithshëm, nga titullari i institucionit. Vendimi përcakton që numri limit i përfituesve që deri më tani ka qenë 100, të jetë nga 150 deri në 200 subjekte përfituese.