“Bashkëpunim në fushën e turizmit, agro-biznesit dhe sigurisë ushqimore”

Ministri i Jashtëm Panariti vizitë në rajonin e Umbrias
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi dje një vizitë në rajonin e Umbrias, Itali. Gjatë vizitës ai u prit në një takim nga Presidentja e Rajonit, Catiuscia Marini. Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë midis Shqipërisë dhe Rajonit të Umbrias.
Ministri Panariti vuri në dukje se mes Shqipërisë dhe Rajonit të Umbrias ekzistojnë raporte shumë të mira bashkëpunimi, të cilat janë shtrirë në rrafshin ekonomik, arsimor e kulturor. Ai theksoi se aktualisht ekzistojnë mundësi të mëdha për zgjerimin e këtij bashkëpunimi sidomos në fushën e turizmit, agro-biznesit dhe sigurisë ushqimore.
Nga ana tjetër, Ministri Panariti theksoi se në Rajonin e Umbrias jeton e punon një komunitet i madh shqiptarësh i mirë integruar në shoqërinë italiane dhe që shërben si një urë e fortë lidhëse mes këtij rajoni dhe Shqipërisë.
Gjithashtu, ai shprehu kënaqësinë për numrin e madh të studentëve shqiptarë që kryejnë studimet akademike në universitetet e Umbrias. Presidentja Marini theksoi se është një mike e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ajo theksoi se ekzistojnë të gjitha kushtet për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha. Në këtë kontekst, ajo iu referua në mënyrë të veçantë aktivitetit të Parkut Teknologjik Agroushqimor me qendër në Perugia, dhe mundësive për bashkëpunim me autoritetet shqiptare në sektorin e certifikimit të cilësisë së produkteve ushqimore.
Ministri Panariti u prit, gjithashtu, edhe nga Kryetari i Bashkisë së Perugia-s, Vladimiro Boccali. Bashkëbiseduesit evidentuan vlerat që paraqet Perugia në kulturën italiane dhe atë europiane. Në këtë kontekst, Boccali prezantoi kandidaturën e Perugias si Kryeqyteti Evropian i Kulturës për 2019.