E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bllokon mediat në përurimin e Petroliferës, shmang bujën për projektin e kundërshtuar prej tij

Kryeministri mashtroi vlonjatët pasi u mori votat në vitin 2005  
Është bërë dje përurimi i kompleksit industrial Petrolifera në zonën e Pyllit të Sodës, në afërsi të qytetit të Vlorës. Në këtë përurim mori edhe kryeministri Sali Berisha, i cili për shkak të oponencës së tij të dikurshme në këtë investim të huaj, duket se kishte urdhëruar që ceremonia të bëhej pa bujë mediatike, por e sheqerosur nga TV-të e tij, si Klan dhe TVSH. Përveç gazetarëve lokalë dhe korespondetëve të mediave qendrore, jashtë ambienteve të këtij kompleksi kanë mbetur edhe shumë qytetarë si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Të gjithë pjesëmarrësit që patën rastin të shohin nga afër përurimin e Petroliferës, kishin qenë të renditur në një listë, hartimin e së cilës, kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij kanë preferuar tia ngecin autoriteteve italiane. I pyetur nga gazetarët për këtë praktikë të veçantë listash në këtë përurim, kryeministri Berisha është shprehur se ftesat i ka bërë i zoti i shtëpisë. Por ai nuk e ka përcaktuar faktin nëse këta zot shtëpie janë shqiptarë apo italianë.
Përjashtimi i gazetarëve
Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme me dhjetëra qytetarë vlonjatë janë mbledhur pranë portave hyrëse të kompleksit industrial Petrolifera të ndërtuar pranë pyllit të sodës, në veri perëndim të qytetit të Vlorës. Ata prisnin të vinte këtu edhe vetë kryeministri i vendit Sali Berisha që do të merrte pjesë edhe në mitingun elektoral të PD në mbrëmje. Padyshim që këtu kishin ardhur edhe pothuajse të gjitha mediat lokale por edhe korrespondentët e gazetave qendrore. Mirëpo askush prej tyre nuk u lejua prej bodigardëve të shumtë të firmës Petrolifera për të hyrë në ambientet e brendshme të saj ku do të bëhej edhe ceremonia e rastit. Të gjithë justifikoheshin se ishte hartuar një listë dhe se gjithkush që kishte një ftesë sipas kësaj liste do të futej brenda. Në këtë listë ishin të ftuar nga mediat qendrore vetëm TVSH dhe TV Klani, që dihet tashmë që janë altoparlantë e megafonë të qeverisë. Nuk ishte në këtë listë asnjë media lokale, ndonëse në qytetin bregdetar janë në aktivitet plot 5 TV dhe dy radio. Askush nuk jepte shpjegime se kush e kishte hartuar këtë listë dhe kush ishin kriteret e hartimit të saj. Ndonëse gazetarë të shumtë kanë kërkuar me këmbëngulje të hyjnë në përurim, ata nuk janë lejuar prej badigardëve të shumtë që mbanin në duar disa lista, nëpërmjet të cilave kontrollonin emrat që duheshin lejuar apo përjashtuar nga përurimi. Jashtë nuk kanë mbetur vetëm gazetarët, por edhe pushtetarë të ndryshëm vendorë, madje edhe kryetari i forumit rinor të PD që është njëkohësisht edhe titullar në një institucion të rëndësishëm në qytet. Dhjetëra qytetarë vlonjatë po ashtu nuk janë lejuar të hyjnë brenda dhe në oborrin ku prisnin janë shprehur të ashpër me këtë situatë. Kemi luftuar për të përmbysur një diktaturë, por mesa duket nuk po shkëputemi dot prej saj. Ne kemi luftuar për të përmbysur mure ndarës, por duket të tjerë mure po ngrihen, flisnin edhe me zë disa qytetarë që njihen si militant të hershëm dhe të devotshëm të PD. Ndërkaq, ka ndërhyrë në një moment Astrit Patozi dhe Ardian Kollozi, kryetari i PD Vlorë por me fjalën e tyre janë lejuar qytetarët dhe mediat locale të kapërcejnë vetëm rrethimin e jashtëm të Petroliferës dhe më pas nuk janë lejuar të futen në ambientet ku zhvillohej ceremonia. Nuk është lejuar të futet në këto ambiente as kryetari i forumit rinor të PD Armando Cakrani që është njëherazi edhe drejtuesi i ZVRPP. Ky i fundit është shprehur i habitur për këtë rrethim dhe për listën e ftesave megjithatë ka theksuar se ky është një investim i madh për Vlorën, ndonëse partia e tij përpara zgjedhjeve të 2005 e ka kundërshtuar me të madhe këtë ndërtim. Disa orë pas ceremonisë së inaugurimit të Petroliferës, kryeministri I Vendit Sali Berisha ka dhënë një konferencë për shtyp dhe është pyetur nga ana jonë për ndonjë koment lidhur me faktin se gazetarët dhe qytetarët vlonjatë nuk janë lejuar të marrin pjesë në këtë ceremoni. Ai është mjaftuar të thotë se ftesat janë bërë prej të zotërve të shtëpisë, pa përcaktuar se kush në të vërtetë janë tashmë zotër të vërtetë në hektarët e ndërtimit të Petroliferës, shqiptarët apo italianët. Ndërsa Gazment Shalësi, drejtuesi shqiptar i këtij kompleksi, i pyetur nga ana jonë për hartimin e këtyre listave është shprehur se nuk ka ditur gjë dhe se ato janë hartuar në tjetër vend, duke lënë të kuptohet se listat mund të jenë hartuar prej përfaqësuesve italianë të këtij kompleksi.

Last Updated on Thursday, 04 June 2009 13:01

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›