Hana, ISKSH: Qendrat shëndetësore në vend, brenda muajit me 28 pajisje bazë

Brenda muajit qershor, të gjitha qendrat shëndetësore do të pajisen me një set të ri prej 28 pajisjesh. Fillimisht shpërndarja e këtyre pajisjeve ka nisur në Tiranë, ndërkohë që brenda këtij muaji, të gjitha qendrat shëndetësore do të plotësohen me to. Këto pajisje të reja do të ofrojnë shërbimet bazë për pacientet pranë 412 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. Drejtoresha e ISKSH Elvana Hana vlerësoi se këto pajisje do të sjellin standardizimin e shërbimit për tërë popullatën.
"Ky është një hap shumë i rëndësishëm, për të cilin është punuar prej kohësh nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë", u shpreh Hana, gjatë dorëzimit të këtyre pajisjeve në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në Tiranë. Sipas saj, falë financimit të Bankës Botërore po arrihet që në të njëjtën kohë, në të gjithë vendin të jepet një paketë bazë pajisjesh të domosdoshme, të cilat nuk do të mungojnë në asnjë qendër shëndetësore dhe do të sjellin një standardizim të shërbimit për të gjithë popullatën. Pajisjet për qendrat shëndetësore do të ndihmojnë mjekun e familjes të diagnostikojë më mirë sëmundjet e syve, veshit, përkujdesin ndaj fëmijëve, ndjekje më cilësore për pacientët me sëmundje kronike, përkujdesje më e mirë për gratë shtatzëna, duke matur të gjithë parametrat që përcaktojnë ecurinë e shtatzënisë. Gjithashtu, qendrat janë pajisur me sterilizator, me qëllim ofrimin e shërbimit me mjete brenda kërkesave të higjienës. Ndërsa vaksinat, si pjesë e punës së përditshme do të mbahen në frigoriferë të rinj portable, me qëllim ruajtjen sa më mirë të tyre në çdo moment dhe ofrimin e shërbimit edhe në ato shtëpi që janë larg qendrave shëndetësore. Një nga pikat më të rëndësishme të projektit ka të bëjë me pajisjen e qendrave shëndetësore me aparaturën për të sëmurët me zemër, si dhe pajisjen e laboratorëve. Kështu, qendrat shëndetësore të Tiranës (mjekët specialistë) janë pajisur me EKG, me qëllim diagnostikimin e të sëmurëve kardiakë brenda qendrës. Gjithashtu, laboratorët e qendrave shëndetësore janë pajisur me fotometër, autoklave dhe centrifugë për të ofruar një gamë më të gjerë analizash për pacientët. Ndërkohë, vetë mjeket që punojnë në këto qendra shprehen se aparaturat e reja që janë vendosur nuk do ti detyrojnë më qytetarët që të presin përpara poliklinikave të specialiteteve për të bërë një analizë. Ekzaminimet laboratorike mbulohen nga qendrat shëndetësore. Në rast se më përpara pacientët me sistem referimi kanë shkuar në klinikat e specialiteteve me këto pajisje që kanë ardhur në laborator të gjitha ekzaminimet klinike biokimike mbulohen nga qendrat shëndetësore tha Liljana Ramasaçi, drejtoreshë e qendrës shëndetësore numër dy në kryeqytet. Duke folur për pajisjet laboratorike, si një ndër më kryesoret, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 2 në Tiranë, Liljana Ramasaço, tha se me to do të kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për pacientët. Pacienti duhet të ekzaminohet për shëndetin e tij, por këto ekzaminime janë të domosdoshme edhe për të plotësuar kartelën e të sëmurit dhe për të marrë ato medikamente që atij i nevojiten. Me shtimin e pajisjeve për kryerjen e analizave, por dhe zëvendësimin e pajisjeve të vjetra, do të mundësohet numër më i lartë analizash (7-8 analiza të reja më tepër), por dhe rritje e cilësisë së tyre dhe kryerje e tyre në një kohë më të shkurtër. Në qendrën shëndetësore nr. 2 kryhen aktualisht rreth 50-60 ekzaminime laboratorike në ditë për të gjithë popullsinë që mbulon me shërbim shëndetësor kjo qendër, ndërsa me pajisjet e reja, pritet që numri i tyre të arrijë në rreth 70 analiza në ditë. Pajisja e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin me pajisjet laboratorike dhe seti për mjekët e familjes, është mundësuar nga ISKSH dhe Ministria e Shëndetësisë falë financimit të Bankës Botërore.
***********************************************************
Pajisjet bazë për 412 qendrat shëndetësore në vend
1 Aparat për matjen e presionit të gjakut
2 Mbajtës i lëvizshëm për I.V.
3 Peshore për fëmijë
4 Glukometër
5 Pjatë peshoreje
6 Mbajtëse për pajisjet e mikrokirurgjisë
7 Ndriçues (për kontrollin e fytit)
8 Pelvimetër
9 Çekiç neurologu
10 Aparat reanimimi manual për fëmijë
11 Peshore dhe gjatësimatës për të rritur
12 Gërshërë
13 Stetoskopë
14 Stetoskop fetal
15 Metër
16 Termometer (aksilar)
17 Termometër (oral/rektal)
18 Matës kohe, mekanik
19 Ulës për gjuhën
20 Mbajtës vaksinash
21 Tabela për testimin e shikueshmërisë
22 Otoskop/oftalmoskop
23 Sterilizues
24 Frigorifer i lëvizshëm për mbajtjen e vaksinave
25 EKG
26 Autoklavë
27 Fotometër (për analiza biokimike)
28 Centrifugë
***********************************************************
Pajisjet bazë për 412 qendrat shëndetësore në vend
1 Aparat për matjen e presionit të gjakut
2 Mbajtës i lëvizshëm për I.V.
3 Peshore për fëmijë
4 Glukometër
5 Pjatë peshoreje
6 Mbajtëse për pajisjet e mikrokirurgjisë
7 Ndriçues (për kontrollin e fytit)
8 Pelvimetër
9 Çekiç neurologu
10 Aparat reanimimi manual për fëmijë
11 Peshore dhe gjatësimatës për të rritur
12 Gërshërë
13 Stetoskopë
14 Stetoskop fetal
15 Metër
16 Termometer (aksilar)
17 Termometër (oral/rektal)
18 Matës kohe, mekanik
19 Ulës për gjuhën
20 Mbajtës vaksinash
21 Tabela për testimin e shikueshmërisë
22 Otoskop/oftalmoskop
23 Sterilizues
24 Frigorifer i lëvizshëm për mbajtjen e vaksinave
25 EKG
26 Autoklavë
27 Fotometër (për analiza biokimike)
28 Centrifugë