Udhëtimi drejt detit, në ekranin e Marubit
Histori dashurie, dramë dhe ngjarje që shqetësojnë shoqërinë vijnë në ciklin e filmave që ka filluar të shfaqet në ekranin e kinemasë Marubi. Një cikël filmash ibero-amerikanë ka filluar të shfaqet në ekranin e Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi", në kuadër të javës së 7-të të Kinemasë në Spanjisht, të organizuar nga Ambasada Spanjolle në Tiranë. Për rreth një javë, prej datës 2 deri në 7 qershor, spektatori kryeqytetas do të mund të njihet me hostoritë ibero-amerikane, nëpërmjet një cikli me filma të titulluar Ibero-amerika në ekran.
Pjesë të këtij cikli janë gjashtë filma, të cilat do të shfaqen gjatë kësaj jave në ekranin e Marubit. Në ditën e parë të projektimit të filmave u shfaq filmi Elsa dhe Fredi, e regjisorit argjentinas Marco Carnevale. Ndërkohë që dje u shfaq filmi kilian Kaçimba e regjisorit Silvio Caiozzi, fitues i disa çmimeve në festivale të ndryshme. Filmi tregon historinë e Markos, një nëpunës banke që tenton t´u japë vlerë veprave të një piktori të panjohur kilian. Sot në ekranin e kinemasë Marubido të shfaqet filmi kubanez Luleshtrydhe dhe çokollatë e regjisorëve Tomas Gutierrez Alea dhe Juan Carlos Tabio. Në qendër të filmit është kërkimi i identitetit të Davidit, student i shkencave sociale në Universitetin e Havanës dhe Diegos, një artisti homoseksual i tërhequr nga kultura. Takimi mes tyre i jep fill një bote komplekse marrëdhëniesh ndërpersonale, në të cilën lidhet miqësia dhe pasioni. Nesër do të shfaqet filmi Udhëtimi drejt detit i regjisorit uruguajan Guillermo Casanova. Filmi tregon mbi udhëtimin e gjashtë personazheve, të cilët udhëtojnë për të parë detin për herë të parë. Nëpërmjet këtij udhëtimi shpaloset mënyra e veçantë e të jetuarit dhe të ndjerit e secilit prej tyre, drejt bregdetit dhe detit të panjohur. Në datën 6 qershor është filmi Një ari i kuq i argjentinasit Adrián Caetano, i cili do të ketë radhën në ekranin e Marubit. Në qendër të filmit është historia e një njeriu i quajtur Oso, që pas shtatë vitesh burg për vrasje, është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të rifilluar jetën e tij. Në datën 7 qershor do të shfaqet filmi Havana blues i spanjollit Benito Zambrano. Filmi sjell një komedi mbi kontradiktat që përjetojnë Ruy dhe Tito, dy muzikantë kubanë dhe rrugët e ndryshme që zgjedhin ata për t´i shpëtuar kurthit në Kubë. Ky cikël filmash, pas shfaqjes në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi do të shfaqet dhe në qytete të ndryshme të vendit. Edhe gjatë disa ditëve më parë në ekranin e Marubit janë shfaqur filma të tjerë, të cilët kanë sjellë në ekran prodhimet më të mira të kinemasë spanjolle.