E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Basha hakmerren ndaj Kadaresë. Rama: Do ta prish pallatin pas 23 qershorit

pallati pingulit

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare dhe kryeministri Sali Berisha kanë pasur një bisedë telefonike të vështirë dhe plot tension, lidhur me një vendim skandaloz të qeverisë shqiptare për të lejuar jashtë ligjit ndërtimin e një pallati 16 kate pas lulishtes së Vëllezërve Frashëri, në krah të ambasadës zvicerane.

Shkak është bërë rreziku real që ka pallati, në të cilin banon shkrimtari i njohur, për tu dëmtuar nga ky ndërtim i paligjshëm dhe humbja e vlerës së tij nga bllokimi që i bëhet pamjes për të cilën banorët kanë blerë aty banesat.

Është fjala për pallatin që po ngrihet me shpejtësi përballë kullës së Sky Tower, ku banon shkrimtari Ismail Kadare.

Berisha përpiqet të mbrohet në mënyrë spekulative me faktin që ndërtuesi i pallatit ka fituar gjyqin në Strasburg. Ky është spekulim, pasi Strasburgu ka ndëshkuar qeverinë shqiptare për pasigurinë juridike që i ka krijuar subjektit ndërtues, por nuk i jep atij leje të ndërtojë jashtë ligjeve të shtetit shqiptar.

Pallati realisht po ndërtohet nga një firmë ndërtimi nga Tropoja, të afërt me Berishën, të cilët po ndërtojnë një kat në javë, duke vënë në rrezik jo vetëm të ardhmen, por dhe të tashmen e fqinjëve përreth.

Lulëzim Basha, i cili ka lejuar ndërtimin, ka firmosur në fakt një leje që bie në kundërshtim me çdo ligj të urbanistikës në Shqipëri lidhur me kushtet urbane, distancat me fqinjët dhe mungesën e garazheve poshtë tij.

Një nga shanset e shtuara për ndërtuesit e pallatit ishte konflikti mes Ismail Kadaresë dhe Lulëzim Bashës për zgjedhjet e Tiranës, të cilin ndërtuesit e shfrytëzuan për të nxitur Bashën ti lejonte të ndërtonin.

Spekulimi i Berishës me Strasburgun

Gjykata e Strasburgut, e cila ka gjykuar rastin në fjalë, ka arritur në përfundimin se subjektit i është krijuar pasiguri juridike për shkak të vendimeve të ndryshme të qeverisë dhe bashkisë. Gjykata deklaroi shkelje të së drejtës së ankuesve për një proces te rregullt, pasi principi i sigurisë juridike ishte cenuar nga paqartësia e vendimeve gjyqësore si dhe shkelje të drejtës së pronës së ankuesve.

Pas kësaj qeverie futet në lojë përmes bashkisë dhe shpreh gatishmërinë për ti rinovuar lejen e ndërtimit dhe ti krijojë kushte pune, pa u ndalur nga askush për të ngritur ndërtesën 16 kate.

Në ndryshim nga rastet e tjera të dështimit të negociatave, në rastin e çështjes Mullai& Teknoprojekt, qeveria ishte gati të shkelte ligjin në shumë drejtime vetëm për të bërë të mundur ndërtimin e një kulle 16 katëshe në qendër të Tiranës.

Në propozimin e qeverise shkelen ligjet në lidhje me autonominë e qeverisjes lokale, ligji i urbanistikes, plani rregullues i Tiranës, të drejtat e pronës së pronarëve kufitarë me godinën e re, të cilët në kushtet e ndërtimit të godinës së re legjitimohen të kërkojnë dëmshpërblim nga autoritetet lokale dhe qendrore (në dëm të taksapaguesve).

Nëse qeveria do të zbatonte vendimin e GJEDNJ nën dritën e mbrojtjes së interesave te taksapaguesve, në çdo rast nuk mund të propozonte kryerjen e veprimeve, të cilat bien ndesh me ligjin dhe që kanë si rrjedhim shkaktim dëmi ambiental dhe financiar.

Në fund, sigurimi nga ana e qeverise me anë të mjeteve të paligjshme i një godine, e cila bazohet në një leje ndërtimi me origjinë të dyshimte ligjshmërie (leja nr.766 është gjetur akt juridik i pavlefshëm nga Gjykata e Lartë), krijon një precedent negativ në devijimin e zbatimit në të ardhmen të ligjit urbanistik si dhe në zbatimin e planit rregullues të Tiranës.

Pra, me qëllim mospagimin e ndonjë detyrimi financiar dhe duke i bere qejfin shoqërisë Teknoprojekt, qeveria është gati tu lërë të ndërtojnë një përbindësh në mes të Tiranës. Pas këtij lobimi ka qëndruar kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha, i cili e ka pasur mbështetje në fushatën e tij biznesmenin në fjalë.

Fqinjët e kësaj ndërtese kanë paditur në gjykatë rivlerësimin e kësaj leje të paligjshme dhe kërkojnë stopimin e punimeve deri në sqarimin e kushteve urbanistike që duhet të respektojë ndërtimi. Por është e treta herë radhazi që gjyqtarja tërhiqet, mesa duket nën presion.

Edi Rama: Do ta prishim pallatin pas 23 qershorit

Pas kundërshtimeve në Këshillin Bashkiak, opozita duket se ka dhe një plan rezervë kundër këtij përbindëshi. Burime të besueshme brenda opozitës thonë se një nga aktet e para të rivendosjes së kontrollit mbi territorin do të jenë disa shembuj të rivendosjes së ligjit siç është prishja e këtij pallati dhe ndonjë përbindëshi tjetër në bregdetin shqiptar nga Vlora në Durrës.

Kryetari i PS Edi Rama e përmendi këtë gjatë fjalimit të tij rreth programit të legalizimit të ndërtimeve nga Partia Socialiste.

Sigurisht që nuk frenojnë dot ndërtimet pa leje. Madje është një stil i ri tani që në mungesë të kuadrit ligjor të plotë për lejet e ndërtimit, i shkelin syrin njerëzve, i thonë vazhdoni se na keni ne. E, njerëzit e shkretë futen në aventura ndërtimesh pa leje nga të katërt anët.

Tirana sot është një fole ku gëlojnë këto lloj ndërtimesh. Madje kanë arritur deri në pikën që të bëjnë siç po bëjnë me atë godinën atje faqe më faqe, ngjitur, tek Sky Tower, ku lejen e ka shpikur Këshilli i Ministrave. Është e para dhe e fundit leje në histori që e jep Këshilli i Ministrave, vetë, dora vetë jep leje. Domethënë janë pa leje, tha Rama.

Unë di të them këtë. Kush mendon se mund të hedhë kate pas katesh, pas katesh dhe pas katesh, duke u fshehur mbas pushtetarëve të sotëm, është i paralajmëruar se mbas 23 qershorit mund ti shohë të gjithë ato kate, dhe këtu nuk flas për ata që ndërtojnë kate për të strehuar familjen e tyre, flas për ata që ndërtojnë kate në zemrën e kryeqytetit, flas për ata që ndërtojnë kate në zemrën e atdheut që është bregdeti, ti shohë ato kate të rrafshuara përtokë, mos çuditet. Mos çuditet! Në këtë valë zgjedhjesh ku gjithkush rend, ne rendim për të shkuar derë më derë dhe për tu thënë njerëzve është koha të bashkohemi për të rilindur Shqipërinë, ata të tjerët rendin derë më derë për ti thënë njerëzve po vjen djalli dhe prandaj mblidhuni ti bëjmë rezistencë ne jemi ndryshimi për pará, të tjerë rendin për të ndërtuar. Kush rend me idenë se mund të ngrejë gradaçiela në këtë valë e sipër duhet të bëjë llogaritë jo me para 23 qershorin, po me pas 23 qershorin! paralajmëroi Rama.

Ndërtimi i pallatit po bëhet me shpejtësi duke rrezikuar dhe kushtet teknike të tij, ndër

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›