Merr leje nga burgu, arratiset anëtari i bandës së Yzberishtit
I dënuari me 22 vjet burg, Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandave famëkeqe të viteve 97- 98 në Tiranë, është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Drejtoria e Burgut të Fushë- Krujës i ka dhënë leje me afat 7-ditor të dënuarit për vrasje, por ai nuk është kthyer brenda afatit të lejes.
Siç mësohet, Avdillari duhej të kthehej dje në Burgun e Fushë-Krujës, kohë kur i përfundonte afati i lejes së dhënë. Lajmin e bënë të ditur burime nga Ministria e Drejtësisë, por i kontaktuar me telefon nga redaksia e gazetës Panorama, një fakt të tillë e konfirmoi edhe vetë drejtori i burgut, Ligor Prifti.
Po, është e vërtetë që i është dhënë leje të dënuarit Ilir Avdillari. Duhej të kthehej sot (dje), por ai nuk u kthye në qeli, është shprehur drejtori i Burgut të Fushë-Krujës.
Ai ka refuzuar të pohonte se sa ditë leje i ishte dhënë të dënuarit për vrasje dhe cili ishte kriteri i një vendimi të tillë.
42-vjeçari tashmë është shpallur në kërkim nga policia, duke e konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit./A.Xh