E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Rama përballë njëri-tjetrit në Presidencë

Transparenca e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, pritet të jetë sot kryefjala e bisedimeve që pritet të nisin në orën 11:00 në Presidencë.Protagonisti i këtij takimi, kreu i shtetit shqiptar, prej ditësh qëndron në zyren e tij  duke koordinuar me imtësi gjithçka në mënyrë që tryeza të jetë sa më e frytshme. Asnje detaj nuk do të duhet të dalë nga selia e Presidencës. Presidenti Topi pritet t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të gjejnë gjuhën e përbashkët. Sa i përket kryeministrit Berisha, ai i ka shprehur disa herë argumentet se përse nuk lejohet hapja e kutive, por mund t’i ofrojë opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar. Kryeministri Sali Berisha do të shoqërohet në këtë takim nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama do të shoqërohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Mbledhja do të mbahet në sallën e takimeve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që pas ristrukturimit të Presidencës është një sallë fare pranë hyrjes qendrore. Media do të lejohet vetëm në fillim të takimit, dhe më pas do të vijojë i mbyllur. Diskutimet pritet të nisen pikërisht me interpretimet e ndryshme që palët i kanë bërë rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Shpresat për gjetjen e zgjidhjes pikërisht në tryezën e sotme, janë shumë të vakëta.                                                                                              

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›