Berisha dhe Rama shmangin strukturat, menaxhojnë vetë krizën

Kriza politike ka nxjerrë në pah një tjetër fenomen në funksionimin e partive politike në Shqipëri. Sali Berisha dhe Edi Rama po menaxhojnë personalisht gjithë aksionin politik, duke shmangur tërësisht strukturat e ligjshme të partive të tyre. Selia rozë dhe selia blu kanë kohë që nuk mbledhin forumet drejtuese, aq më tepër kur vendi ndodhet në një krizë të prodhuar nga partitë politike. Dy protagonistët kryesorë duket se kanë preferuar ta zgjidhin sipas mënyrës së tyre, pa pyetur dhe pa u këshilluar me asnjë instancë drejtuese.
Selia bluDhjetorin e vitit të shkuar, Partia Demokratike mblodhi Kuvendin Kombëtar, ku votoi për kryetarin e partisë dhe për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në këtë forum nuk u analizua për asnjë moment situata politike dhe marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës. Sakaq, që prej dhjetorit, Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur për të realizuar atë çka cilësohet përmbyllje e fazës zgjedhore brenda Partisë Demokratike. I lajmëruar për në fund të dhjetorit, në fillim të janarit dhe më pas të fillim të shkurtit, ky forum i lartë vendimmarrës nuk mblidhet. Ende nuk ka asnjë datë konkrete se kur këshilli do mblidhet për të zgjedhur kryesinë e re të partisë dhe sekretariatin ekzekutiv. Kryeministri Sali Berisha nuk ka mbledhur për asnjë moment kryesinë për të diskutuar në lidhje me marrëdhëniet me opozitën. Diçka e tillë nuk ka ndodhur as pas fillimit të negociatave zyrtare nën ndërmjetësimin e Presidentit Bamir Topi. Vendimmarrja e Berishës duket se është ngushtuar vetëm në atë çka njihet si “kryesia e vogël” në përbërje të së cilës janë Ridvan Bode, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.
Selia rozëHera e fundit kur Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë e saj është tetorit i vitit të shkuar. Që nga ai moment, ky forum i lartë vendimmarrës nuk është mbledhur. Socialistët vazhdojnë të bojkotojnë Kuvendin që prej shtatorit të vitit 2009 dhe në vijimësi është kërkuar që të rishqyrtohet ky vendim. Gjysma e kryesisë së partisë më të madhe të së majtës është pozicionuar kundër qëndrimit mbi bojkotin. Fakt ky i mjaftueshëm, që ka bërë që Edi Rama të mos e thërrasë më këtë forum që prej tetorit të 2009-s. Në mungesë të kryesisë së partisë, brenda selisë rozë mbetet takimi i përjavshëm me sekretariatin e partisë. Edhe kjo strukturë tanimë nuk cilësohet mjaftueshmërisht eficente për shkak se mungojnë dy prej sekretarëve kryesorë. Eksperti i çështjeve zgjedhore dhe ai për programin, përkatësisht Kastriot Islami dhe Andis Harasani, prej kohësh nuk njoftohen më për takime sekretariati, duke mos frekuentuar selinë rozë. Në rrethana të tilla, Edi Rama konsultohet me “kryesinë e vogël”, në përbërje të së cilës është i përhershmi Gramoz Ruçi dhe pjesa tjetër e sekretarëve.
#