E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, KiE zbarkon në Shqipëri

Delegacioni i Këshillit të Europës do të ketë sot dy takime me Topin. Takime janë parashikuar edhe me Topallin, Berishën e Ramën

Vetëm nesër delegacioni del në një qëndrim publik për të bërë të ditur të gjitha përfundimet e nxjerra nga takimet


TIRANË - Kur kriza politike në vend nuk ka marrë ende asnjë formë zgjidhjeje midis aktorëve politikë shqiptarë, duket se do të jetë faktori ndërkombëtar që do t'i japë fund kësaj situate politike.


Për këtë arsye, dje në mbrëmje mbërriti në Shqipëri një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në asistimin e zgjidhjes së ngërçit politik. Delegacioni do të ndërmarrë një aksion politik përgjatë dy ditëve në vazhdim, me qëllim ushtrimin e presionit politik tek liderët shqiptarë për të zgjidhur krizën politike.


Delegacioni i Këshillit të Evropës, përbëhet nga krerët e pesë grupimeve politike si dhe raportuesit për Shqipërinë, Jako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Uillshire (Mbretëria e Bashkuar, EDG).


I gjithë ky delegacion kryesohet nga Presidenti i KiE-së Mevlut Çaushoglu. Misioni i këtij delegacioni do të shtrihet përgjatë dy ditëve, që nga dita e sotme e deri ditën e nesërme.


Sipas programit të këtij delegacioni bëhet e ditur se axhenda e tyre do të jetë mjaft e ngjeshur, kur paraditen e sotme rreth orës 09:15, përfaqësuesit e këtij delegacioni do të takohen në selinë e Presidencës me kreun e shtetit, Bamir Topi, për të ndikuar në rritjen e rolit të tij, për të gjetur zgjidhjen e krizës politike midis mazhorancës dhe opozitës.


Pas takimit me kreun e shtetit, në orën 10:30 ky delegacion do të zbarkojë në zyrën e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, ku mësohet se bisedimet me të do të zgjasin në harkun e një ore. Ndërsa më pas, do të jetë Kryeministri Sali Berisha që do të presë këtë delegacion në zyrën e tij rreth orës 11:45.


Bisedimet e përfaqësueseve të Këshillit të Evropës me kreun e ekzekutivit mendohet të zgjasin për disa orë, pasi takimi do të ketë në qendër të tij zgjidhjen e krizës politike në vend dhe iniciativat politike që duhet të ndërmerren.


Pas konsultimeve dhe bisedimeve me Kryeministrin Berisha, krerët e delegacionit do të takojnë kreun e opozitës Edi Ramën. Takimi, i cili mendohet të kryhet në Bashkinë e Tiranës dhe jo në zyrën e Partisë Socialiste do të jetë në orën 15.15 të drekës së sotme.


Pasi do të jenë njohur me të gjitha kërkesat e qëndrimet e palëve politike, e veçanërisht të liderëve Rama e Berisha, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KiE-së do t'i adresohet sërish Presidentit të Republikës, kësaj radhe me një konkluzion të nxjerrë nga takimet e palëve. Takimi që do të zhvillohet me kreun e shtetit do të mbahet në orën 17:00 të pasdites.


Ky takim shënon edhe mbylljen e bisedimeve të delegacionit të KiE-së me liderët shqiptarë, ndërsa në orën 10:00 të paradites së nesërme krerët e këtij delegacioni do të dalin në një qëndrim publik për të bërë të ditur të gjitha përfundimet e nxjerra nga takimet me udhëheqësit shqiptarë si dhe premisat e zgjidhjes së krizës politike.


Që pas miratimit të Rezolutës, që konfirmonte krizën politike në Shqipëri dhe ngarkonte presidentin Topi për të negociuar midis forcave politike, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri të ditur muajin e kaluar se do të dërgonte në Shqipëri një delegacion të sajin, për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës politike.


Ambasadorët e Bashkimit Evropian në vendin tonë patën kërkuar që kriza politike të zgjidhej para se të mbërrinte ky delegacion, pasi në këtë kundërt Shqipëria do të ketë penalizime për integrimin e saj evropain.


Por, deri më tani kriza politike nuk është zgjidhur nga liderët shqiptarë, kështu që, rolin kryesor në zgjidhjen e situatës politike siç duket do ta marrë delegacioni i KiE-së i ardhur në Shqipëri.

**********************

Delegacioni i KiE-së nuk do të ketë mision mbledhjen e fakteve, por gjetjen e zgjidhjes së krizës

KiE: Qëllimi i vizitës, të ndryshojmë realitetin

TIRANË- Delegacioni i Këshillit të Evropës që do të fillojë sot në mëngjes takimet pritet që të mbështesë përpjekjet dhe rolin ndërmjetësues të presidentit Bamir Topi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.


Në një intervistë për BBC-në, raporteri për Shqipërinë, Jaakko Laakso, tha pak kohë më parë se gjetja e rrugës për zgjidhjen e krizës dhe kthimin e opozitës në kuvend do të jetë sfida kryesore e vizitës që pritet të mbyllet nesër përmes një konference për shtyp.


"Misioni ynë ka të bëjë me krizën politike në Shqipëri. Ne po përpiqemi të japim ndihmesën tonë për të inkurajuar fillimin e dialogut politik midis palëve kryesore si dhe për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me çështjen e bojkotimit të parlamentit.


Çdo deputet që është zgjedhur, mund dhe duhet të japë kontributin e tij në parlament", - u shpreh Laakso pak kohë më parë. I pyetur se si mund të zgjidhej kriza na vend, Laakso u shpreh se, objektivi i vizitës së tyre do të ishte pikërisht parandalimi i situatës së acaruar. "Ne nuk po shtrojmë çështjen e përgjegjësive. Prej disa muajsh në Shqipëri po flitet shumë se kush është përgjegjësi dhe kush jo.


Detyra jonë është që të ndihmojmë në gjetjen e një zgjidhjeje. Për këtë do të bëjmë edhe disa propozime konkrete për të cilat nuk mund të jap më shumë hollësi për momentin. Siç e dini, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri disa propozime që lidhen me vizitën tonë në Tiranë. Ky nuk është një mision faktmbledhës, pasi ne i dimë faktet. Ideja është që të ndryshojmë realitetin në terren dhe të fillojë dialogu mes partive politike", - tha ai.


BE, sot reagim zyrtar për Shqipërinë

TIRANË- Ndërsa në Tiranë do të rifillojnë sot takimet në kërkim të zgjidhjes së krizës politike në vend, në Bruksel pritet që të ketë një deklaratë pikërisht mbi zhvillimet në vend.


Përfaqësuesja e Lartë për Politiken e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë në BE, baronesha Ketrin Ashton do të mbledhë Këshillin e Punëve të Jashtme ku do të ketë një reagim zyrtar mbi negociatat që Presidenti Topi po zhvillon me palët për zgjidhjen e krizës.


Pak ditë më parë, gjatë ndalesës së saj në Prishtine Ashton deklaroi se, "Shqipëria rrezikon integrimin në BE nëse nuk gjen një zgjidhje të shpejtë për krizën".


Sot në orën 09:00 të mëngjesit, Këshilli i Punëve të Jashtme ka në axhendë negociatat e Bashkimit Europian me Malin e Zi, i cili ashtu si edhe Shqipëria ka dorëzuar aplikimin për statusin e vendit kandidat madje ka përfunduar edhe plotësimin e pyetësorit. Megjithatë për këtë të fundit pritet që të mos ketë asnjë diskutim përveçse daljen me një deklaratë, mbi negociatat e deritanishme për zgjidhjen e krizës. Këshilli i Punëve të Jashtme pritet që të ketë diskutime edhe për Haitin, Iranin, Ukrainën, Moldavinë, Zimbabven dhe Kirgistanin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›