Papandreu: Greqia ka nevojë për mbështetje politike, jo financiare
Kryeministri grek tha se situata mund të bëhet e rrezikshme, nëse mungon ndihma
Greqia nuk kërkon nga Bashkimi Europian një plan shpëtimi financiar për të reduktuar borxhet që e kanë çuar ekonominë e vendit në buzë të greminës. Ajo ka nevojë për mbështetje politike, në mënyrë që të rikuperojë besueshmërinë dhe soliditetin. Kështu ka deklaruar Kryeministri grek, George Papandreu, në një intervistë për “BBC”-në, ku ka nënvizuar se si plani i rikuperimit trevjeçar i hartuar nga Athina zyrtare parashikon reduktimin e deficitit nga 12.7 për qind të GDP-së në 2.8. “Na jepni kohë, na jepni mbështetje. Këtu nuk po flas për mbështetje financiare, por politike, për të treguar se ajo që po themi, do të realizohet dhe se ne do të jemi sërish të besueshëm”, shpjegoi Papandreu. “Në këtë moment nuk kemi nevojë për një borxh. Nevojat tona do të mbulohen deri në mes të marsit. Ajo që themi është thjesht se ne kemi nevojë për ndihmë, në mënyrë që të ndërmarrim hapa që do na ndihmojnë të bëjmë ndryshime. Ne duhet të marrim hua dhe të paguajmë të njëjtat interesa si vendet e tjera”, vazhdoi më tej ai. Papandreu theksoi se partia e tij u votua në zgjedhjet e fundit për të sjellë ndryshimin në këtë mandat dhe për këtë ai ka edhe mbështetjen e popullit grek. Papandreu theksoi se nëse Greqisë do t’i mohohet ndihma në këtë periudhë kaq të vështirë për të, atëherë pasojat do të jenë të pashmangshme për të gjithë Eurozonën. “Ky është kthyer tashmë në një problem europian. Ne jemi një vend që nuk mund t’i përballojmë spekulimet të vetëm. Një problem i madh i yni mund të kontaminojë vende të tjera që nuk duhen fajësuar aspak”. Ndërkaq, një gazetë gjermane ka folur për një plan 25 miliardë eurosh që vendet e zonës Euro kanë vendos të vënë në zbatim për të shpëtuar Greqinë. Sipas të përditshmes gjermane, ky lajm ka dalë nga Ministria gjermane e Financave. Në planin e emergjencës për të shpëtuar Greqinë dhe për të evituar më të keqen, me qëllim ruajtjen e stabilitetit në zonën Euro, do të marrin pjesë të gjitha vendet e bashkimit monetar. Nëse lajmi i dhënë nga “Der Spiegel” do të konfirmohet, do të tregojë një kthesë në pozicionin gjerman dhe gjithë Bashkimin Europian. Por në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel, vendet e BE-së kishin kërkuar me tone të ashpra marrjen e masave të menjëhershme për të ndihmuar në shërimin e ekonomisë, por pa folur për shifra apo ndihma konkrete. Berlini i alarmuar nga rreziku gjithmonë e më i madh i pasojave të ekonomisë helene, mendon se rreziku është vërtet i madh. Kriza e një vendi të vetëm, në rastin konkret është më e menaxhueshme, sepse nëse edhe vende të tjera do të kontaminoheshin nga kjo, atëherë situata do të ishte e papërballueshme. Ekzekutivi gjerman, sipas asaj që shkruan e përjavshmja gjermane, është i bindur në nevojën e rregullave të reja në Bashkimin Europian, në rast të problemeve të një vendi anëtar dhe të urgjencës për të krijuar për veprimet e ardhshme të shpëtimit një institucion të ri europian, bazuar në shembullin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Monedhës së përbashkët europiane nuk i është dashur më parë të përballet me kriza të tilla. “Hollësirat për mjetet financiare që na çojnë në zgjidhjen e krizës nuk janë gjetur ende, por sfidat e ndërmarra mund të çojnë në një rezultat pozitiv brenda një kohe jo shumë të gjatë”, tha ai. Kështu, pavarësisht grevave dhe situatës së trazuar në vend për “shtrëngimin e rripit”, pjesa më e madhe e grekëve ka një gjykim pozitiv mbi aksionin e qeverisë socialiste të Papandreut dhe tregon se është kundër krizave në mes të krizës. Ky është rezultati i një sondazhi të publikuar nga e përditshmja socialiste, “Ethnos”. Sipas saj, popullariteti i Papandreut mbetet në shifra të larta, rreth 74 për qind, ndërsa 57,6% e të intervistuarve mendojnë se veprimet e qeverisë janë ato të duhurat. 75,8% është kundër protestave për masat e marra për krizën e borxheve, vetëm pak ditë nga një grevë e përgjithshme kundrejt masave të qeverisë. Po sipas sondazhit, një numër i madh personazh ia atribuojnë politikës së ndjekur nga Costas Karamanlis këtë gjendje të vendit.