E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dhe Topalli ftojnë investitorët finlandezë të investojë në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha ka ftuar biznesin finlandez që të investojë në Shqipëri. Shefi i qeverisë ka pritur dje në një takim përfaqësuesit e Federatës së Shoqatave Finlandeze PAASIKIVI. Misioni i saj është lidhja e qytetarëve finlandezë me vende të ndryshme të botës duke iu mundësuar informacion për fusha të ndryshme ekonomike dhe politike për të rritur në këtë mënyrë bashkëpunimin e Finlandës me këto vende. Presidenti i kësaj federate në bisedë me kryeministrin Berisha tha se këto dy vitet e fundit, imazhi i Shqipërisë është bërë shumë interesant dhe shumë tërheqës për finlandezët dhe se në Finlandë, Shqipëria u shpall si vendi me interesant për vitin. Ata thanë gjithashtu se thirrjes për këtë vizitë në Tiranë, iu përgjigj një numër shumë i madh finlandezësh, përfaqësues të bisnesit, politikës dhe medias dhe grupi i tyre u bë aq i madh sa ata nuk mundën t’i sillnin dot të gjithë. Ata deklaruan se përfaqësojmë interesat e finlandezëve dhe dëshirën e tyre për të bashkëpunuar më një vend vërtet të vogël, por të rëndësishëm në Evropën Juglindore për nga historia dhe zhvillimet e fundit politike. Presidenti i Federatës finlandeze Passiviki përgëzoi Kryeministrin Berisha për rolin e tij të rëndësishëm në politikën e jashtme, sidomos në çështjen e Kosovës dhe marrjen e ftesës për në NATO. Reformat e ndërmarra në Shqipëri po zbatohen me sukses dhe tregues janë zhvillimet e fundit-tha ai. Kryeministri Berisha i falenderoi ngrohtësisht për interesin e tyre ndaj Shqipërisë dhe për këtë vizitë informuese. Zoti Berisha shprehu mirënjohje
për përkrahjen që Finlanda i ka dhënë Shqipërisë dhe Kosovës duke vlerësuar rolin e Presidentit Ahtisaari në negociatat për statusin. Zoti Berisha i ftoi të transmetonin përshtypjet e tyre dhe informacionin mbi Shqipërinë tek komuniteti i bisnesit në Finlandë. Gjithashtu kryeministri me kërkesën e tyre u prezantoi përfaqësuesve finlandezë reformat politike dhe ekonomike, të ndërmarra në Shqipëri nga qeveria e tij
si dhe planet për të ardhmen. Kryeministri Berisha theksoi se situata politike në vend është e qendrueshme dhe bashkëpunuese me opozitën,e konkretizuar në konsensuse për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishin ndryshimet kushtetuese. Delegacioni nga Finlanda u interesua për fusha konkrete bashkëpunimi: në shëndetësi, arsim,etj. Ata i shprehën edhe njëherë Kryeministrit interesin dhe dëshirën e vendit dhe qeverisë së tyre për të bashkëpunuar dhe kontribuar në zhvillimet në Shqipëri. Ata këmbyen edhe mendime dhe shprehën simpatinë e tyre për mundësinë e thellimit të lidhjeve Finlandë- Shqipëri duke e konsideruar Shqipërinë si një pikë të rëndësishme bashkëpunimi në Evropën Juglindore. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ftoi investitorët finlandezë që të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, i cili pas reformave të mëdha fiskale po njeh një rritje të investimeve të huaja dhe një klimë shumë atraktive për biznesin. Topalli zhvilloi po dje takimin me një grup prej rreth 45 personalitetesh të
larta të jetës ekonomiko-politike të Finlandës. Këta personalitete, anëtarë të Federatës prestigjioze Paasikivi, kryesohen në këtë vizitë nga Presidenti i Federatës Martti Enajarvi. Duke vlerësuar mbështetjen që institucionet dhe populli i Finlandës i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese, znj. Topalli falënderoi për ratifkimin e MSA-së Shqipëri-BE nga Finlanda, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës. Gjithashtu, ajo vlerësoi rolin që ka luajtur Presidenti Ahtisari në procesin drejt pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ai gëzon një respekt dhe mirënjohje të veçantë nga kombi shqiptar. Në takimin miqësor u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, perspektivën Euro-Atlantike të vendit dhe hapat që po ndërmerren për t’u bërë sa më shpejt anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe BE. Vizitorët finlandezë treguan interes për historinë e Shqipërisë, për drejtimet aktuale të politikës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për mundësitë për investime dhe turizëm në vendin tonë, si dhe nënvizuan se do të
bëhen përçues të zhvillimeve dhe imazhit mbresëlënës që ata prekën në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›