E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi: Zhgënjim nga dosja shpjeguese e Prokurorisë

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i mbledhur është shprehur i zhgënjyer në lidhje me dokumentacionin e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, lidhur me dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj deputetit Fatmir Mediu. Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve që u zhvillua pa praninë e mediave, përfaqësuesi i PD-së në këtë Këshill, Ilir Bano, konfirmoi marrjen në dorëzim të materialit të sjellë nga Prokuroria, në të cilin, siç u shpreh ai, "nuk kishte asgjë të panjohur”. “Aty kishte ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave të kohëve të ndryshme dhe nuk pashë ndonjë gjë të re. Këshilli ra dakord që në mbledhjen e ardhshme deputeti Mediu të vijë në Këshill dhe të japë shpjegime”- deklaroi Bano. Ndërsa anëtari socialist i Këshillit, deputeti Besnik Dervishi, tha se “ndonëse i hodhëm një sy të shpejtë materialit, në të nuk ka asgjë super të fshehtë apo super konfidenciale, pasi janë materiale që i janë bërë të njohura publikut nga media e shkruar”. “Përsa i takon nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ai nuk vlen për deputetët, pasi ne zhvillojmë një aktivitet politik dhe nëse deputetët kane imunitet e kanë pikërisht për këtë, për t'u shprehur politikisht”- sqaroi Dervishi. Në një kohë që deputetit republikan, Arian Madhi, anëtar i Këshillit, më shumë se 4/5 e materialit shoqërues përmban vetëm ligje, vendime e urdhëresa të firmosura që nga koha e ish-kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi, ish-kryetarit Servet Pëllumbi e deri në kohën e sotme. “Dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Prokuroria vetëm në një pjesë të tij përmban akte dhe dokumente që lidhen vetëm me veprimtarinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Në këtë dokumentacion nuk përfshihen akte e dokumente të strukturave të tjera të kësaj ministrie, që lidhen me procesin në hetim nga Prokuroria’, tha Madhi. Pjesa tjetër e dokumentacionet të paraqitur përmban fotokopje të ligjeve dhe akteve nënligjore si dhe relacione projektligjesh e vendimesh. Këto akte, sipas vlerësimit të Prokurorisë, lidhen me veprimtarinë që po hetohet”- tha Madhi. Sipas këtij tyë fundit bashkëlidhja e fotokopjeve të akteve ligjore e nënligjore me dokumentacionin tjetër, vërejti deputeti Madhi, nuk është e nevojshme dhe ka shërbyer si shkak që të krijojë perceptimin e rremë se materiali i organit të akuzës, i përbërë nga 648 faqe, përbën provat që argumentojnë përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mbledhja e djeshme e Këshillit të Rregullores është e dyta pas kërkesës që organi i akuzës i drejtoi Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Fatmir Mediu, për nisjen e procedimit penal ndaj tij lidhur me përgjegjësinë në ngjarjen e Gërdecit, ku nga shpërthimi në një fabrikë demontimi të municioneve ushtarake humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë, ndërkohë që u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Në përfundim të mbledhjes së sotme, Këshilli ra dakord që në mbledhjen e ardhshme ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të japë sqarime për akuzat e ngritura ndaj tij lidhur me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›