E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Kufizimi i imunitetit nuk përjashton ndryshimin e ri të Kushtetutës

Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, ka deklaruar dje se kufizimi i imunitetit të deputetit nuk do të përjashtonte dhe një amendim të mundshëm të Kushtetutës. “Për kufizimin e imunitetit nuk përjashtohet edhe ndryshimi i kushtetutës apo çdo ndryshim ligjor që do të gjykohet i nevojshëm për arritjen e qëllimit që ka kjo nismë”- tha Beja gjatë një prononcimi për mediat. Ai pohoi se në komisionin e Ligjeve ende nuk është paraqitur nisma në fjalë, pasi janë vetëm grupet politike që e kanë ndërmarrë atë. “Kufizimi i imunitetit është një iniciativë e mirëpritur. Që në fillim të kësaj legjislature kemi dëshiruar që të fusim elementë të heqjes së imunitetit të deputetëve dhe të personave që kanë imunitet, lidhur me krimet që lidhen me korrupsionin”- u shpreh Beja, njëkohësisht nënkryetar i parlamentit. “I rëndësishëm
për ne është fakti që ne të mos lëmë përshtypjen që një njeri që ka imunitet, për hir të funksionit të tij, mund ta përdorë këtë imunitet për interesa private për të mbushur xhepin e vet në kurriz të popullit, dhe ky është thelbi i nismës”- vijoi më tej ai. I pyetur nëse kufizimi i imunitetit ka ndonjë përplasje me Kushtetutën dhe mund të votohet edhe me 84 vota në Kuvend, ai u përgjigj se për këtë çështje ka disa variante. Kur grupi i punës të fillojë nga puna do të mblidhen dokumentat, do të shikohet qëndrimi i palëve për të gjetur variantin që i përputhet qëllimit. Ndërkaq kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, rikonfirmoi të martën se forca politike që ai përfaqëson është e hapur të diskutojë rreth çështjes së imunitetit të deputeteve. I pranishëm në tryezën “Rruga e Shqipërisë drejt proçesit të integrimit europian: Përcaktimi i Prioriteteve” organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa”, kryesocialisti Rama komentoi gjatë fjalës së tij çështjen e imunitetit, duke nënvizuar se “kjo nuk mund dhe nuk do të jetë një çështje e veçuar nga diskutimi i të gjithë problematikës së Paktit Kombëtar për Drejtësinë”. Sipas tij “ka ardhur koha që politika të largojë një herë e mirë duart nga drejtësia”. “Ky duhet të jetë një angazhim i të gjitha forcave politike, që solemnisht duhet ta kthejnë këtë Pakt Kombëtar, në një angazhim konkret të miratuar në Parlamentin e Shqipërisë, si një axhendë afatgjatë për të gjitha forcat politike, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush është në opozitë”, tha më tej Rama. Në takimin “Rruga e Shqipërisë drejt proçesit të integrimit europian: Përcaktimi i Prioriteteve”, organizuar sot në mjediset e hotel ‘Sheraton’ në Tiranë, ishte i pranishëm Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, Raporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Libor Roucek, analistë, përfaqësues të medias, përfaqësues të pushtetit lokal, etj. Duke iu referuar temës së këtij takimi, Ambasadori i KE-së veçoi si domosdoshmëri “pavarësinë në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar, luftën ndaj korrupsionit si dhe privatizimin e KESH-it dhe shpërndarjen e tij”. Ndërsa raporteri i PE-së, Roucek, vuri theksin mbi progresin që po bën vendi ynë për t’u anëtarësuar sa më parë me të drejta të plota në NATO, por nënvizoi ai “gjithçka që ju do të bëni përgjatë kësaj periudhe do të monitorohet nga të dërguarit tanë këtu dhe në tetor-nëntor të këtij viti do të shihet sesa prej kërkesave tona janë plotësuar në këtë proçes”.
Meta, skeptik për nismën: Qeveria ka dhënë prova se nuk do ta luftojë korrupsionin/Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir meta është shprehur në parim pro nismës së shumicës për kufizimin e imuniteteve parlamentare. Megjithatë ai nuk ka fshehur skepticizmin se kjo do të ndikojë në mënyrë direkte në një luftë më efektive ndaj fenomenit të korrupsionit. “Ne habitemi pse nuk bënë ndryshimin në Kushtetutë për çështjen e imunitetit, natën e 21 Prillit. Por, nga nxitimi siç duket do të kenë harruar
ose akoma nuk ishin marrë vesh. Ne kemi thënë si LSI që në fillim që duhet të na konsiderojnë pa imunitet, pavarësisht se ne e dimë që drejtësia në këtë vend ende nuk është e pavarur dhe pas natës së 21 Prillit është edhe më e varur nga ekzekutivi dhe nga Kryeministri. Por, pyetja që unë kam dhe për ju, dhe për zotin Berisha, ka të bëjë me faktin se sa i sinqertë është ai në luftën kundër korrupsionit, në heqjen e imunitetit të atyre që e kanë imunitetin me Kushtetutë, kur i jep imunitet Drejtorit më të rëndësishëm të tatimeve e taksave në Shqipëri, një njeri që për nga pozicioni që ka në administratë është shumë afër edhe vetë pozicionit të ministrit, i cili është akuzuar jo thjesht për një shkelje ligji, por është akuzuar nga Prokuroria për implikim në vrasjen e një qytetari shqiptar. Dhe, se si ky Kryeministër i bën sfidë prokurorisë, i bën sfidë drejtësisë, duke
e mbështetur, duke e mbrojtur dhe duke e mbajtur Drejtor të përgjithshëm në një moment të tillë, i cili është tepër sfidant edhe për opinionin publik, edhe për vetë organet e drejtësisë, të cilat e dinë që përballë kanë një njeri që akuzohet për vrasje, por që ka mbështetjen e Kryeministrit” - deklaroi Meta. Sipas tij natës së 21 prillit ka marrë një super imunitet, çka sipas tij i mundëson Berishës që t’u heqë imunitetin deputetëve,
për t’i pasur më shpejt në kontroll. “Për fat të keq Berisha me ndryshimet që u bënë në natën e 21 prillit ka marrë një imunitet të jashtëzakonshëm dhe kjo është një fatkeqësi e madhe, sepse së pari ai duhet të jetë një nga personat kyç që duhet të dalë para drejtësisë për të dëshmuar për ngjarjen e Gërdecit dhe së dyti, ai duhet të garantojë një proces të hapur të organeve të drejtësisë ndaj të gjithë administratës që akuzohet për korrupsion, dhe shembujt janë të shumtë, pa ndërhyrë, sikurse po bën në rastin e Sefgjinit duke iu kundërvënë vullnetit të Prokurorisë dhe të drejtësisë” - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›