Berisha dorëzon nesër kërkesën historike për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Kryeministri ka shpallur dje solemnisht vendimin e qeverisë shqiptare për të paraqitur kërkesën zyrtare për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim të plotë në BE. Kërkesa ka miratimin paraprak të shteteve më të rëndësishme të unionit, ndërkohë që presidenca çeke është vetëdeklaruar si avokatja më e shkëlqyer e reformave të qeverisë shqiptare
TIRANE - Shqipëria do të paraqesë kërkesën e saj për aplikimin për statusin kandidat në Bashkimin Evropian në 28 prill, në Pragë. Vendimi u bë i ditur gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Për rreth 30 minuta kreu i qeverisë Sali Berisha bëri një rezume të reformave të qeverisë, të cilat bënë të mundur arritjen e vendit në këtë hap madhor.
“Në këtë mbledhje ne informojmë shqiptarët për një vendim të një rëndësie historike, që marrim për të paraqitur më datën 28 prill zyrtarisht kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtarë në BE. Kjo përbën një moment dhe një akt të një rëndësie përcaktuese në procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. Ky vendim i cili nuk vjen si një vendim i një anshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vendin kryesues, kryesinë e radhës së BE, vjen si një bashkërendim me vendet anëtare të BE të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim me KE. Pra, vendimi për të paraqitur në datën 28 prill në Pragë kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit është një vendim gjërësisht i konsultuar sikundër vetë kishim deklaruar më parë”, deklaroi Kryeministri Berisha, i cili pritet të udhëtojë nesër drejt Pragës, për të paraqitur kërkesën.
Shefi i ekzekutivit tha se kërkesa për statusin kandidat, bëhet pasi Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet për të qenë anëtare e BE.
“Në rast se 4 vjet më parë ne u zotuam para shqiptarëve se ‘alfa’ dhe ‘omega’ e programit tonë do të jenë reformat, kënaqësia e madhe është se ato nuk ishin reforma në letër, por reforma me rezultate konkrete, reforma të cilat i mundësuan Shqipërisë që, në 4 prill 2009, të anëtarësohet në NATO, reforma të cilat bënë të mundur që, në një hark kohor më të shpejtë se për të gjitha vendet e rajonit, vendet anëtare të BE-së të ratifikojnë pa asnjë rezervë, Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit me Shqipërinë, reforma të cilat bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër Shqipëria të ftohet për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. Lumenj djerse, mundi, sakrifice dhe mendjeje, janë derdhur për të shënuar këtë kthesë rrënjësore. Historia është e tillë; për të hapur negociatat dhe për të firmosur marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit u deshën 7 vite, më gjatë se asnjë vend tjetër. Kjo nuk ndodhi absolutisht për ndonjë shqiptaro-fobi, përkundrazi, shqiptarët kanë pasur solidaritetin më të madh se çdo vend tjetër. Por kjo ka ndodhur sepse reformat mbeteshin në letër. Ndërsa, nga 12 shtatori 2006 deri në janar 2009, reformat e kësaj periudhe u certifikuan nga të gjitha vendet anëtare, me vlerësimet më pozitive”, tha Berisha.
Ne paraqesim kërkesën, shtoi kryeministri, pasi kemi plotësuar me seriozitetin më të madh kërkesat dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja.
“Paraqesim kërkesën pasi të gjitha vendet anëtare të BE votuan në parlamentet e tyre dhe ratifikuan MSA. Ne paraqesim kërkesën pasi ne kemi vendosur një bashkëpunim të gjërë dhe në fushën ushtarake, me BE, kemi trupa në Çad, në Bosnje, dhe janë ta gatshme të marrin pjesë në të gjitha misionet e paqes që BE parashikon, dhe do parashikoje në të ardhmen”, vuri në dukje kreu i qeverisë.
Në vijim, kryeministri Berisha, Berisha shprehu një falënderim të veçantë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat kanë mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit.
“Dua të falënderoj Kryeministrin Topolanek, qeverinë çeke, e cila ka bërë avokatin e shkëlqyer të arritjeve të kësaj qeverie, në gjirin e vendeve anëtare dhe ka ftuar, në datën 28 prill, Kryeministrin e Shqipërisë për të paraqitur zyrtarisht kërkesën.
Suksesi i reformave do të merrte vlerësimin më maksimal nga Kancelarja Angela Merkel, Kryeministri Berluskoni, etj, dhe vetëm 2 ditë më parë nga Presidenti francez Nikola Sarkozy dhe ministri i jashtëm Kushner”, u shpreh Kryeministri.
Berisha shprehu një mirënjohje të thellë për administratën, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Integrimit, për punën e jashtëzakonshme, në harkun kohor të katër viteve të qeverisë, me përkushtim në plotësimin e reformave.
Shefi i qeverisë ka falënderuar gjithashtu edhe opozitën, e cila ka votuar reformat në parlament, duke i siguruar ata që ky akt nuk është elektoral, por është një akt i zbatimit të reformave që janë votuar në parlament.
“Falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në Parlament, ta siguroj se ky akt nuk është elektoral, se ky akt është në zbatim që kemi votuar në parlament, është interesi më i mirë i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre, ky akt është themelor në programin e të gjitha forcave serioze politike të vendit. Pra, në Pragë ne shkojmë me konsensusin më të gjerë, këtë akt e mirëpresin 96 për qind e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha.
Nesër në Pragë, Shqipëria aplikon për statusin kandidat
Kryeministri Berisha i dorëzon Presidentit të Këshillit të BE-së, Mirek Topolanek kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat
TIRANE - Ditën e nesërme kryeministri Sali Berisha, niset për në Çeki, vendi kryesues i Presidencës së Bashkimit Evropian, për të dorëzuar vendimin e qeverisë, për paraqitjen e kërkesës për statusin kandidat në BE.
Në fund të fjalës së tij, gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha lexoi para mediave tekstin e kërkesës dhe më pas firmosi tekstin e letrës përkatëse që ai i drejton Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Shkëlqesisë së tij, Mirek Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian.
Kërkesa zyrtare
“Shkëlqesia Juaj, zoti President!
Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”.