Në katër vitet e ardhshëm, çdo fshat bëhet me ujësjellës

Qeveria ka investuar në 4 vite në komunën e Gjinarit 428 milionë lekë, kundrejt 1 milionë në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme
Në këtë komunë është ndërtuar ujësjellësi Bukanik - Gjinar, me vlerë 8.7 milionë lekë, Godina e Postës, me vlerë 3.5 milionë lekë, etj projekte. Grandi i dhënë për komunën Gjinar, nga 11 milionë lekë në vit që ka qenë në qeverisjen e mëparshme, është bërë 23 milionë lekë.
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Elbasanin me Gjinarin, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 460 milionë lekë. Kjo rruge ka një gjatësi 22 kilometra dhe sipas projektit , përfshihet sistemimi, asfaltimi dhe ndriçimi i saj, veçanërisht në segmentet e rrugës që kalojnë nëpër qendrat e banuara të kësaj zone.
Në komunën e Gjinarit, në 4 vitet e fundit, janë investuar 428 milionë lekë, ndërkohë që në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme në këtë komunë janë investuar vetëm 1 milionë lekë. Në këtë komunë është ndërtuar ujësjellësi Bukanik Gjinar, me vlerë 8.7 milionë lekë, Godina e Postës, me vlerë 3.5 milionë lekë. Ndërkohë, grandi i dhënë për komunën Gjinar, nga 11 milionë lekë në vit që ka qenë në qeverisjen e mëparshme, është bërë 23 milionë lekë.
Kryeministri siguroi banorët e zonës, se pas përfundimit të kësaj rruge, çdo fshat do të lidhet me aksin kryesor përmes rrugëve të asfaltuara.
“Dua t’i garantoj banorët se çdo fshat do të ketë ujësjellësin e tij dhe se në 4 vitet që vijnë, çdo familje shqiptare do të ketë ujin brenda shtëpisë së tij. Ne jemi të vendosur për urbanizimin e plotë të fshatit shqiptar, jemi të vendosur të ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla moderne, shërbime sociale, në mënyrë që ju dhe fëmijët tuaj të keni kushte të qytetëruara jetese në vendin ku ju jetoni”, u shpreh Berisha.
Më 1 maj 2009, dyfishim i pagave dhe pensioneve
Kreu i qeverisë Sali Berisha, garanton të gjithë shqiptarët qe qeveria që drejton do të mbështesë plotësisht përparimin e jetës së tyre. Berisha tha se më 1 maj qeveria do të dyfishojë pensionet, ndërsa shtoi se edhe ndihma ekonomike për familjet në nevojë është dyfishuar dhe po vazhdon rritjen graduale.
“Në datën 1 maj çdo burrë dhe grua pensionist në këtë zonë do të marrë 2 herë më shumë sesa në vitin 2005. Por ne kemi dyfishuar edhe ndihmën ekonomike. Në çdo komunë që shkoj kryetarët e komunave më njoftojnë se ndihma ekonomike është rritur në të gjitha rastet 100 për qind. Ne e realizuam këtë sepse është më e drejtë t’ua japësh juve direkt paratë në dorë, sesa t’i shpërndajmë ne dhe të kthehen në akciza. Jo, kjo nuk mund të ndodhë. Ne do t’jua japim juve. Ne dyfishuam ndihmën ekonomike, dyfishuam pensionet”, u shpreh kryeministri.
Ne kemi investuar në zonat rurale të vendit 1.6 miliardë dollarë dhe do të investojmë dy herë më shumë në 4 vitet që vijnë.
Viti i parë i mandatit të dytë, shqiptarët pa viza në Evropë
Brenda vitit të parë të mandatit të dytë, shqiptarët do të lëvizin pa viza, në mbarë Evropën. Kjo është garancia që u jep shqiptarëve, kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë tha se liberalizmi i vizave do të na bëjë ne të ndihemi të lirë si shqiptarë evropianë.
“Me një Shqipëri të vendosur në një drejtim të drejtë dhe të merituar, shqiptarët brenda vitit të parë të mandatit të dytë, do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën, pa viza. Kjo do të na bëjë ne të ndihemi të lirë, si shqiptarë evropian”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se, për të realizuar këtë hap madhor, Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrimet dhe procesi është në rrugë të mbarë, në mënyrë që brenda vitit 2009, shqiptarët të lëvizin pa viza.