E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Topolanek mbështesin sistemin e mbrojtjes raketore



Samiti i NATO-s në Bukuresht tregoi që kjo shtyllë e mbrojtjes është një shtyllë që duhet krijuar. Kështu është shprehur, kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, lidhur me instalimin e sistemit mbrojtës antiraketor në Çeki. Ai deklaroi se sistemi i mbrojtjes ‘antiraketë’, që do të instalohet në Çeki do të mbulojë jo vetëm Çekinë dhe Poloninë, por edhe gjithë rajonin e Europës, pra edhe Shqipërinë. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, z. Topolanek sqaroi mbi marrëveshjen mes Çekisë dhe SHBA-së për një projket mbrojtje antiraketë. Sipas Kryeministrit Topolanek, “Samiti i NATO-s në Bukuresht tregoi se kjo shtyllë e mbrojtjes duhet krijuar”. “Ne mendojmë se jemi shumë afër lidhjes së kësaj kontrate dhe besoj se në fillim të majit këto kontrata do t’i nënshkruajmë. Meqënëse bëhet fjalë për një kontratë në nivel konfidencial, atëherë kjo do të kalojë në procesin e ratifikimit në qeveri dhe pastaj në parlament”, tha Kryeministri çek. Në këtë drejtim, ai vlerësoi se “kjo është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme edhe për sa i përket NATO-s në përgjithësi, ndërkohë që gjithë sistemi antirakete ka në mënyrë të veçantë vetëm karakter mbrojtës”.
Berisha-Topolanek: Vetëm reformat bëjnë të mundur që Shqipëria t’i përmbushë detyrimet për anëtarësim në NATO/Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim të rëndësishëm me Kryeministrin e Republikës së Çekisë Mirek Topolanek. Pas takimit kokë më kokë mes tyre, dy delegacionet zhvilluan bisedimet zyrtare, të kryesuara nga dy kryeministrat. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha, falënderoi homologun e tij Topolanek për vizitën, e para e një kryeministri çek në Shqipëri, duke e vlerësuar atë historike dhe që i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha deklaroi se vetëm reformat janë ato që do të bëjnë të mundur që Shqipëria t’i përmbushë detyrimet për anëtarësim të plotë në NATO. “Besimi i madh që u tregua në Bukuresht ndaj Shqipërisë është një përgjegjësi shumë e madhe për vendin tonë. Pas Samitit të Bukureshtit në fushën e reformave ka zhvillime nga më të rëndësishmet. Brenda 2-3 ditëve parlamenti vendos për reformën zgjedhore. Së shpejti finalizohet fituesi për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave dixhitale, ndërkohë që lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit mbeten përarësitë më madhore të qeverisë”, tha z. Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se “u inuagurua prokurimi elektronik, ndërsa po instalohen procedura që parandalojnë korrupsionin”. Duke theksuar disa nga rezultatet impresionuese në këtë fushë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se “Shqipëria ka administratën më të vogël në Europë, ndërkohë që ka shkurtuar shpenzimet operative nga 3 në 2 për qind të GDP-së”. Kreu i qeverisë, gjatë takimit më homologun e tij cek, Topolanek, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë që qeveria e z. Topolanek i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Kryeministri Topolanek siguroi për mbështetjen e Çekisë për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, si në procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, ashtu edhe në Bashkimin Europian. Ai theksoi se në samitin e Bukureshtit Çekia i dha Shqipërisë një mbështetje të rëndësishme për të marrë ftesën për të hyrë në NATO. “Kur dëgjova fjalimin e Presidentit, z. Topi dhe të Kryeministrit Berisha në këtë Samit, pata lot në sy. Shqipëria, me një rrugë të vështirë e të dhimbshme, edhe pse pak të vonuar në kohë, më në fund mundi të hyjë në familjen tonë të NATO-s dhe me vullnetin tonë të përbashkët Shqipëria mori ftesën që të bëhet anëtare me të drejta të plota. Dua t’i kujtoj të gjithëve dhe atyre që kanë jetuar në atë kohë, se ne e dimë shumë mirë që kemi qenë anëtarë dhe aleatë në një pakt prej të cilit Shqipëria atëherë doli pikërisht për të protestuar kundër pushtimit të Çekisë nga forcat e huaja. Duam t’ju ndihmojmë me gjithë zemër në rrugën që keni nisur dhe që Çekia tashmë e ka kaluar”, deklaroi Kryeministri cek.
Gjatë bisedimeve, dy delegacionet u ndalën në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe konstatuan se ekzistojnë hapësira për zgjerimin e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të përbashkët.
Çekia do të ratifikojë brenda verës së këtij viti, MSA-në Shqipëri-BE/Parlamenti i Çekisë pritet të ratifikojë brenda verës së këtij viti Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Progresi i shënuar dhe i vazhdueshëm i Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve integruese, po bën të mundur që vendet anëtare të BE-së të vlerësojnë dhe të ratifikojnë në kohë rekord që pas nënshkrimit në vitin 2006 në Bruksel të MSA-së ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Në këtë mënyrë Çekia pritet të bëhet vendi i 15-të anëtarë i BE-së që pranon të ratifikojë MSA-në Shqipëri-BE. Kjo është konfirmuar dje nga Kryeministri çek Mirek Topolanek në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Sipas tij, pas ratifikimit nga senati çek të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE-në, pritet që në verën e këtij viti marrëveshja të ratifikohet edhe nga parlamenti. Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit e njohu Kryeministrin Topolanek me disa prej zhvillimeve kryesore në vend, duke u ndalur në reformat kryesore të ndërmarra nga qeveria dhe Kuvendi. Nga ana e tij, Kryeministri çek vlerësoi përpjekjet e Parlamentit të Shqipërisë për realizimin e reformave dhe për rezultatet e arritura. Ai tha se prioritet i qeverisë së tij është dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor, ku në këtë pikë veçoi mbështetjën që Çekia do të vazhdojë të japë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke ofruar të gjithë përvojën e kaluar tashmë nga vendi i tij. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen e thellë edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen që Çekia i ka dhënë Shqipërisë, në proceset integruese veçanërisht në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. “Më tej, bashkëbiseduesit diskutuan rreth nxitjes së bashkëpunimit edhe në fusha të tjera veç asaj politike dhe ekonomike, siç është ajo e riaktivizimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Kryetarja Topalli, shprehu kënaqësinë e rritjes së shkëmbimit të vizitave mes dy vendeve dhe vizita e pritshme e Kryetarit të Senatit Çek në Shqipëri, u shpreh ajo, do të jetë një nxitje më shumë në thellimin e bashkëpunimit.
Topi: E rëndësishme mbështetja e Çekisë për proceset integruese të Shqipërisë/Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministri çek, Mirek Topolanek, gjatë takimit të djeshëm theksuan rëndësinë e vijimësisë së mbështetjes së Çekisë në proceset integruese të Shqipërisë, përmes shkëmbimit të përvojave dhe intensifikimit të kontakteve në të gjitha nivelet. Duke informuar mbi disa prej zhvillimeve kryesore në vend, Presidenti Topi u ndal në reformat kryesore të ndërmarra, si dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit. “Një vlerësim i këtyre arritjeve, ishte edhe marrja nga Shqipëria e ftesës për anëtarësimin në NATO, një ngjarje historike, e cila do të thotë për ne më shumë përgjegjësi dhe angazhime serioze në të ardhmen”, tha Presidenti Topi.
Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit vlerësoi mbështetjen e Çekisë për integrimin e Shqipërisë në NATO, si dhe shprehu dëshirën për ratifikimin sa më të shpejtë të MSA-së nga Parlamenti çek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›