E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e qeveria prapë agresion ndaj gjyqësorit

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se iniciativa e kryetares së Gjykatës së Lartë për të mbledhur në mënyrë "vetadministruese" dhe pa ligj Konferencën Gjyqësore Kombëtare, ka si prapavijë epshin e kahershëm të pushtetit berishist për kapjen e gjyqësorit. Deklaratat e Jozefina Topallit fillimisht, ajo e ministrit të Drejtësisë Nishani, si dhe më në fund tezat e Ilir Rusmajlit, që zotëron mjeshtërinë e ambalazhimit me "kushtetutshmëri" të kësaj strategjie antikushtetuese, nuk lënë më vend për dyshime. Mbështetja politike që mori gjykatësja Beçaj e provon se Kryeministri Sali Berisha, i është përveshur përsëri zanatit të vjetër prej Tunxhasllani, për të gërryer llagëmin që do ta çonte në kapjen përfundimtare të kalasë së pushtetit gjyqësor. Këtë herë, ai dëshiron të mos përdorë tiraninë e shumicës parlamentare, por vetë gjykatësit për kapjen e gjyqësorit. Dhe shihet qartë se ky i fundit është një nga objektivat kryesorë më të ethshëm politikë të tij, për të mbyllur përfundimisht skandalin e përgjakshëm të Gërdecit dhe atë rrënues të Rrëshen-Kalimashit që po shndërrohet në s‘Kalimash. Por këtë herë ka edhe një dallim. Berisha me kompani dhe PD nuk janë më vetëm në qeveri. Sulmi i tij mbi pushtetin gjyqësor bëhet automatikisht edhe përgjegjësi i zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe e LSI, një partie të majtë që hyri në qeveri me të, sikundër u tha, për të mos e lënë vendin pa qeverisje. Por a do të thotë kjo që LSI duhet të tolerojë në emër të qeverisjes autoritarizmin e njohur dhe lirivrasës të Berishës? Është koha që Meta dhe LSI të prononcohen kundër kësaj strategjie antiliri ose ndryshe, do të marrin mbi vete damkën e bashkërealizuesve të saj. Gjë që do të ishte krejtësisht në kundërshtim të hapur jo vetëm me qëllimet dhe premtimet e shpallura publikisht të kësaj partie, por edhe me aspiratat e shumicës së elektoratit në Shqipëri.

***
Më shumë se të merresh me deklaratat e pagdhendura të folëses së Kuvendit Topalli, është më në dobi të publikut të denoncosh atë sofizëm "argumentesh të holla", që gjarpërojnë në një intervistë që juristi Rusmajli dha në favor të vetërregullimit pa ligj të Konferencës Gjyqësore Kombëtare (KGJK). Dhe cili është "shqetësimi" i parë i tij për sa po ndodh dhe debatohet? Sepse po u shkelkërka parimi i Kushtetutës që balanca "midis gjyqësorit dhe politikës, brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), duhet medoemos që të anojë nga përfaqësuesit e gjyqësorit". Po a është vërtet kështu? Aritmetika e thjeshtë e hedh poshtë një pretendim të tillë. Sepse nga 15 anëtarë që duhet të ketë KLD, kanë mbetur 13 për shkak se dy janë larguar në detyra të tjera. Nga të mbeturit, 13 janë përfaqësues të politikës dhe 8 të gjyqësorit. Por prej këtyre tetë fundit, është e vërtetë se ju ka përfunduar mandati dy anëtarëve. Megjithatë sipas ligjit për KLD, të cilin Rusmajli "harron" ta përmendë, ata mund të qëndrojnë në atë post deri sa të zgjidhen pasardhësit e tyre. Por edhe sikur të mos i llogarisim edhe këta të dy anëtarë, përsëri balanca, që e "shqetëson" aq shumë Rusmajlin, mbetet 6 me 5 në favor të përfaqësuesve të gjyqësorit. Ku është këtu shkelja e parimit të Kushtetutës? Askund por vetëm në kokën e Rusmajlit. Dhe çka e shqetëson vërtet Rusmajlin, Berishën, Topallin e Ko, nuk është animi i balancës në KLD nga politika, por mosanimi i balancës nga përfaqësuesit e PD. Duhet të ishe naiv që pas 20 vjetësh përvojash të tilla me Berishën dhe berishianët, të mos kuptoje se nëse shumica e të mbeturve në KLD do t‘i përkisnin PD, asnjë "rusmajl" apo "topall" nuk do të jepte ndonjë alarm për ç‘balancim antikushtetues. Sugjerimi tjetër i Rusmajlit që KGJK t‘i kthehet vetadministrimit, sikundër bënte dikur kur s‘kishte ligj, është krejtësisht i padenjë për një jurist. Është njësoj si të propozosh që për shkak të krizave dhe mosfunksionimit të ligjit, shteti për të zgjidhur krizën, t‘i kthehet gjendjes natyrore pra, asaj faze paraligjore kur gjithçka rrotullohej pa ligj. Rrallë mund të gjesh në botën e shtetit ligjor një jurist që të preferojë si opsion më të mirë, më "kushtetues", zgjidhjen pa ligj të një krize, në emër të gjoja lirisë. Rrallë mund të gjesh juristë të tillë që e perceptojnë ligjin kundër lirisë dhe jo në funksion të lirisë! Dhe është e vështirë të mos ironizosh kur dëgjon këtë "murator" që prej vitesh suvaton me llaç "kushtetues" gjithë ngrehinat e projekteve berishiane për uzurpimin e drejtësisë, të japë alarmin për "uzurpimin" e pushtetit të drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Është shumë e qartë se uzurpatori po thërret kapeni uzurpatorin!

***
Por Rusmajli që shfaqet sot kaq i djegur për respektimin e Kushtetutës, nuk ka folur fare në 2005 kur shumica e PD votoi ligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare me shumicë të thjeshtë dhe jo të cilësuar sikundër e kërkon edhe Kushtetuta. Rusmajli ndoshta edhe e ka votuar personalisht atë ligj që u hodh poshtë më vonë nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues. Rusmajli ka pra përgjegjësinë e shkeljes së Kushtetutës në miratimin e një ligji që sot është shpallur antikushtetues. Pra, ka përgjegjësi në mbetjen e vendit pa një ligj për KGJK. Dhe kjo është rrënja e vërtetë e "krizës" së sotme të gjyqësorit dhe jo bojkoti i opozitës. Sepse sikur Rusmajli e Ko t‘i kish bërë gjërat sipas Kushtetutës që në 2005, sot nuk do kishte asnjë nevojë që po Rusmajli të jepte alarmin për shkeljen e Kushtetutës. Por ka edhe më. Projektligji i ri për KGJK është hartuar që në fillim të këtij viti. Përse nuk u kalua me shpejtësi para zgjedhjeve? Mos vallë është rastësi? Edhe kjo plogështi gjen shpjegim vetëm me epshe të fshehta për kapjen e KLD dhe gjyqësorit. Duket se shumica berishiste dhe Ministria e saj e Drejtësisë, nuk kishin shumë vullnet politik për të miratuar një ligj që ishte hartuar në bashkëpunim me ekspertë perëndimorë, në konsultë me komunitetin e gjykatësve dhe që pra, nuk jepte dorë (sikundër ligji i vjetër i miratuar me shumicë të thjeshtë), për të emëruar në KLD dhe në nivele të ndryshme të gjyqësorit, mbështetës të PD dhe Berishës. Zvarritja disamujore e miratimit të ligjit të ri për KGJK, është një tjetër fazë e skenarit që po zhvillohet sot për mbledhjen e "KGJK" dhe zgjedhjen nga ky grumbullim i paligjshëm, të 4 anëtarëve të rinj të KLD. Është një improvizim i zakonshëm i Berishës dhe i juristëve pehlivanë të tipit Rusmajli, që përpiqen të nxjerrin nga bojkoti i opozitës disa përfitime politike: edhe për kapjen e KLD dhe gjyqësorit edhe për akuzimin e opozitës dhe bojkotit të saj. Aq më tepër kur KLD ka vendosur riorganizimin e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit dhe kur është pikërisht KLD që vendos emërimet në këto gjykata. Berishës i duhet shumica në KLD, sepse kërkon të ketë gjykatësit e tij në nivele të ndryshme për të mbyllur skandalet korruptive për të cilat qeveria, bashkëpunëtorët deri edhe familjarë të tij janë akuzuar apo të dyshuar në publik. Berishës i duhet të sundojë KLD me çdo kusht. Prandaj nuk është rastësi që kanë dalë në sinkron me kryetaren e Gjykatës së Lartë edhe zëra nga kampi berishist për mbledhjen pa ligj të KGJK. Por Berisha është një autoritarist vizionar që nuk punon vetëm për sot, por edhe për nesër. Atij i duhet shumica në KLD për të mbushur Gjykatat e Apelit të Tiranës dhe rretheve me shumicë nga gjykatës të përdorshëm prej tij. Por përse? Edhe sepse janë këto gjykata që zgjedhin Kolegjin Zgjedhor, pikërisht atë Kolegj që në mënyrë krejt flagrante shpalli si të ligjshëm vendimin e padrejtë të KQZ dhe nuk lejoi hapjen e kutive të votimit në disa zona sipas kërkesës së ligjshme të dy anëtarëve të KQZ. Kjo padrejtësi e vulosur me vendim të Kolegjit Zgjedhor, është edhe një tjetër premisë e krizës së sotme e lindur nga padrejtësitë që gjenerojnë skenarët autoritaristë të Berishës. Ky i fundit është sot në pushtet pikërisht në sajë të shumicës në KQZ dhe kapjes së Kolegjit Zgjedhor. Është në pushtet në sajë të padrejtësisë dhe jo të drejtësisë. Prandaj e lakmon përsëri kapjen e Kolegjit Zgjedhor që në zgjedhjet e nesërme të bëjë të njëjtin manipulim, të njëjtën padrejtësi të maskuar me vendim Kolegji, të maskuar me "drejtësi". Dhe që pasi ta ketë kapur Kolegjin dhe të ketë përdhunuar me anë të tij ligjin dhe drejtësinë, të dalë dhe të deklarojë botërisht: nuk mund të dal dot mbi gjykatat! Siç po bën edhe sot. Prandaj skenari për vetërregullim "në liri dhe pa ligj" të gjyqësorit që po shpaloset nën avokatinë e ca gjykatësve por edhe të Topallit, Nishanit apo edhe sofizmit "kushtetues" të Rusmajlit, përbën sot një nga agresionet më të rrezikshme berishiane kundër lirisë së pushtetit gjyqësor. Dhe çuditërisht, në një kohë kur raporti i progresit i KE-së sapo ka kritikuar presionet mbi gjyqësorin dhe kur të gjithë ndërkombëtarët po theksojnë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka pushteti i pavarur gjyqësor për integrimin e Shqipërisë në Europë. Nëse ky skenar triumfon, në Shqipëri nuk do të ketë më drejtësi pra, as edhe liri dhe integrim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›