E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri, një barazim me dy fytyra

Edhe pse rezultati nuk duhej të ishte objektivi më i rëndësishëm, Shqipëria shfaq dy fytyra në miqësoren e Talinit ndaj Estonisë modeste, ku tregon supremacinë e saj me një dominim thuajse total të lojës në pjesën e parë dhe një skuadër e tërhequr dhe e frikësuar në të dytën. Gjithsesi, njeriu i kënaqur i kësaj ndeshjeje ka qenë trajneri Josip Kuzhe, i cili pati shansin të kolaudonte skuadrën në kërkim të një ekuilibri për të ardhmen në pritje të fazës eliminatore të Euro 2012. Në një temperaturë të ulët, vetë 2 gradë Celsius, dhe tifozëve të pakët në stadium, Kuzhe ka preferuar të zbresë një ekip të vendosur 4-1-4-1 me Salihin sulmues të vetëm. Por karakteristikat ofensive të Hykës dhe Bakajt tregonin se trajneri kroat kishte ideuar një lojë shumë sulmuese. Dhe këtë e ka treguar që në fillim. Për 45 minutat e para takimi "ka folur" për Shqipërinë, e cila jo vetëm ka administruar lojën, por dhe ka bërë qarkullimin e topit. Kuqezinjtë tregojnë lëvizshmëri edhe në lojën pa top, duke demonstruar edhe freski fizike. Kundërshtari dukej shumë i plogësht dhe e kishte të vështirë ta përballonte teknikën e mesfushës shqiptare, vuajtën edhe presingun e vazhdueshëm. Loja e tanëve ishte e rrjedhshme, me pasa të shkurtra dhe dilte me lehtësi në zonën kundërshtare. Kështu, Bakaj, Hyka, G.Lika dhe Skela përbëjnë rrezik të përhershëm për mbrojtjen vendase. Nuk kanë munguar as rastet për shënim: provuan disa herë Salihi me kokë, Bakaj me rofishatë dhe Hyka me predhën e tij që përfundoi mbi traversë. Ndërsa Hidi mes dy shtyllave, thuajse nuk u impenjua fare në këtë pjesë të lojës. Pjesa e parë mbyllet 0-0, me gjithë dëshirën dhe këmbënguljen e madhe të Shqipërisë, por mungoi konkludimi i saktë. Pjesa e dytë ka qenë paksa e ndryshme. Vendasit hyjnë me më shumë besim në fushë dhe shtyjnë më përpara, ndërsa tanët, pas disa minutave të mira në fillim, duken më të ndrojtur. E qarkullojnë sërish topin, por këtë herë janë më larg portës dhe në disa raste duken të frikësuar dhe të tërhequr. Të pakta janë forcat në manovrat sulmuese dhe i kushtojnë më shumë rëndësi mbrojtjes. Rrjedhimisht rastet tona janë më të pakta. As kundërshtari nuk bën ndonjë gjë të madhe, por këtë herë ka më shumë besim te kundërsulmi dhe çuditërisht është i aftë të krijojë panik në disa raste në zonën tonë. Por mbrojtja kuqezi në këtë ndeshje nuk shfaq ato gabimet e sfidave të kaluara. Në minutën e 84-t, përmes një goditjeje dënimi, Estonia i shkon fare pranë golit, por për fat topi tronditi vetëm shtyllën e majtë të Hidit. Filozofia e Kuzhesë bëhet e qartë: ruajtja e një pjese të grupit të titullarëve, ndërsa mendon të eksperimentojë me disa të rinj që kanë brumë. Ndërrimet e tij vijnë me vonesë dhe bëhen mes të rinjve: Bakaj i lë vendin Vilës, Lika del për Muzakën. Boshti mbetet i pandryshueshëm: Skela, Duro, Cana, Dallku e Agolli mbajnë minutat e plota të lojës, çka të bën të mendosh se Shqipëria e eliminatorëve të Euro 2010 do të sillet rreth tyre. Përfundimisht, një barazim që ka vlerat e moshumbjes në transfertë, ku Shqipëria çalon gjithmonë, ndërsa kënaqet me testimin e disa të rinjve. Megjithëse me pak më shumë guxim mund ta festonin një fitore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›