Berisha feston ditëlindjen në vendin e shenjtë: Krenar që jam këtu në ballkonin e Skënderbeut
Njeriu, të cilit në regjistrin e listës së votuesve ditëlindja i del më 1 korrik, por që feston atë me 15 tetor, ishte sot në vendin e shenjtë të Sarisalltikut në Krujë për të festuar 67 vjetorin.
Së pari, shpreh sot gëzimin e madh, kënaqësinë time që inaugurojmë këtë rrugë, në majën, e cila sjell këtu, në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës, në vendin e shenjtë të Sarisalltikut , ndaj dhe le tu dërgojmë ne, një përshëndetje vëllazërore të gjithë shqiptarëve nga ballkoni i Skënderbeut, ti garantoj se në vitet në vazhdim, kjo qeveri do të bëjë gjithçka që ti shndërrojë malet në zonat turistike më tërheqëse të vendit, që malet e ketij vendi, nga vende mundimi dhe skamje të shndërrohen në vende dëfrimi dhe mëkëmbje, të bëhen të njohura dhe në mbarë botën. Kam shumë kënaqësi që kjo rrugë inaugurohet dhe i sjell qytetarët e Krujës , i sjell qytetarët e mbarë Shqipërisë në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, shenjtorit që e nisi shekuj më parë Haxhi Bektash Valiu dhe erdhi të prehet këtu, në majën e malit të Krujës, u shndërrua në orën e qytetit, ndihmoi Skënderbeun në të gjitha betejat që fitoi dhe mbeti këtu i nderuar dhe i pavdekshëm, tha Berisha, që shijoi një tortë më logon e PD në këtë majë të lartë.
Zoti Kryetar, ju falenderoj shumë për urimin që më bëtë dhe më duhet tu rrëfëj këtu, të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës, se pasioni im për majat daton në fëmininë time të hershme. Për ata që rriten në Alpe, ngjitja në majë është heroizmi i tyre i parë fëminor, mirëpo mua pasioni për majat nuk mu shua kurrë, ndaj dhe kam kënaqësinë më të madhe që sot festoj ditëlindjen time, në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës, tha Berisha.