E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha firmos planin urbanistik të Tiranës: Ne flasim me vepra. Rama: Do anulohet

TIRANE - Kryeministri Berisha publikoi në rrjetin social “Facebook” një fotografi në të cilën shfaqet duke firmosur Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Duke e cilësuar këtë plan si Kushtetutën e rregullimit të territorit të kryeqytetit, Berisha thekson se Partia Demokratike flet me vepra.

Kryeministri hodhi akuza në drejtim të ish-kryetarit të Bashkisë Edi Rama, për mosrealizimin e planit rregullues, pasi siç tha ai “i pëlqente betonizimi dhe 20%-shi”

“Të dashur miq! Sot, pas të gjitha diskutimeve, por dhe ndryshimeve të rëndësishme ligjore, unë sot firmosa Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Territorit të kryeqytetit të vendit, apo Kushtetutën e rregullimit të territorit të Tiranës. Ky është Plani i Tiranës së këtij shekulli, që miratohet pasi janë përfunduar projektet dhe garantuar fondet për ndërtimin e bulevardit te ri, deri në Paskuqan, si vazhdim i bulevardit Zogu i Parë dhe krijimit të një zone rekreative në zonën e lumit të Tiranës. Kushtetuta e re e territorit të Tiranës funksionon mbi bazën e ligjeve që shkurtojnë kohën e lejeve të ndërtimit prej 399 ditësh, e treta më e gjatë dhe më e korruptuar në botë, standard i zotit Rama, në 45 ditë, standard i zotit Basha dhe Partisë Demokratike. Plani i Ri u premtua 11 vjet më parë, nga ish-kryetari Rama, por nuk e beri asnjëherë sepse i pëlqente betonizimi dhe 20%-shi i tij. Ne jemi ndryshimi. Ne jemi zhvillimi. Përpara!!!”- shkruan kryeministri në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Ndërkohë, kryetari i PS-së, Edi Rama e cilësoi planin e firmosur nga kryeministri si një plan dritëshkurtër dhe korruptiv, që do të anulohet nga qeveria socialiste.

Pas njoftimit të kryeministrit në “Facebook”, Rama shkruan në “Twitter”: “KM lajmëron me tam-tame firmosjen e planit më dritëshkurtër e korruptiv urbanistik që ai e quan Kushtetuta e Tiranës! Anulohet në 23 qershor”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›