Berisha fiton bastin, gazsjellësi TAP shpallet fitues – gati realizimi i projektit me 2 miliard euro investime dhe 20 mijë vende të reja pune

Vendimi bëhet publik të premten - skualifikohet Nabucco, refuzohet nga Konsorciumi Shah Deniz
Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) është përzgjedhur si projekti fitues për të sjellë gazin nga Azerbajxhani në Europë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia franceze e lajmeve, AFP, që i referohet njoftimit për shtyp të kompanisë austriake, OVM, një nga investitorët e këtij projekti. “Konsorciumi Shah Deniz II informoi OVM për vendimin lidhur me mënyrën e preferuar të transportimit të gazit në Europë. Programi Nabucco nuk u përzgjodh nga konsorciumi”, thuhet në njoftimin e grupit energjetik austriak. “OMV e pranon vendimin e konsorciumit, por ne besojmë se oferta që u bë nga NGPI (konsorciumi për projektin Nabucco), i përmbushte të gjitha kriteret për t’u përzgjedhur dhe ishte kompetitiv”, nënvizohet në reagimin e OVM Nabucco do të lidhte Turqinë me Austrinë, duke kaluar nëpër Bullgari, Rumani dhe Hungari. Konsorciumi Shah Deniz II, ku marrin pjesë kompania azere Socar, britanikja BP, norvegjezja Statoil dhe francezja Total, ka deklaruar e do të komunikojë në fund të muajit qershor vendimin mbi gazsjellësin që do të transportojë në Europë gazin natyror nga burimet e detit Kaspik. Projekti rival i Nabucco-s është Trans Adriatic Pipeline – TAP, i cili do të fillojë në kufirin greko-turk dhe pasi të kalojë nëpër Shqipëri, do të përfundojë në Itali. Lajmin për projektin fitues të TAP e konfirmojnë edhe mediat greke, të cilat njoftojnë se vendimi i është i është komunikuar kryeministrit grek, Antonis Samaras gjatë takimit që ai pati gjatë paradites me përfaqësues të konsorciumit të Shah Denizit. Kreu i qeverisë greke u njoh me vendimin nga numri dy i kompanisë shtetërore të energjisë së Azerbajxhanit, Elshad Nasirof dhe zv/presidenti i kompanisë British Petrolium. Në Athinë ndodhet edhe drejtori i projektit TAP, Kjetil Tungland, për të nënshkruan në hotelin Grand Bretania marrëveshjen mes Greqisë dhe kompanisë TAP. Mediat greke raportojnë se vendimi për TAP është përfundimtar dhe do të publikohet zyrtarisht të premten nga vetë konsorciumi i Shah Denizit. Ky vendim do t’u komunikohet edhe qeverive të Shqipërisë e Italisë, ndërsa njoftimet zyrtare janë lënë për në 28 Qershor. Qeveritë e tri vendeve e kishin shprehur që më parë optimizmin për shpalljen fitues të projektit TAP kundrejt rivalit të tij Nabuko Uest. Përgjigje negative kanë marrë qeveritë e Sofies, Bukureshtit, Budapestit dhe Vienës, të cilat ishin të interesuara për projektin tjetër në garë. Lajmi ishte bërë publik të dielën nga disa agjenci rumune lajmesh, ndërsa një ditë më parë agjencia Neë Europe me seli në Bruksel publikoi ekskluzivisht lajmin për shpalljen e fitues të projektit TAP. Pak ditë më parë edhe kreu i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso tha gjatë takimit me presidentin Aliev në Bruksel se përzgjedhja e projektit do të bëhej bazuar mbi efiçencën dhe kostot e tregut, duke lënë të nënkuptohet se më i avantazhuar ishte gazsjellësi TAP. Ndërtimi i tij pritet të nisë vitin e ardhshëm dhe të përfundojë në vitin 2018. TAP luan një rol vendimtar në garantimin e diversifikimit afatgjatë dhe sigurimit të furnizimit me energji të Evropës. Ky gazsjellës i propozuar do të lidhë Evropën perëndimore dhe juglindore me burimet e reja të bollshme të gazit në pellgun e Kaspikut dhe më tej. Ai do të krijojë mundësi të reja në Korridorin Jugor të Gazit dhe në Evropë dhe do të jetë thelbësor në përmbushjen e kërkesave për energji gjithnjë në rritje të rajonit me një kosto efektive dhe në mënyrë të qëndrueshme.
Kryeministri Berisha: Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit për ne
Kryeministri Sali Berisha, ka uruar në profilin e tij në “Facebook”, përzgjedhjen e projektit të gazsjellësit TAP, si projekt fitues që do të transportojë gazin nga Kaspiku. “Të dashur miq, projekti i gazsjellësit TAP u përzgjodh. Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit për ne!”- shkruan kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të këtij projekti gjigant si për nga kapaciteti ashtu edhe nga aspekti ekonomik dhe financiar. Gazsjellësi Trans Adriatik/TAP-i do të nisë në Greqi, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe nëpër Detin Adriatik dhe do të përfundojë në brigjet e Italisë jugore. Kjo do të jetë rruga më e drejtpërdrejtë dhe me kosto më efektive që lidh fushën e Shah Deniz në Azerbajxhan me tregjet evropiane, duke u lidhur me rrjetet ekzistuese, të cilat do të përmirësohen. Gazsjellësi do të ketë një kapacitet transporti prej 10 mmk gaz të ri në vit drejt Evropës, duke filluar që nga viti 2017 dhe do të ketë mundësi që ta rrisë kapacitetin deri në 20 mmk sipas nevojës.
Aksionerët e TAP
Aksionarët e TAP-it janë drejtues botërorë në fushën inxhinierike, pasi kanë ndërtuar mbi 20 000 km gazsjellës në tokë dhe në det të hapur nëpër të gjithë botën. Aksionarët e TAP-it, EGL, Statoil dhe E.ON Ruhrgas – janë disa nga kompanitë më me eksperiencë në botë në sektorin e gazit natyror – të cilat kanë një kapitalizim të përbashkët të tregut mbi një qind miliardë euro.
...