Arvizu: Konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në BE

Ambasadori amerikan, takon kreu e LSI, Ilir Meta dhe atë të PS, Edi Rama pas përfundimit të procesit të numërimit të votave
Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu është takuar rreth orës 11 me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit. Pas takimit që zgjati rreth 45 minuta ambasadori Arvizu deklaroi për mediat se ky ishte një takim konstruktiv për një tranzicion të rregullt dhe vijimin e partneritetit me SHBA-në. “Zhvilluam një takim konstruktiv, biseduam për dy gjëra të rëndësishme, për një tranzicion të butë dhe të rregullt dhe vijimin e partneritetit me SHBA-në. Ndërsa kjo vizitë tregon se SHBA është partnere e Shqipërisë, sepse SHBA ka treguar gjithnjë, që është një mbështetëse”.
Pas takimit me Ramën, Arvizu eshtë takuar rreth orës12:00 me kreun e LSI-së Ilir Meta.
Ambasadori Arvizu takoi edhe kreun e LSI-së, Ilir Meta. Pas përfundimit të takimit ambasadori amerikan dhe kreu i LSI-së dolë në një deklaratë të përbashkët për mediat. Arvizu u shpreh se i ka konfirmuar kreut të LSI-së të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. “Arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, pritet një tranzicion i qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”, u shpreh Arvizu.
Nga ana e tij Meta është shprehur se do të përmbushë të gjitha detyrimet në respekt të kodit dhe të ligjit dhe për të vazhduar marrëdhëniet shumë të mira dhe të fuqishme me SHBA-në dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në me prioritetet që ne kemi për vendin tonë por edhe për SHBA-në sidomos në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve. Për të krijuar një konsensus sa më të gjerë të përmbushjes së reformave që do të përshpejtojnë integrimin europian të Shqipërisë dhe do të adresojnë problemet e qytetarëve tanë. Ne do ta bëjnë SHBA-në edhe më krenare për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në BE”- theksoi Meta.
Takimi me dy liderët e së majtës zhvillohet vetëm një ditë pasi në të gjithë vendin përfundoi procesi i numërimit të votave ku e majta fitoi bindshëm në zgjedhjet e 23 qershorit.