Berisha fiton i vetëm garën në PD, por demokratët “braktisin” votimin në disa qytete

“Referendumi” i Sali Berisha/ Pjesëmarrje e ulët në disa degë të PD, në Pustec votuan vetëm 15 anëtarë
Procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfunduar në të 87 qendrat e votimit në vend, ku në garë ishte i vetëm Sali Berisha. Ndërsa numërimi vijon në disa degë, rezultatet e para tregojnë mbështetje të gjerë për Berishën, por edhe pjesëmarrje të ulët në disa zona.
Në Lushnje, 550 anëtarë kanë votuar pro Berishës dhe 26 kundër. Gjithashtu janë regjistruar 10 abstenime dhe 6 vota të pavlefshme.
Në Maliq, Berisha ka marrë 724 vota pro, ndërsa 7 votues kanë dalë kundër dhe 4 fletë janë shpallur të pavlefshme.
Pjesëmarrja më e dobët është regjistruar në Pustec, ku nga 66 anëtarë aktivë, vetëm 15 morën pjesë në votim. Prej tyre, 13 votuan pro Berishës, një abstenoi dhe një votë rezultoi e pavlefshme.
Edhe në Këlcyrë dhe Përmet pjesëmarrja ka qenë më e ulët krahasuar me numrin total të anëtarëve. Në Këlcyrë, 205 vota kanë qenë pro dhe 16 kundër, ndërsa në Përmet morën pjesë vetëm 228 nga 400 anëtarë.
Rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes pati edhe në degën nr. 8 në Tiranë. Nga 1741 anëtarë me të drejtë vote, vetëm 669 u paraqitën në qendrat e votimit. Nga votat e vlefshme, 607 ishin pro Berishës, 31 kundër dhe 16 abstenim.