E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha flet në samitin e PPE për opozitën: Nuk pranon humbjen, Rama nuk dorëhiqet

Share

-Samiti kishte në qendër krizën ekonomike, por Berisha tha se nuk e ka atë problem, por ka problem… opozitën

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në Samitin e Partive Popullore Europiane, me theksin kryesor tek opozita e vendit. Edhe pse samiti ka pasur në qendër situatën ekonomike në Europë, Berisha ka folur fillimisht se si po shkëlqen ekonomia shqiptare, e më pas ka sulmuar opozitën. Berisha tha se Shqipëria 1 miliard investime të huaja në një vit, 3.5 milion turistë, rritje të qartë kristal të jetëgjatësisë, 7 miliard dollarë më shumë të ardhura nga doganat, etj. Pasi i ka lënë me gojë hapur të djathtët e Europës, Berisha ka qarë hallin e tij të vërtetë: opozitën.

Ne kemi vuajtur nga zgjedhjet, por zgjedhjet e vitit 2009 u kualifikuan si zgjedhjet që kanë përmbushur shumicën e standardeve të OSBE, si zgjedhje ku nuk ka pasur dëshmi për manipulime ose numërim të parregullt. Zgjedhjet e vitit 2011 u konsideruan si konkurruese dhe të drejta, ndonëse me disa probleme teknike, tha Berisha.

Por më lejoni të theksoj një moment. Gjithë jetën time politike, si një njeri i lirë, kam besuar se Evropa përbëhej kryesisht nga e djathta qendrore, por alternativa, ishte gjithashtu jetësore për sigurinë e demokracisë në këtë kontinent. Kështu, mendoja se socialistët evropianë, për aq kohë sa respektojnë shtetin ligjor, janë për të mbrojtur votën. Pas vitit 2009, të dashur miq, lideri i opozitës socialiste, mbajti qëndrimin që nuk i njihte zgjedhjet. Në të njëjtën kohë, ai mblodhi Kongresin, ndryshoi statutin, në të cilin shkruhej: nëse lideri humbet zgjedhjet, ai duhet të jap dorëheqjen; dhe vendosi një nen: kur lideri humbet zgjedhjet, kur partia humbet zgjedhjet, lideri nuk duhet të japë dorëheqjen. Ky ishte problemi i tij, jo i imi. Filluam dialogun në Parlamentin Evropian me të dyja grupet, me besimin tim të thellë, që pavarësisht spektrit, vota e lirë është e njëjtë për të gjithë.  Fatkeqësisht, duhet tju them që ky nuk ishte rasti i disa socialistëve atje. I jam mirënjohës Joseph Daul, që në një moment kyç u ngrit dhe tregoi të vërtetën se çfarë ndodhi, vijoi më tej kryeministri.

Berisha tha se opozita e mori një mësim nga zgjedhësit edhe në zgjedhjet lokale. Projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt madhor për vendin tim. Opozita, pasi humbi zgjedhjet lokale, me një humbje shumë të gjerë, pranoi ekzaktësisht atë çfarë unë u kisha ofruar përgjatë dy viteve. Por, përgjatë dy viteve statusi u bllokua, sepse ata kurrë nuk pranuan të votonin asnjë reformë të BE në parlament. Ata nuk pranuan të votojnë në parlament. Megjithatë, tani falë zgjedhësve shqiptarë, jeta i është kthyer normalitetit, mësimet u nxorën dhe ju siguroj se ne mbetemi të angazhuar dhe do të qëndrojmë me principet që ndajmë së bashku, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›