E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, flet për ''heroizëm'' në Facebook

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pak ditë më parë ka filluar përdorimin e rrjeteve sociale, duke hapur llogari në Facebook.

Mbrëmë ai ka postuar një foto, që e kishte bërë gjatë një rrugëtimi prej dy orësh në malin e Dajtit, përjetim ky që i ka kujtuar fëmijërinë, kur i është dashur që të ecë orë të tëra për të shkuar në shkollë.   “Sot në mëngjes eca për herë të parë këtë vit, dy orë në dëborë. Gjatë ecjes, si një vegim i largët i "heroizmit fëmijnor", më erdhi në mendje udhëtimi i perditshëm në dimrat e viteve, nga klasa e parë në të shtatën, në të cilët nga mesi i nëntorit gjeri në mesin e prillit, unë me bashkëmoshatarët e mi udhëtonim në dëborë vajtje - ardhje për në shkollë, rreth tre orë çdo ditë të javës.    Udhëtimi ishte i lodhshëm e shpesh në klasë arrinim "të ngrirë" nga këmbët dhe duart. Klasën e gjenim gjithnjë të ngrohtë e mësuesi na lejonte të ngrohnim duart tek soba para se të uleshim në banka. Përpjekjet tona për të bindur prindërit tanë, që të mos shkonim në shkollë për shkak të dëborës që kishte rënë gjatë natës, ishin në tërësi pa sukses .    Ndonjëherë kur dëbora ishte e konsiderueshme përdornim rrathët (rreth druri me nje rrjetë spangoje që lidhej nën këpucë në menyrë që këmba të mos futej thellë në dëborë). Rrathët e vështirësonin ecjen, por të mbanin pa u zhytur thellë në dëborë. Në ditë të veçanta, kur trashësia e dëborës ishte e madhe, një i rritur do të na shoqeronte me lopata druri me vete, për të hapur rrugën. Prindërit nuk na lejonin të merrnim shkrepse me vete, nga frika se mos hutoheshim duke ndezur zjarre për t’u ngrohur rrugës dhe nuk do të shkonim në shtëpi. Ne rastet kur moti përkeqesohej gjatë ditës, një i rritur do vinte të na merrte në shkollë, ose ndodhte që të kalonim natën në familjet e shokëve tanë. Ky udhëtim i përditshëm në dëborë per ne ishte i mundimshëm dhe jo romantik, por pa mëdyshje kalitës dhe mua më lidhi shumë me dëborën, e cila përveç bardhësisë ka dhe shume të mira të tjera,'' ka shkruar kryeministri shqiptar. /Indeksonline/  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›