E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha gati të ulet në bisedime me Ramën

07/05/2010 Zëvendëskryeministri Ilir Meta bën thirrje për dialog mes palëve

“Dialogu është i vetmi mjet që përmbyll këtë sakrificë”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta shpreh bindjen se kapërcimi i ngërçit të thellë politik mes mazhorancës dhe opozitës mund të kapërcehet përmes dialogut. Në analizën që u bën zhvillimeve të fundit, duke u nisur nga protesta e deri te greva e urisë e deputetëve opozitarë, Meta thekson se bisedimet mes aktorëve më të rëndësishëm të të dyja palëve, të përfshira tashmë në këtë konflikt, do të sjellin paqen. “Dua të theksoj fort se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat që përmes dialogut, dialogut dhe vetëm dialogut të ecet me besim drejt daljes nga kjo situatë dhe njëkohësisht të gjitha pretendimet e tyre lidhur me hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 28 qershorit të merren në konsideratë”, - ka deklaruar dje numri dy i qeverisë. Sigurisht, transparenca e zgjedhjeve dhe plotësimi i kërkesave të palës opozitare në këndvështrimin e tij duhet të bëhen vetëm e vetëm duke respektuar parimet ligjore dhe kushtetuese. Sipas Metës, paqja mes palëve mund të arrihet pas një takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama. “Jam i bindur se zoti Berisha është i hapur për t’u takuar me zotin Rama, pasi është vullneti i mazhorancës për të ecur drejt një zgjidhjeje demokratike dhe jo konfrontuese. Vullneti duhet të jetë nga të gjithë dhe e theksoj se dialogu është i vetmi mjet që përmbyll këtë sakrificë dhe çon përpara pretendimet e tyre”, - ka deklaruar zëvendëskryeministri. Meta ka përsëritur nevojën për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës në rrafshin ligjor, në mënyrë që të realizohen pretendimet e paraqitura. Në qëndrimet e fundit shefi i diplomacisë shqiptare është shprehur se të gjitha palët duhet të respektojnë Kushtetutën e vendit, pavarësinë e gjykatave dhe mesazhet e bëra publikisht nga komuniteti ndërkombëtar, me qëllim kalimin e krizës dhe më pas vijimin e reformave në funksion të proceseve integruese të vendit.

Nevoja për dialog

Për zëvendëskryeministrin Meta palët e përfshira në këtë konflikt politik nuk i kanë përdorur të gjitha mjetet politike dhe juridike për të gjetur zgjidhjen. Sipas tij, mbeten ende mundësi për të konverguar transparencën me Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë. “Unë mbështes dialogun dhe çdo takim është veçse i dobishëm. E kam theksuar edhe më parë se duhet të heqim çdo barrikadë, sepse ato nuk na afrojnë, por na largojnë nga njëri-tjetri dhe nga zgjidhja që do të sillte normalitetin demokratik”, - ka theksuar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›