E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erotizmi si rrëfim magjik dhe absurd

07/05/2010 Rreth librit “Lavirja në pentagramin tim” të shkrimtarit Valdet Avdiu

Kërkimi në poetikën narrative të së pamundurës, të ëndrrës së kulluar, që shfaqet herë si absurd e herë si transhendencë, i ka dhënë dorë shkrimtarit të ri Valdet Avdiu për të na paraqitur në librin e tij me tregime “Lavirja në pentagramin tim” një botë groteske që lëviz pambarimisht, në kahje që përfshijnë dhe përjashtojnë njëri-tjetrin në të njëjtën kohë. Botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” Prishtinë 2010, ky libër ka bërë përshtypje në qarqet letrare të Prishtinës dhe Tiranës, për sugjestionin poetik të rrëfimit, për sharmin e stilit dhe gjallërinë e narracionit. Protagonist kryesor i këtyre prozave është Uni i autorit, i cili për shkak të fuqisë përgjithësuese dhe manjetit figurativ tërheqës shndërrohet në një Un universal. Erotizmi si përmbushje dhe absurd i jep dorë autorit që të depërtojë në një botë komplekse, ku marrëdhëniet sundohen nga një pasion i çmendur, gati shungullues e shndërrues.

Në llojin e prozës së shkurtër në letërsinë shqipe, aktualisht, Valdet Avdiu dallon përqasjen e veçantë dhe prirjen në kërkim të identitetit universal.

Në vëllimin me tregime “Lavirja në pentagramin tim”, rrëfimi para së gjithash, nuk të bën përshtypje vetëm si ngjarje dhe pleksje ngjarjesh, as jo vetëm si rrjedha dhe kthesa të papritura narrative apo si drama të veçanta e “të padëgjuara” njerëzish, por për rrëfimin e trazuar nën një optikë transhendente, gati në heshtje, pa lëvizje neurotike, për shpalim të rrjedhshëm, shumë të qetë të shqetësimit të brendshëm, që, në çaste, kufizohet me ankth, për një druajtje e parandjenjë fatalizmi, herë të fshehur e të pashpallur e herë me sytë kapak prore zgjuar. Rrëfimi i këtij prozatori, parë nga ky kënd, ka parashenjën e vet të realizmit magjik.

Mbase edhe për forcë inercie, jemi të prirur që në veprat krijuese artistike të shqiptarëve të kërkojmë medoemos gjurmë dhe dëshmi përkatësie. Të kërkojmë të paktën gjurmë drejt identifikimit të hapësirës dhe kohës, të kërkojmë tipare të gjeografisë dhe të historisë, dekorin e identifikueshëm të ngjizjes së frymëzimit... Mbi këtë fokus, pastaj të bëjmë përpjekje për të hetuar shkallën e origjinalitetit, të forcës së talentit dhe vlerës tërësore të veprës. Dhe këtu mbetemi duarbosh, ngase jo në tregimet e tjera, por edhe në atë me titull “Rikthimi në fëmijëri”, shkrimtari Valdet Avdiu na lë në baltën e fëmijërisë, duke shkëmbyer ëndrrat me të dashurit e vdekur, e herë të tjera duke u gjuajtur me kokrra rrushi me fëmijët e lagjes dhe të gjitha këto të rrëfyera përplot magji, përmes vetëm ca rreshtave.

Ky subjekt lëviz në një botë sa reale, por aq edhe fantastike. Ai në këtë rrugë sa takon engjëllin, aq edhe prostitutën, herë ndeshet me realitetin e vrazhdë, herë i afrohet derës së përjetësisë. Dhe, nëse e hap atë derë, çfarë e pret pas saj? Dyshimi e përcjell në çdo hap dhe trishtohet, shtanget përpara asaj dere dhe duket sikur ai nuk do shkoj as edhe në përjetësi pa binjaken e shpirtit. “Po sikur prapa asaj dere të mos ishte Eva duke më pritur?”. Emërtimi më i shpeshtë i femrës në këto tregime është Eva. Ndërkaq, ligjërimi që i bëhet femrës këtu të kujton ligjërimin e Solomonit në Këngën e të gjitha këngëve. Edhe femra e këtyre tregimeve sikur ka dalë nga kjo këngë dhe është shtrirë e tëra në faqet e tregimeve të librit “Lavirja në pentagramin tim”. Figura të cilën e hasim jo rrallë në këto tregime, apo e lavires, e cila bëhet edhe pjesë e titullit të librit, i kalon caqet reale, të një lavireje, duke u bërë shënjuese e vetë kohës në të cilën jeton ky narrator. Ajo, në të shumtën e herëve, është më tepër koha që e shpërfytyron Unin e rrënimtarit.

Një ironi e hollë që më parë sajohet si një disponim fare diskret sesa si formulë e figurshme, i përshkon një pjesë të tregimeve. Në fakt, ironia është në funksion të mbulesës, në funksion të arsyetimit të ekstremeve, si të krahut me shenja lodhjeje e zhgënjimi dhe ikjeje humori nga kjo botë dhe ndoshta nga vetë jeta, po ashtu edhe të krahut që lidhet me etjen për të bukurën e dhimbshme, që të afron jeta, të pazakonshmen, në shoqëri, në natyrë, qoftë ajo edhe në seks. Pikërisht ky tis i hollë dhe diskret i ironisë, përherë i pranishëm, arrin të animojë, përkatësisht të vendosë në binarë të qetë të narracionit lëvizje ekstreme të imagjinatës krijuse të Valdet Avdiut. Ajo, ironia, e mban drejtpeshimin përherë midis këtyre dy krahëve ekstremë, i mban pranë e pranë, e neutralizon anulimin, i relativizon synimet, i ngjyros në shenjë të seriozitetit apo të groteskut dhe parodisë, i zhvesh nga bindshmëria apo i vesh ato me petkun e figurave etj.

Në botën dhe jetën e rrëfyer të figurave të autorit, në shumicën prej tyre, thuajse se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, gjëra të papritura, mistere dhe drama. Janë fragmente të shkëputura nga përditshmëria, thuaja e zakontë, kryesisht e njerëzve që dinë të dashurojnë… Por forca sugjestive e asaj që na rrëfen autori, duket se ka bukuri dhe fuqi magjike, çfarë lexuesi e përjeton si çast të rrallë, si çast festiv shpirtëror.

Të gjitha faqet e librit “Lavirja në pentagramin tim” lexohen të shoqëruara me ndjenjën se je dorëzuar plotësisht nën pushtetin e një rrëfimi të brendshëm, të heshtur, rrëfim që të vë përpara pa insistuar, reflekse nga jeta, nga urtia e të jetuarit, e të dashuruarit, nga filozofia e realitetit, e botës, e ekzistencë. Po si ia del autori që, në mungesën të ngjarjeve të mëdha të artikulojë rrëfimin që të mbërthen dhe të bart me vete, me kompetencën e një mjeshtërie sovrane, të shkëputur, bie fjala, vetëm nga një çast pritjeje i së dashurës, tregimi gjersa koha u mplak ose vetëm disa orëve të kaluara në përqafim?

Këtu qëndron magjia e artit të Valdet Avdiut, i cili edhe nga asgjëja na rrëfen bukur, na mban pezull e na mbush drithërimë kureshtjeje…Fjala është për dendësi mendimi dhe emocioni të ngarkuara dhe shtresuara mbi hapësirën e rrëfimit, ku shpalimi i një bote shumë të pasur dhe të nuancuar, në këtë rast, ndodh vetvetiu. Përmes përshkrimit të hapësirës që e rrethon, autori pa të “paralajmëruar”, të tërheq në sferat e padukshme të shpirtit dhe mendjes që impulsojmë dhe pluskojnë reflekse thellësisht të rëndësishme nga jeta dhe të jetuarit, sikurse në tregimin “Merimanga”, “Gjuetarët e dhembjes”…Kështu që kemi përpara një libër të një tregimtari të lindur, proza e të cilit përjetohet si rrëfim poetik, i gjetur natyrshëm dhe artikuluar me mjeshtëri artistike të dorës së parë…

Ajo që veçanërisht nxit interesim në prozën tregimtare të Valdet Avdiut ka të bëjë me disa kategori kryesore të poetikës narrative, sidomos me kohën dhe narratorin. Koha e të gjallëve dhe e të vdekurve përzihet dhe shkrihet në tregimet e Avdiut në kohën e absurdit, në thellësitë e së cilës nuk ka kahje dhe limite, nuk ka ndalesa dhe tabu, nuk moral; alkimia e gjakut dhe ndjenjave është e vetmja gjuhë që njohin protagonistët e rrëfimeve të Avdiut.

Tregimet e Valdet Avdiut shtrihen brenda disa faqeve, një apo dy faqeve dhe shpesh përmblidhen dhe artikulohen edhe vetëm brenda një fjalie si në tregimet “Magjia”, “Pritje e lagur” etj… Shkrimtari nuk ka asnjë mesazh për të na dhënë, nuk ka asnjë kumt, nuk mban anën e askujt, as të vetvetes, as të unit të tij, të cilit nuk ia kursen shpotitë e holla, ironinë dhe alegorinë, të veshura me petkun e një rrëfimi me stil të admirueshëm, me një gjuhë të përpunuar, e cila vihet plotësisht në funksion të situatave që bëhen objekt i rrëfimit.

Rrëfimi në tregimet e Avdiut ka prirjen, natyrën dhe frymën e lirizmit, sundohet nga poetika dhe nënshtresat kuptimore figurative. Autori rrëfen në vetën e parë, çfarë i jep dorë të jetë më i besueshëm dhe më i pranishëm, duke i mundësuar, nga ana tjetër, parashtrimin e një filozofie estetike të tijën, e cila përmblidhet në atë që kompleksi seksual sundon individin, shoqërinë dhe botën.

Autori i kësaj përmbledhjeje me tregime, qartësisht nuk bëhet rob i formave narrative, por duke kërkuar edhe gjen zgjidhje origjinale, e ato zgjidhje më së miri vërehen sidomos në nivel raporti rrëfim-përshkrim, ku ndërthuren, gërshetohet midis tyre sikur të ishin një e vetme në dramën emocionale të rrëfyer. Këto rezultojnë si shkrirje në një të natyrës lirike dhe asaj refleksive, duke gjetur zgjidhjet e veta, në përputhje me natyrën e vet, në përputhje me përcaktimet e brendshme dhe me individualitetin e vet krijues. Gjatë rrëfimit, autorin e udhëheq ndjenja dhe gjakimi për të rrëfyer sa më mirë, sa më lirshëm këto rrëfenjëza të mbushura lirizëm, këto proza poetike moderne të mbushura art e dashuri fjale…

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›