E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha gjobit me 8 milionë lekë News 24

Gobitet me 8 milionë lekë televizioni “News 24”, pas transmetimit të spotit të “G99”, ku ironizohen arritjet e Berishës

TIRANE - Televizioni “News 24” u gjobit dje me 8 milionë lekë të vjetra pasi transmetoi një spot të “G99”, ku ironizoheshin sukseset e qeverisë “Berisha” të transmetuara edhe këto në një spot të disa ditëve më parë. Në mbledhjen e djeshme KKRT ka vendosur që të penalizojë “News 24” me një gjobë prej 8 milionë lekësh, pasi spoti publicitar i transmetuar bie në kundërshtim me Ligjin për Radio Televizionet. Sipas letrës, spoti i transmetuar bie në kundërshtim me ligjin pasi, pika 8, e nenit 55, të këtij ligji, parashikon se nuk lejohet të transmetohen në radio dhe televizion, reklamat e partive ose shoqatave politike, përveç rasteve të parashikuara në ligjet elektorale. Spoti i përgatitur nga “G99” dhe transmetuar nga “News 24” erdhi menjëherë pasi kryeministri Berisha, në një spot tjetër që zgjat gati tre minuta dhe i transmetuar në pak televizione publike dhe private, paraqet shifrat e arritjeve të tij në krye të qeverisë së koalicionit të djathtë, ku në përpjekje për t’u paraqitur tek shqiptarët si partizan i luftës kundër korrupsionit, jep numrin e tij të celularit ku dhe mund ta kontaktonin të gjithë ata qytetarë që donin të denonconin një shkelje të ligjit. Nisur nga përmbajtja e këtij spoti, por edhe nga milionat e lekëve të harxhuara nga qeveria për ta transmetuar në një sërë televizionesh, “G99” paraqiti kryesisht në mediat vizive një spot të shkurtër, ku ironizonte pikërisht gatishmërinë e Kryeministrit për t’u vënë në shërbim të qytetarëve nëpërmjet një numri telefoni. I menjëhershëm ka qenë reagimi i vetë Televizionit “News 24”, i cili nëpërmjet faqes zyrtare të tij në internet e cilëson gjobën si politike. Sipas këtij televizioni, në spotin e “G99” nuk bëhet thirrje për të votuar pro ose kundër një subjekti elektoral. “Berisha po tenton të fusë praktikën e monopolit deri dhe në emetimin e spoteve televizive. Përveç tij, askush tjetër nuk duhet të transmetojë mesazhe publike. Në të kundërt, televizionet që i transmetojnë i gjobisin me gjoba për t’i detyruar të mbyllen për shkak të vështirësive financiare. Ky është një realitet që "News 24" e refuzon vendosmërisht. "News 24" i bën thirrje përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjnë”,- thuhet më tej në mesazhin e përcjellë nga ky televizion.

Ndërkohë për gjobën ndaj “News 24” ka reaguar kreu i “G 99”, Erjon Veliaj. Sipas Veliajt, spoti i “G99” ironizon arritjet e Berishës, të cilat janë virtuale. Ai gjithashtu shtoi se spoti që Kryeministri ka bërë me paratë e taksapaguesve për reklamimin e arritjeve të qeverisë së tij është një plagjiaturë e kopjuar nga Argjentina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›