E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farkë, Braçe denoncon mrekullinë e Berishës

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, denoncoi situatën me ndërtimet në Farkë

TIRANË- Partia Socialiste denoncon atë që ajo e konsideron si masakrën urbane që po ndodh në jug-lindje të Tiranës dhe pikërisht në zonën periferike të saj që administrohet nga Komuna e Farkës. Nisur pikërisht nga deklarata e kryeministrit Berisha, që e cilësoi këtë zonë si “mrekullia e Farkës”, nënkryetari i grupit kuvendor socialist Erion Braçe ka lënë zyrën dhe ka zbritur në terren, për të denoncuar prej andej fenomenet negative që po shoqërojnë zhvillimin e kësaj zone. Për këtë qëllim, ai ishte dje pranë Liqenit Artificial në zonën e Farkës ku pa nga afër “mrekullinë” e Berishës. “Këtu ka ndodhur një masakër e vërtetë urbane, ndërtimet janë thellësisht pa kriter, kanë pushtuar sipërfaqe të gjelbra dhe i kanë shfarosur ato, ndërkohë që pallatet tetëkatëshe po i ngjiten kodrës gjithnjë duke ruajtur statusin sipas të cilit, “ballkoni i njërit duhet doemos të hyjë në penxheren e pallatit tjetër” dhe anasjelltas”, - tha Braçe. Gjithashtu, sipas tij, betoni dhe çakulli kanë pushtuar kurorën e gjelbër të kodrave të Tiranës në këtë zonë, duke shkatërruar në këtë mënyrë mjedisin dhe bimësinë. “Këtu ka ndodhur një masakër e vërtetë mjedisore. Për shkak të këtyre ndërtimeve pa kriter, mjedisi është shkatërruar. Këtu, vite më parë, kanë qenë kodrat e kurorës së Tiranës, ato tani nuk janë më. Pas meje shihni atë që quhet Kodra e Diellit, e cila nuk është më, është rrafshuar e mbi të, në majë të saj po ndërtohet pafund, për të plotësuar epshin e babëzisë. Në çdo kodër ku shihni ndërtime, kanë qenë plantacione të tëra më ullinj dhe pemë të tjera. Ato nuk janë më! Sikur të kishin gojë ullinjtë do të ulërinin, “Lufter nuk ta patëm borxh!”, sikur të kishin gojë ullinjtë, do të mallkonin ministrin që ka dhënë lejen mjedisore për shkatërrimin e tyre”, - shtoi Braçe. Gjithashtu, sipas tij, në këtë zonë po ndodh dhe një masakër tjetër siç është ajo e shërbimeve bazë, siç janë furnizimi me ujë të pijshëm, energji elektrike, kanalizime të ujërave të zeza, infrastrukturë rrugore, kujdes shëndetësor, mundësi arsimimi etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›