Berisha, grim profesional para mitingjeve

Personazhet politike duhet të jenë në formë para shfaqjeve publike, njësoj si artistët.
Dhurata Curri është grimiere e njohur në Tiranë, që kujdeset per dukjen e këngëtarëve kryesisht, por këtë fushatë zgjedhore ajo po kujdeset për imazhin e politikanëve të njohur, duke veçuar Kryeministrin e Shqiperise, Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
"Politikanët që kam grimuar gjatë fushatës janë shumë, por vetëm për dy prej tyre do mund të flas, pasi të tjerët dëshirojnë të ruajnë konfidencialitetin. I pari është Kryeministri Sali Berisha dhe e dyta, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në fillim u ndjeva pak në ankth, pasi ideja që punon me ta ta imponon diçka të tillë. Por tashmë gjithmonë e më shumë ndihem e surprizuar, pasi janë njerëz shumë të thjeshtë e shumë të komunikueshëm," thote ajo per "Panorama".
"Kryeministrin e grimova në ambientet e Kryeministrisë, sepse donte gjithmonë të ishte i freskët në pamje. Për të punuar me Sali Berishën më janë dashur 15 minuta, dhe ai nuk ka ndërhyrë fare, përkundrazi, më ka lënë të lirë të bëj punën time," ka shtuar ajo.
E pyetur nese gjatë punës me të, i eshte dukur i duruar apo natyrë e vështirë, Dhurata:
Kjo është një pyetje shumë me vend, sepse shumë njerëz mund të mendojnë se është shumë i vështirë komunikimi me të. Por, përveç faktit që ai është Kryeministër, mbi të gjitha është shumë human. Është i duruar dhe nuk shfaqte aspak bezdi për të realizuar foto. Dhe ajo që ai të përcjellë si person është fakti që ka një energji për t’ia pasur zili, gjithmonë në formë dhe me humor të mirë. /Indeksonline/