E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrohet dita e finales së madhe

Ashtu edhe siç pritej verdikti i titullit kampion do të vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit, më 17 maj. 

Fatjon Kodra

Dinamo fitoi lehtësisht në transfertë me Vllazninë 3-0 (tre gola në pjesën e dytë), ndërsa Partizani fitoi 2-0 me Skënderbeun (dy gola në 45 minutat e para), por ndaj korçarëve që zhvilluan një luftë të fortë: tre kartonë të kuq e një “lumë” kartonësh të verdhë.
Vllaznia-Dinamo 0-3
Dinamo bëri atë që pritej nga të gjithë, duke marrë tri pikët e duhura përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”, në javën e parafundit të kampionatit. Tre gola të shënuar nga Ishka, Pema e Daja sollën fitoren në pjesën e dytë, duke ruajtur diferencën prej dy pikësh me Partizanin. Një sukses i paralajmëruar i bluve që disa javë më parë, në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Ndërsa në atë ndeshje u pa një Dinamo eksperimentale, e djeshmja ofroi pamjen e kundërt.
Partizani-Skënderbeu 2-0
Ashtu si kundërshtari direkt, edhe Partizani ka arritur një fitore të pastër. Dy gola të shënuar i kanë mjaftuar ekipit të drejtuar nga Hasan Lika, për të mos u shkëputur nga kreu. Megjithëse në pjesën e dytë kanë qenë në epërsi numerike, të kuqtë s’kanë shënuar gola të shumtë, duke e kursyer Skënderbeun. Gjyqtari i takimit Kridens Meta akordoi mbi 40 faulle të lojtarëve të Skënderbeut. Muzaka realizoi një gol spektakolar nga një goditje dënimi në vijën e 16-metërshit (i 10-ti sezonal). Bakaj krijoi me inteligjencë një eurogol 3 minuta më vonë.
Elbasani-Kastrioti
5-2
Plot shtatë gola janë shënuar në “Ruzhdi Bizhuta” në ndeshjen Elbasani- Kastrioti. Ka qenë një takim që për Elbasanin deri përpara vërshëllimës përfundimtare të Çekajt ka pasur vlerë, por që nuk ka rezultuar kështu. Goli i parë i takimit do të shënohet në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë nga Gallo, i cili realizon në portën e tij. Në pjesën e dytë Elbasani shënon dhe 4 herë të tjera me Nenajn, Dalipin, Nuhijin e Bejzaden, ndërsa për miqtë shkurtojnë diferencën Rizvanolli e Shameti.
Tirana–Teuta 1-2
Skuadra e Teutës arriti dje në kryeqytet një fitore tepër të rëndësishme në shifrat 2-1 ndaj Tiranës, që njëkohësisht i siguroi asaj një shans më shumë për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Kanë qenë dy golat e Çotes dhe Dushkut që u dhanë fitoren “djemve të detit”, ndërsa nga ana tjetër ka qenë ish-bomberi i Teutës, Xhafaj, që shënoi golin e nderit për Tiranën.
Besa-Besëlidhja 2-0
Besa fitoi dje ndaj Besëlidhjes, duke u rikthyer te suksesi pas dy humbjeve të njëpasnjëshme. Një fitore ajo e djeshmja, që ka ruajtur pozitat e verdhezinjve në vend të tretë dhe që u siguron pjesëmarrjen në Kupën Intertoto. Disfata 2-0 e pësuar nga lezhjanët ka bërë tashmë zyrtare zbritjen e skuadrës së Besëlidhjes në Kategorinë Inferiore. Në minutën e 14-të, Xhihani i vetëm me portierin nuk ka falur, por realizon golin e parë. Në minutat shtesë, Xhihani ka goditur sërish portën e lezhjanëve për të vendosur rezultatin final në 2-0 për Besën.
Shkumbini-Flamurtari 1-0
Skuadra e Shkumbinit ka arritur të triumfojë ndaj Flamurtarit, me rezultatin minimal 1-0. Këtë takim peqinasit kanë arritur ta zgjidhin që në pjesën e parë, falë një goli të shënuar që në minutën e 12-të nga sulmuesi Klevis Dalipi. Shkumbini është pozicionuar në vendin e 5-të e nëse fiton në Korçë do ta mbyllte në këtë pozicion. Një arritje për këtë skuadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›