E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha "harron" përvjetorin e Hajdarit

Kreu i qeverisë ka qëndruar në zyrë për të përgatitur programin. Kryeministria nuk bën të ditura arsyet e mungesës në homazhe


Arsyet duket se kanë lidhje me mospërballjen me kreun e shtetit, marrëdhëniet me të cilin janë acaruar sërish për shkak të dekretit për qeverinë e re

Kryeministri Sali Berisha ka "harruar" tribunin e demokracisë Azem Hajdari në përvjetorin e 11-të të vdekjes së tij. Ndryshe nga çdo përvjetor tjetër, shefi i mazhorancës, Kryeministri i sapomandatuar i qeverisë së re, nuk është bërë dje pjesë e delegacionit të Partisë Demokratike, që ka bërë homazhe në nder të ish-deputetit dhe një prej themeluesve të kësaj force, Azem Hajdarit, i cili u vra në rrethana ende të paqarta më 12 shtator të vitit 1998, së bashku me truprojën e tij Besim Çera. Berisha, megjithëse ka qenë dje në Tiranë, nuk ka preferuar të lëvizë nga zyra e tij për t'iu bashkuar drejtuesve të tjerë të Partisë Demokratike, nënkryetares së kësaj force, Jozefina Topalli, sekretarit të përgjithshëm Ritvan Bode apo edhe nënkryetarit tjetër Astrit Patozi, të cilët fillimisht kanë vendosur kurora me lule në memorialin kushtuar Hajdarit dhe më pas kanë zhvilluar vizitën e përvitshme përkujtimore në familjen e tij. Nga Kryeministria nuk ka patur asnjë arsye lidhur me mungesën e Kryeministrit në homazhe, megjithëse konfirmohet se ai ka qenë në Tiranë dhe se ka qenë duke punuar për përgatitjen e programit qeverisës, me të cilin pritet të paraqitet të hënën në Parlament, me rastin e miratimit të qeverisë së re. Megjithatë, duket se arsyeja e vërtetë s'ka qenë përgatitja e programit, por pikërisht mospërballja me kreun e shtetit Bamir Topi, i cili edhe ai për hesap të institucionit që drejton ka kryer një vizitë në familjen e Hajdarit në këtë përvjetor të 11-të të tij. Kështu, nga burime pranë shefit të qeverisë mësohet se Berisha dhe stafi i tij, duke mos ditur agjendën se kur Presidenti do të zhvillonte vizitën tek memoriali dhe më pas në familjen e Hajdarit, për të shmangur një kontakt publik me të, ka preferuar më mirë që të mos marrë pjesë fare në ceremonitë e organizuara me këtë rast. Kjo për shkak të marrëdhënieve të tensionuara dhe aspak miqësore që ekzistojnë mes dy drejtuesve të lartë të shtetit. Duket se vizita e detyruar e Berishës disa ditë më parë në Presidencë, ku morri dekretin e riemërimit të tij në postin e Kryeministrit, nuk ka mundur të shkrijë akujt që ekzistojnë mes tyre. Ajo që ka acaruar edhe më shumë këto ditë marrëdhëniet e tyre, ka të bëjë pikërisht me faktin që kreu i shtetit nuk ka dekretuar ende kabinetin e ri qeveritar të Berishës, megjithëse ky i fundit ka 4 ditë që ia ka paraqitur. Pikërisht hezitimi i Presidentit për të dekretuar kabinetin e ri qeveritar "Berisha 2", duket se ka lënë të pakënaqur Kryeministrin, i cili ka shmangur kështu dhe një shtrëngim duarsh me ish-bashkëpunëtorin e tij. Vetëm dy ditë më parë Berisha deklaroi gjatë një emisioni televiziv se marrëdhëniet me Topin i kishte thjesht institucionale ligjore dhe asgjë më tepër. Madje, ai nuk nguroi t'i diktojë kreut të shtetit edhe vendimmarrjen e tij lidhur me dekretimin e qeverisë së re, duke deklaruar se e drejta për përcaktimin e ekzekutivit i përket mazhorancës dhe legjislativit. I pyetur sesi do zgjidhej çështja nëse Topi nuk dekretonte Mediun si ministër të Mjedisit, Berisha u përgjigj se "Në të drejtën Kushtetuese ministrat janë atribut i Parlamentit dhe Kryeministrit. Ky është një atribut i kushtëzuar i çdo Presidenti. Në një republikë parlamentare nuk ekziston që Presidenti të emërojë apo shkarkojë ministra. Është Parlamenti thelbësor dhe më i rëndësishmi në një sistem të tillë". Pavarësisht këtij paralajmërimi, nga ana tjetër duket se kreu i shtetit është i vendosur për të konsumuar të shtatë ditët që ka në dispozicion për të shqyrtuar dhe më pas për të vendosur lidhur me emrat e paraqitur nga Berisha për anëtarë të kabinetit të tij të ri. Burime pranë Presidentit bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që kreu i shtetit të vërë veton dhe të mos dekretojë ata ministra, të cilët kanë ende punë me organet e drejtësisë, lidhur me akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.


Figura të tjera të PD-së, si Topalli dhe Bode kanë vlerësuar lart figurën e "Pishtarit të demokracisë', Hajdari, duke u shprehur se ai ishte model i guximit për demokracinë. Ende nuk është dhënë asgjë zyrtare, mbi angazhimet e Kryeministrit që penguan pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni. Familjen Hajdari sot e ka vizituar edhe Presidenti Bamir Topi i cili shoqërohej nga Besnik Mustafaj.


Më 12 shtator 1998, është qëlluar me armë zjarri deputeti dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Për vrasjen e tij dhe të shoqëruesit Besim Çerja janë akuzuar dhe dënuar nga gjykata Jaho Salihi me burgim të përjetshëm dhe Izet e Ismet Haxhia me nga 25 vite burg.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›