Gjeneralët e sotëm
Personazhi i Kadaresë në skenën e Teatrit të Shkupit foli për Srebrenicën, Gjakovën, Mostarin, Krushën e Vogël. Ky ishte qëllimi i dramatizimit të Jeton Nezirajt: t'i drejtohej kësaj kohe, luftërave të sotme, gjeneralëve të 20 viteve të fundit
Edhe pse i botuar më 1963-shin, dramaturgë e regjisorë, në skenë dhe në ekran, madje edhe kompozitorë, i kthehen dhe rikthehen "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" të Ismail Kadaresë. I fundit është Jeton Neziraj, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dramatizimi që ai i bëri "Gjeneralit..." pati javës që shkoi premierën në skenën e Teatrit të Shkupit, me regji të Dino Mustafic. Në këtë intervistë për "Shekulli"-n, ai tregon përse provoi me këtë roman, si u konceptua "Gjenerali" çfarë i thotë aktualitetit dhe si u prit nga publiku.
Jeton, me "Gjeneralin..." e Kadaresë janë marrë shumë artistë, disa ia kanë dalë, disa kanë dështuar. Po t'i për çfarë motivesh shkrove dramatizimin e romanit?
Unë mora një ftesë nga Teatri i Shkupit dhe nga regjisori Mustafic për të punuar për dramatizimin e kësaj vepre dhe ofertën e pranova me kënaqësi. Përshtypja e regjisorit ishte që të dy dramatizimet e mëparshme që kishte pasur (i Pirro Manit dhe i Serafin Fankos) ishin shumë të shkëputura nga krejt ato që kishin ndodhur në hapësirat tona këto 20 vitet e fundit, prandaj kishte nevojë për një dramatizim të ri, që do të sillte ca nga "aroma" e këtyre gjeneralëve të ditëve tona.
Ku qëndron origjinaliteti në konceptimit tuaj?
Para se të filloja punën, unë jam takuar shkurt në Prishtinë me regjisorin Dino Mustafic dhe ramë dakord për disa "parime" bazë mbi të cilat duhet të mbështetej dramatizimi ynë. Njëri prej tyre ishte edhe përfshirja e atyre episodeve dhe tregimeve të vogla brenda atij tregimit të madh për gjeneralin që mbledh eshtrat e ushtarëve. Është ruajtur po ajo atmosferë e trishtë, ai shi dhe ajo mjegullnajë që rrethon personazhet. Janë ruajtur edhe ata heronj të vegjël të romanit, psherëtimat, daullja natën edhe vaji i Nicës, natyrisht!
Dhe cili ishte rezultati që dha Mustafic?
U ndjeva mirë kur pashë se kjo qasje e jona mbi veprën funksionoi shkëlqyeshëm në skenë. Ne gjetëm frymëzim tek vetë romani "Gjenerali...", i cili, pavarësisht se është shkruar rreth pesëdhjetë vite më parë, është tejet bashkëkohor në strukturën e vet dhe në mënyrën sesi është thurur ajo strukturë. Është po ai gjeneral, si i romanit, do të thosha. Vetëm se këtu në shfaqjen tonë, ai diku, si përçart, flet për Srebrenicën, Gjakovën, Mostarin, Krushën e Vogël!
Si ta përfytyrojmë këtë gjeneral?
E thashë edhe më herët, është po ai gjeneral si tek Kadare. Vjen me spaleta ushtarake dhe kthehet si një leckaman. Por jo leckaman ngaqë mposhtet nga "vendorët trima", por nga "hija e luftës". Nuk them asgjë të re, nëse them se "Gjenerali..." është një roman i shkëlqyeshëm. Kjo s`do diskutim. Por ajo që mua më ka tërhequr është që, edhe pse i shkruar vite më parë, tingëllon kaq bashkëkohor, kaq i kohës, sa ke përshtypjen se është shkruar tani, pas luftërave në Kosovë, Bosnje apo Maqedoni. Roli i Gjeneralit është interpretuar shkëlqyeshëm nga aktori Bajrush Mjaku. Vërtetë, disa herë gjatë shfaqjes, ai "ma ka ndalur frymën", siç themi ne në kuptim pozitiv.
Çfarë operacioni ke bërë mbi tekstin?
Natyrisht që në pjesën më të madhe është respektuar romani. Por, puna e adaptimit të një vepre për skenë, e "dramatizimit", kërkon edhe "ndërhyrje" të natyrave të ndryshme. Këto "ndërhyrje" përfshijnë: krijimin e një strukture dramaturgjike (e cila mund të jetë e ndryshme nga vepra origjinale), lëvizje teksti dhe bartje skenash, shkrim të ndonjë skene të re në përshtatje me atë atmosferë që ti si dramaturg e "nuhat" në vepër, redaktime dialogjesh e futje dialogjesh të reja etj. Them që këto janë normale gjatë dramatizimit të një vepre.
Skenat e ëndrrës supozohen si pjesët që u japin dorë regjisorëve për të fantazuar apo për të thënë diçka "tjetër" nga romani. Po ju si e realizuat?
Në të vërtetë, në këtë shfaqje ka më tepër sesa një ëndërr të "Gjeneralit". E veçanta e këtij dramatizimi mendoj se është tek përfshirja e atyre episodeve të vogla nga romani (tregimi për Nik Martinin, tregimi për shtëpinë publike) dhe krijimi i një strukture paralele që e "ushqen" ndodhinë kryesore, atë të gjeneralit që është duke mbledhur eshtrat e ushtarëve. Me fjalë të tjera, ka zhvendosje në kohë që arrihet përmes "narracionit", përmes "ëndrrave" ose përmes "ditarëve" (që gjenerali dhe prifti i gjejnë gjatë misionit të tyre). Do ta quaja si njëlloj dramaturgjie mozaike, ku copëzat krijojnë tërësinë!
Ku mbaron puna juaj dhe ku fillojnë idetë regjisoriale të Mustafic-it?
Bashkëpunimi me regjisorin ka qenë mbase më i miri që kam pasur deri më tani në fushën e teatrit. Thjesht, ai i ka besuar punës sime në mënyrë absolute dhe po atë besim kam pasur edhe unë në punën e tij. Zakonisht, regjisorëve tanë u pëlqen të "luajnë' nga pak me dramën, por Dino me të vërtetë ka shfaqur respekt për atë tip dramaturgjie që i kam ofruar dhe i ka qëndruar besnik në maksimum. Në të vërtetë, kemi shpenzuar vetëm pak kohë bashkë në fillim kur kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord për konceptin dhe më pas gjithçka ka qenë e lehtë. Kam pasur kënaqësinë që kam bashkëpunuar me të, por edhe me aktorët Bajrush Mjakun e Adem Karagën, me skenografin kroat Broz dhe me kostumografin maqedonas Micevksi. Është një prej përvojave më të mira profesionale që kam pasur. Më ka bërë të ndihem mirë si dramaturg dhe mendoj se nuk do të jetë e fundit.
Si u prit nga publiku, "kritika" dhe media?
Unë isha në premierën e shfaqjes dhe vura re që publiku e priti ngrohtë. Po ashtu, edhe kolegët me të cilët fola pas mbarimit të saj, komplimentuan veçanërisht punën e regjisorit boshnjako-shqiptar, Dino Mustafic. Për sa u përket mediave, ato e pasqyruan ashtu siç i pasqyrojnë zakonisht ngjarjet kulturore, pa shumë sens vlerësimi profesional të asaj që është bërë. Ndoshta kritikat më profesionale do të vijnë më vonë, edhe pse kritikë teatri tek ne nuk ka, ose ajo është tepër e brishtë, aq sa nuk mund të mos quhet kritikë. Me "tek ne", nënkuptoj të gjithë hapësirën shqiptare.