E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i beson Nishanit ministrinë e Brendshme, ruan Drejtësinë e Turizmin për humbësit

UPDATE- Kryeministri Sali Berisha i ka besuar Ministrinë e Brendshme, ministrit aktual të Drejtësisë Bujar Nishani duke plotësuar kështu vendin bosh të lënë nga Lulzim Basha në qeveri. Berisha e ka marë këtë vendim gati me nxitim, pas apelit të ndërkombëtarëve që policia të jetë në lartësinë e duhur gjatë zgjedhjeve, si dhe për shkak të sjelljes së zv.ministrit Avenir Peka që po kryente detyrat e ministrit në mungesë. Peka u përfshi në një konflkt me një drejtues të lartë të policisë, të cilin e urdhëroi të dërgonte trupat speciale në Kamzë kundër militantëve të opozitës. Bujar Nishani, u emëruar dje nga Berisha dhe iu dërgua presidetit Bamir Topi për dekretim me synimin që të votohet brenda kësaj jave në Kuvend. Arsyet që mund ta kenë çuar Berishën drejt kësaj zgjedhjeje mund të jenë të shumta. E para ka të bëjë me eksperiencën e Bujar Nishanit në ministrinë e Brendshme, të cilën ai e ka drejtuar më parë, por dhe besimin që ai gëzon tek kreu i qeverisë. Nishani e ka drejtuar Ministrinë e Brendshme gjatë vitit 2007 deri në vitin 2009 për të vajtur më pas tek Drejtësia, ku qëndron që prej vitit 2009. Me këtë lëvizje kryeministri vetëm sa e ka arnuar qeverinë e tij pas dorëheqjes së dy ministrave që kandidojnë për kryebashkiakë më 8 maj. Ai nuk ka vendosur se kë do të dërgojë në vend të Nishanit tek Drejtësia, dhe gjithashtu nuk ka vendosur për pasardhësin e Ferdinand Xhaferrit tek ministria e Kulturës e Turizmit, duke i lënë këto dy vende bosh për momentin. Zëra pranë kreut të qeverisë thonë se dy ministritë e lëna bosh po ruhen për kandidatët humbës të 8 majit. Kështu duket se Basha mund të shkojë në vendin e Nishanit pas zgjedhjeve të 8 majit për të ruajtur kështu profilin politik dhe karrierën në qeveri. Ish/ministri i Brendshëm Lulzim Basha garon ne emer te koalicionit Aleanca per qytetarin, per Bashkinë e Tiranës perballe kreut aktual te bashkise, njeheresh kreut te PS-se, Edi Rama. Basha është i dyti ministër i Brendshëm që garon përballë Ramës pas Sokol Olldashit në vitin 2007.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›