Dy shtete në shtetrrethim
Prej vitesh politikani serb Milorad Dodik po e rrjep Bosnjën pamëshirshëm dhe para syve të bashkësisë së diskredituar ndërkombëtare. Tash ai synon të suspendojë sistemin qendror të drejtësisë. Beogradi po e mbështet pothuaj hapur Dodikun. Tensionet në Bosnjë i duhen Serbisë për të krijuar rrethanat për ndarjen territoriale të Kosovës
Nga Enver Robelli
robelli@bluewin.ch
Pasi është kërcënuar me vite se do të shpallë referendum për shkëputjen e të ashtuquajturës Republika Srpska (RS) nga Bosnja kryetari i këtij entiteti, Milorad Dodik, e ka bërë hapin e parë. Parlamenti i RS-së në Banjallukë ka vendosur të organizojë referendum, ku qytetarët me të drejtë vote do të përgjigjen me po ose jo në këtë pyetje: A i mbështetni ligjet e imponuara nga ana e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, sidomos sa i përket Gjyqit dhe Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës dhe verifikimin e tyre kundërkushtetues në Asamblenë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës? Në thelb me këtë pyetje sugjestive synohet të binden votuesit se duhet tu ndalohet protektorëve perëndimorë të mundësojnë hyrjen në fuqi të ligjeve, për të cilat përfaqësuesit politikë në Bosnjë nuk gjejnë gjuhë të përbashkët, dhe një gjë e tillë ndodh shpesh që nga përfundimi i luftës në vitin 1995. Qëllim tjetër i referendumit është dobësimi dhe shpërbërja e Gjyqit dhe e Prokurorisë së Bosnjës në mënyrë që autoritetet qendrore në Sarajevë, të cilat edhe ashtu janë të ligshta, të mos kenë më kompetenca për të hetuar zyrtarët serbë në Republika Srpska. Referendumi pritet të mbahet 45 ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Parlamentit të RS-së. Milorad Dodik, i cili para së të zgjidhej kryetar i RS-së në tetor të vitit të kaluar, ka qenë kryeministër i këtij entiteti, ka paralajmëruar se ai ka një plan se si do të veprohet më tutje pas referendumit. Dodik prej vitesh e akuzon Prokurorinë e Bosnjës se është antiserbe. Në fakt Prokuroria ka nisur hetimet kundër Dodikut për shkak të dyshimeve ndaj tij për keqpërdorime financiare me rastin e ndërtimit të godinës gjigante të qeverisë së RS-së në Banjallukë dhe dhënies së tenderit për autostradën që e lidhë këtë qytet me Kroacinë. Dodik dhe partia e tij, e cila çuditërisht quhet Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur, ndonëse ka po aq lidhje me socialdemokracinë sa Kuba e Fidel Kastros me kapitalizmin, angazhohen po ashtu që ti pamundësohet Prokurorisë të merret me çështjen e krimeve të luftës. Akuza bizare e tyre tingëllon kështu: prokurorët po e aplikojnë në mënyrë selektive dhe në dëm të serbëve ligjin mbi krimet e luftës dhe, në këtë mënyrë, ata po shkaktojnë urrejtje dhe mosdurim ndërnacional. Pra, ndjekja e kriminelëve të luftës qenkësh nxitje e urrejtjes ndëretnike?!
Pse po më pyetni?
Pas vendimit të Parlamentit të serbëve e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare u alarmua. Këshilli për implementimin e paqes njoftoi se nuk do të lejohet dobësimi i sistemit gjyqësor. Përfaqësuesja pa vizion e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, nënvizoi se hapat e njëanshëm nuk u ndihmojnë zgjidhjeve në interes të përparimit. Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë iu bashkua korit, duke i dënuar veprimet kontraproduktive dhe retorikën kundër institucioneve të gjyqësisë. Vetëm terroristët, kriminelët dhe individët e korruptuar kanë arsye të frikësohen nga Gjyqi dhe Zyra e Prokurorit të shtetit, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së. Një hap më tutje shkoi ish-Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë Paddy Ashdown, i cili tha se Bashkimi Evropian duhet të kërcënohet edhe me forcë ushtarake nëse serbët vazhdojnë këtë lojë. Ndaj të gjitha këtyre paralajmërimeve Milorad Dodik reagoi në stilin e tij: Asnjë sanksion nuk do ta pranojë pa marrë parasysh se prej kujt vjen. Nëse na vendosin (sanksione, v.j.) shkojmë më tutje. Këtë e kam thënë edhe para pesë vjetësh, pse po më pyetni sërish?
Bashkësia ndërkombëtare me vite të tëra e ka injoruar politikën shkatërruese të serbëve kundër Bosnjë-Hercegovinës. Dodik gjatë luftës ka qenë biznesmen dhe formalisht kundërshtar i Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit, dy liderëve të serbëve të Bosnjës. Një kohë të gjatë Dodik ka qenë kanakar i bashkësisë ndërkombëtare, sidomos në vitet 1998-2001, kur ishte kryeministër i RS-së. Me ardhjen e sërishme në pushtet në vitin 2006 Dodik përqafoi politikën polarizuese, nacionaliste dhe provokuese. Diplomatët perëndimorë deklarojnë shpesh se Dodik në fakt nuk është nacionalist, se atij i intereson vetëm biznesi. Por, kështu është thënë dikur edhe për Slobodan Milosheviqin: ai nuk është nacionalist, por e përdorë atë për të qëndruar në pushtet. Qëndrimi i butë, tepër i butë i diplomatëve të huaj në Sarajevë, Bruksel dhe Washington ndaj Dodikut i ka hapur atij shtegun për të organizuar tani edhe referendum, pasi që deklaratat e tij skandaloze në të kaluarën kanë kaluar pa ndonjë konsekuencë, përveç kritikave rutinore nga të dërguarit e huaj.
Para dhe drogë
Dodik është kërcënuar: Në atë çast që mundemi do të dalim nga Bosnja, ne dalim. Ai ka thënë se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë, sepse një pjesë e madhe e boshnjakëve kanë ikur në drejtim të Tuzllës. Me një rast tjetër e ka minimizuar këtë krim masiv, duke thënë se në Srebrenicë ka ndodhur një gjenocid i përmasave lokale. Edhe kjo deklaratë e tij është përpirë nga bashkësia ndërkombëtare. I pyetur në një emision televiziv nëse është e vërtetë se biri i tij ka marrë një kredi prej disa milionë markash, Dodik ka thënë se më mirë është të marrë kredi i biri i tij se sa të jetë nën ndikim të drogës. Mediet në Bosnjë kanë pyetur nëse tash e tutje edhe fëmijët tjerë të këtij vendi do të marrin kredi milionëshe për të mos rënë në varësi të drogës?! Një shikuesi televiziv, i cili e kishte kritikuar, Dodik i kishte thënë: Mos ha m… dhe e kishte quajtur kreten (idiot). Dodik ka deklaruar se nuk i interesojnë hetimet e agjencisë shtetërore e inteligjencës dhe është kërcënuar se nuk do ti përgjigjet ftesës për marrje në pyetje ata le të provojnë të më arrestojnë, ka shtuar Dodik. Kur ishte pyetur në lidhje me keqpërdorimet financiare me rastin e ndërtimit të selisë së Qeverisë së RS-së në Banjallukë, ky politikan kishte thënë: E di që të gjithë juve nga Federata (entiteti i dytë boshnjako-kroat i Bosnjës, v.j.) kjo ju zemëron, prandaj e kam ndërtuar këtë objekt që të zemëroheni të gjithë…. Televizionit federal, i cili e ka akuzuar për korrupsion, Dodik iu drejtua me këto fjalë, të cilat nuk po i përkthejmë në shqip hiç: to se tie Federalne TV nek se jebe! Mediat në Bosnjë kanë regjistruar edhe një deklaratë të tij, ku i kërcënon votuesit në një qytet të Bosnjës se nëse nuk e zgjedhin partinë e tij, atëherë do tua ndërpres investimet.
Rreziku për Kosovën
Pas vendimit për referendum dhe pas kritikave nga bashkësia ndërkombëtare në Banjallukë vrapoi kush tjetër pos Vuk Jeremiqi, ministër i Jashtëm i Serbisë, i cili pas takimit me Milorad Dodikun tha se vendimet e Republika Srpska janë demokratike. Ai madje apeloi që të mos hidhet vaj në zjarr dhe e akuzoi Paddy Ashdownin për retorikë luftënxitëse. Në fakt është pala serbe ajo që me politikën e saj agresive dhe nën maskën e demokracisë nxit konflikte në Bosnjë me mbështetjen e Beogradit. Jeremiq dhe Dodik veprojnë si piromanë dhe akuzojnë të tjerët si zjarrvënës. Vendimi për referendum i serbëve të Bosnjës paraqet krizën më të thellë për këtë vend pas përfundimit të luftës më 1995. Ashpërsimi i gjendjes në Bosnjë ndodh në një mome