Berisha i hakërrehet Mediut dhe i premton Bregut më shumë femra në kabinetin tjetër
Një kryeministër i lodhur u shfaq në mbledhjen e qeverisë. E nisi atë duke i premtuar Majlinda Bregut se në kabinetin e ardhshëm, pas fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do ketë më shumë femra. Ministrja Bregu iu përgjigj kryeministrit se rëndësi ka që ne i duam gratë.
Më pas Berisha foli për të zakonshmin gazsjellës TransAdriatik.
Por ajo që bie në sy është se kryeministri, tani që po takohet me njerëzit, pas tetë vitesh në pushtet, ka filluar të zbulojë se ata kanë halle.
Kështu, një ditë më parë ai ishte mes peshkatarëve në Durrës, që u zbrazën tek kryeministri për hallet e tyre.
Ata i thanë se u duket vetja si në komunizëm dhe se është shumë gabim që ata janë në varësi të Fatmir Mediut si ministër i Mjedisit. Berisha u tha se do i heqë ata nga varësia e Mediut.
Por më shumë ai u zemërua kur peshkatarët i thanë se çmimi i regjistrit tregtar nga 48 mijë lekë, është trefishuar.
Absolutisht do të shkojnë më poshtë sesa ishin. Paskan zbuluar Amerikën tek ju. Shumë mirë që e shtruat këtë çështje, tha Berisha.
Dhe në mbledhjen e qeverisë, ashtu i lodhur dhe i përgjumur, iu hakërrye Mediut se pse i ka rritur çmimet. Madje Berisha nuk e la as të justifikohej.
Më pas iu kthye Flamur Nokës, duke i thënë se peshkatarët nuk kanë pse kontrollohen nga policia kur dalin në det, pasi kjo vonon daljen e tyre.
Në fund ai bëri një batutë me Aldo Bumçin, të cilin tani Berisha nuk e di as se në cilin post e ka. Duke folur për operatorët turistikë, ai iu drejtua atij, duke harruar se tani e ka kryediplomat./ep