E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i dha koncesion burrit të këshilltares

Shoqëria e krijuar prej një viti merr me koncesion ndërtimin e dy hidrocentraleve në Libohovë. Firma, nën pronësinë e bashkëshortit të Albana Vokshit

Berisha i jep me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve ortakut të Rrahman Selmanllarit/ Vendimi i qeverisë, në kohën kur firma ishte e paregjistruar

NEPOTIZMI

Lindita Çela
TIRANË- Një firme i mjafton vetëm pak eksperiencë, edhe pse është ende e paregjistruar mirë në institucionet shqiptare, për të fituar me koncesion ndërtimin e njërit prej hidrocentraleve më të mëdhenj të Jugut të Shqipërisë. Kjo firmë ka zbatuar më së miri planin energjetik të qeverisë që synon të ulë ndjeshëm nivelin e................................... eksportimit të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për koncesionet e firmosura nga qeveria Berisha në tetor të vitit 2007-të dhe fituese është një firmë që ka për aksionerë dy njerëz të njohur të kryeministrit, bashkëshortin e këshilltares së tij për çështjet ekonomike, Albana Vokshit, dhe mikut të kahershëm të familjes, Rahman Selmanllarit.

Koncesioni
Në korrik të vitit 2007-të, me vendim të Këshillit të Ministrave, miratohet marrëveshja për dhënien në koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve. Kanë qenë vendime maratonë të kryeministrit këto, ku ndërmjet tyre është dhe ndërtimi i hidrocentralit në Suha. Firma fituese e koncesionit shpallet "Albanergiaplus" Sh.p.k. Aso kohe, marrëveshja u reklamua si sukseset e radhës së qeverisë dhe se projekti do të ulte ndjeshëm importimin e energjisë elektrike.

Në fakt, më shumë se sa zbutja e krizës së energjisë elektrike, bie në sy fakti se si firma "Albanergiaplus" arrin të fitojë një projekt kaq të rëndësishëm si ndërtimi i hidrocentralit. Po t'i referohemi dokumenteve zyrtare, aktiviteti i kësaj firme as nuk e kishte mbushur një vit në kohën kur kryeministri Berisha ka firmosur urdhrin e Këshillit të Ministrave. Me një aktivitet kaq të paktë çdokush do ta kishte të vështirë për të fituar një marrëveshje koncesioni por, "Albanergiaplus" duket se ka pasur të gjitha referencat e duhura.
Së pari, firma që do të ndërtojë hidrocentralet në jug të vendit, në Libohovë, rezulton të jetë shoqëri e krijuar nga bashkëshorti i Albana Vokshit.

Në këtë kohë që është firmosur marrëveshja, znj. Vokshi kryente detyrën e këshilltares së kryeministrit për çështjet ekonomike. Sot zonja Vokshi është deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Veç kësaj, drejtuesi i kësaj kompanie, Arian Tartari, rezulton të jetë bashkëaksioner në disa kompani të tjera me miq të tjerë të familjes kryeministrore. Tartari rezulton të jetë bashkëaksioner në disa kompani të tij, me Rrahman Selmanllarin, i njohur ky si mik i djalit të kryeministrit.

Referuar të dhënave zyrtare të regjistrit të shoqërive zyrtare, bëhet me dije se kjo shoqëri është krijuar më 4 prill të vitit 2006. Por, kjo nuk e ka penguar z. Tartari që vetëm një vit më pas të fitojë një marrëveshje koncesioni, qoftë në sektorin e prodhimit të energjetikës në vend dhe atë të përpunimit të naftës. Dhe këtë, duket se z. Arjan Tartari e ka arritur më së shumti falë miqve, me të cilët rezulton nëpër firma të ndryshme dhe bashkëaksioner.

Aktiviteti i viteve të fundit të bashkëshortit të deputetes së Partisë Demokratike, znj. Vokshi s'është gjë tjetër veçse krijim shoqërish, nëpërmjet të cilave ka fituar jo pak punë publike. Falë bashkëaksionerëve, si Rrahman Selmanllarit dhe mbështetjes së ish-këshilltares së kryeministrit që është bashkëshortja e tij, kompanitë e krijuara për gjatë pesë viteve nga z. Tartari kanë fituar koncesionet e ndërtimeve me të rëndësishme në vend.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›