Berisha i ka fituar të gjitha garat e mitingjeve
Mitingjet zgjedhore të Edi Ramës, si edhe daljet e tij në ekranet televizive, janë të vakëta, me hiperbola të pabesueshme, me gjeste të papërmbajtura, si të një aktori pa talent që kërkon të bëjë efekte, me shakara të cilat i shndërrohen, në më të shumtën e rasteve, në bumerang. Gafat e tij janë si të një diletanti dhe qëndrimi i tij nuk është aspak i përngjashëm me atë të një politikani serioz, racional, me kulturë. Është tërësisht i panatyrshëm, i stisur. Si ambicioz e ziliqar, e kupton se nuk ia arrin dot të ketë atë mbushje sheshesh por, veçanërisht, atë entuziazëm që përfton prania e oponentit të tij kryesor, Dr. Berishës. Rama nuk ka as karizmën e kryetarit të PD-së, as mënyrën e komunikimit të tij, as përballimin e të gjitha pyetjeve të gazetarëve, në mjedise sallash, aq më tepër në TV. Nuk ka ndodhur kurrë që Berisha të ketë fyer ndonjë gazetar apo gazetare, sikundër ka ngjarë me Ramën, që ka arritur t’i tregojë semaforin e kuq gazetares së guximshme, vetëm e vetëm se nuk e përballon dot mendimin ndryshe. Rama është shakaxhi apo karagjoz, kur në një mbledhje zgjedhore i kishte thënë një gruaje me pesë fëmijë nëse “ata të pestë i kishte bërë menjëherë apo një nga një!”. Sa për mitingjet e Berishës, aq të bollshme në frekuentim në Tiranë, në Orikum, në Velipojë, në Gramsh, në Konispol, në Bicaj, në Maliq, etj., ato ia kanë prishur gjakun militantëve të indoktrinuar të Edit, të cilët dëshirojnë të quhen “analistë”. Ashtu si dëshpëroheshin kur Lulzim Basha e stolisi Tiranën e zbukuruar si kurrë ndonjëherë në historinë e saj, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, edhe tani – për mitingjet, - kërkojnë ‘moderacion’, maturi, jo ‘teprime’, - gjë që të kujton fabulën e La Fontenit të dhelprës me rrushtë (që nuk arriheshin dot!)... Këtë e ka bërë lajtmotiv njëri prej të dy vëllezërve, ai më i madhi, që bën edhe ndonjë kritikë të vogël ndaj Edvinit, por që nuk është veçse propagandist i tij. Por që nuk ishte në gjendje të shpjegonte se përse Rama e kishte katandisur qendrën e Tiranës në një grumbullim dherash. Dhe 250 km. rrugë anembanë Tiranës, s’i kishin arritur 11 vite, si kryetar bashkie, e i kishte lënë gropa-gropa, që mbusheshin me ujëra në shiun e parë, duke u bërë të pakalueshme jo vetëm për makinat, por edhe për njerëzit, që duhej të vishnin çizmet...Ato ia kishte lënë në kurriz L. Bashës, paçka se në “Kurbanin” e tij mburravec mahnitej si korbi i madh me “bukurinë” e pjellës së vet, korbit të vogël...
Mitingjet kanë një veçori të pakontestueshme. Dua, vete. S’dua, nuk shkoj. Kanë spontanitetin brenda. Nuk janë si ato demonstratat provokuese kur njerëzit paguhen për pjesëmarrje, me paret në dorë, me borderotë e Fiqri Xibrit! E, megjithatë, Berisha i ka të dyfishta për kah denduria mitingjet zgjedhore , në krahasim me ato të Edi Ramës, të çngjyrosura në komunikim. Në këtë fushë, Berisha është i pa konkurrueshëm. Dhe të kujton entuziazmin e 1992-shit, me të cilin korri një fitore referendare. Ata që denigrojnë vlerat, e kanë të lehtë të thonë për vërshimet njerëzore në Tiranë, në Vlorë, në Durrës e kudo gjetkë se janë ‘të zmadhuara me anë të ndikimit të administratës’. Por nuk kuptojnë se kjo përligjje inferioriteti, që nuk merr parasysh përmasat, do të ishte sikur të ndryshohej ngjyra e ujit të një liqeni, sepse u derdh në të një gotë ujë luleshtrydhesh!
I kapluar nga halucinacionet, E. Rama i mbush mendjen vetes, fillimisht, pastaj kërkon të budallallosë edhe të tjerët, se atij, siç ‘ia vodhën votat’ (!), i vjedhin edhe risitë... Duke pasur edhe ndonjë pëshpëritje në intimitet, se nuk janë në stilin e mitingjeve të mëdha të folurit me gjeste të papërmbajtura dhe me shprehje të pakontrolluara, Ramës i paskëshin hyrë në zemër takimet në salla të mbyllura, të cilat i përmend si “risi”. Por atij s’ke çfarë risi t’i vjedhësh, për arsyen e thjeshtë se është nga politikanët e pakët që të mëtojë qoftë edhe një minimum origjinaliteti. Ai ç’thotë sot, e përgënjeshtron brenda një jave. Ai nuk di nëse është antikomunisti i “Refleksioneve”, apo komunisti i ekzaltimit të Enverit në Pezë, ose i aleancës me katër parti komuniste, në “Rilindjen” e aliazhit të pluralizmit me mendësinë e diktaturës. Tani që i është ngjirur edhe zëri, nuk mund të bëjë hair as në sheshe, as në takime zgjedhore, me militantët. Këta i ka qejf, se qeshin edhe me shakatë e tij pa kripë! Si shakaxhi është ekzemplar, përderisa ia ka mbushur mendjen edhe Takut se do ta bëjë ministër të Drejtësisë, paçka se një anarkist i etalonit të Bllokut, është tepër larg nga respektuesi i ligjit!
Kohët e fundit Rama dështoi édhe në komunitetin europian, ku ishte futur pa votë, domethënë i kooptuar në “Internacionales Socialiste”, e cila na mbeti këto javë vetëm me tre krerë: Ajalën, Papandreun dhe Edi Ramën, dora vetë. Motivacioni: jo me frymëzim perëndimor. E majta e plotfuqishme, tanimë e quajtur “E majta e Aleancës Progresiste”, pasi e kishte shkëputur atë nostalgjiken e “Internacionales Socialiste” si ngatërrestare dhe si trup të huaj në përbërjen e saj, i la shterpe orvatjet e Edi Ramës që të vazhdonte poshtërimin e vendin tonë me emisarë mashtrues, siç kishte bërë me atë skandalin që kishte tronditur Tanja Fajonin.