Në Lapardha/Berisha: Socialistët e Beratit do votojnë për programin tonë të zhvillimit
“Rruga e Arbrit dhe Boshti i Jugut janë projektet e mandatit të tretë. Kryeministri Berisha premton edhe në Boshtin e Jugut, ndërtimin e një tuneli i cili do të lidhë Beratin me Tepelenën”
Kryeministri Berisha, në vijim të tubimit elektoral në rrethin e Skraparit, u ndal edhe në Lapardha, ku prezantoi kandidatët e PD, për deputetë. Berisha tha se vota që ai kërkon me çdo kusht, është ajo e socialistëve të Beratit, sepse nuk janë diskriminuar nga politikat e qeverisë.
Ai i bëri thirrje votuesve socialistë që të mendohen këto 10 ditë që kanë mbetur nga dita e votimit dhe të bashkohen me alternativën e PD-së. Sipas kryeministrit, alternativa e Partisë Demokratike do të sjellë zhvillimin dhe do e çojë vendin drejt Bashkimit Europian. “Dhjetë ditë na ndajnë nga fitorja e madhe. Ndaj dhe unë sot jam këtu për t’ju bërë thirrje banorëve të Lapardhasë, Otllakut, Lumasit dhe të gjitha komunave të Beratit të gjithë banorëve të rrethit dhe qarkut të Beratit, të bashkohen me ne pavarësisht nga bindjet politike. Ftoj socialistët e qarkut të Beratit, këto dhjetë ditë të mendojnë dhe ne i mirëpresim ata, vota e tyre do të jetë infrastrukturë, do të jetë rrugë, do të jetë ujësjellësa, shkolla, ferma moderne do të jetë zhvillim për komunat për Beratin dhe për Shqipërinë. Ftoj të gjithë qytetarët e këtij qarku, demokrat, socialist dhe të pa parti të bashkohemi për të ecur në rrugën e punësimit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e zhvillimit. Ftoj socialistët e Beratit, të mendojnë për një moment. Ky është rrethi për të cilin e mbi 4 mijë fermer i kemi financuar me grande, cili socialist është diskriminuar për bindjen e tij, qoftë edhe një i vetëm. Me ne do të ecim përpara, ne do të trefishojmë grantet. Ftoj të gjithë banorët e Beratit, socialistët e Beratit të bashkohen me ne, sepse këto vite sëbashku pa dallime ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO dhe sot në këtë shesh dhe kudo që jemi, ne jemi anëtarë të aleancës më të fuqishme të lirisë së kohërave. Të bashkohen me ne, sepse sot ne lëvizim të lirë në mbarë Europën, ndërsa kryetari i tyre bëri gjithçka për të mos lejuar heqjen e vizave për shqiptarët. Të bashkohen me ne, sepse ne gjatë muajve që vijnë do të marrim statusin e vendit kandidat, që kryetari i Partisë Socialiste e bllokoi për 231 ditë. Me ne ecim të sigurtë drejt Europë, me ne ecim të sigurt drejt integrimit. Ëndrra Europiane është e përbashkët për çdo shqiptarë pavarësisht nga bindjet e tij. Ftoj socialistët dhe të gjithë banorët të bashkohen me ne demokratët në përpjekjen tonë për zhvillimin e Beratit dhe të Shqipërisë. Në këto katër vite në sëbashku ia kemi dalë të investojmë kudo dhe rruga është zhvillim, të ndërtojmë shkolla kudo dhe shkolla është zhvillim, të ndërtojmë ujësjellësa kudo dhe ujësjellësi është zhvillim, të garantojmë energji elektrike kudo dhe energjia është zhvillim, kemi rritur rrogat e pensionet dhe ato janë zhvillim. Le të ecim ne në përpjekjen tonë të përbashkët për të kapur nivele më të larta zhvillimi, për të kapur nivele më të larta mirëqenie, për të kapur nivele më të larta integrimi”- u shpreh Berisha. Rruga e Arbrit dhe Boshti i jugut janë projektet e mandatit të tretë, edhe në Boshtin e Jugut premtohet ndërtimi i një tuneli që do të lidhë Beratin me Tepelenën. “Ju garantoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Abrit janë dy projektet madhore, malet do i shpojmë me tunel dhe për Boshtin e Jugut do i shpojmë me tunel.
Ju ftoj që në 23 qershor të bashkohemi të gjithë, të votojmë 44, të votojmë për punësimin, zhvillimin, integrimin, fitoren tonë të shkëlqyer” - garantoi kryeministri Berisha.