E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvin partia me targën e vjedhur PS

14-06-2013 / Nga Rexhep Shahu

Nuk u festua përvjetori i themelimit të PS apo i konvertimit të PPSH në PSSH, i ndërrimit të emrit dhe vellos së saj. Nuk u festua ky përvjetor sepse duket se kryetari i saj nuk e sheh të tijën PS dhe nuk e sheh vetën në vendin e duhur, por në vend të huaj. Ai më në fund arriti t’ia marrë targën PS dhe e ka ende në përdorim këtë targë. Por makina parti nuk është e njëjta, pavarësisht llamarinave, nuk është PS por është Edvin Partia tashmë që qarkullon me targën PS.
Nuk u bë festa sepse makina duhej të ndalonte, të parkohej për festë por frika se mos pronari i saj Fatos Nano do të shkonte aty të gjente mallin e tij, e bëri edhe më të pamundur festën socialiste.
Pretendimi se do festojmë pas zgjedhjeve është i pavend sepse një festë e shëndetshme e PS do të ishte një aktivitet i bujshëm elektoral dhe do të përcillte mesazhe të mëdha për socialistët. Meqë Rama e di se nuk ia duan kandidatët në tërësi anëtarët e thjeshtë socialist, ai nuk festoi dot. 
Nuk u bë festa edhe për shkakun se aty duhej të ishte edhe Ilir Meta. Dhe ai vjen aty vetëm në vend të Ramës sepse ndryshe nuk vjen si ushtar i Ramës por si kryetar i tij.
Asnjëherë si në këto zgjedhje nacionale të 2013 lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste  nuk ka qenë më e kontestuar nga opinioni i brendshëm në PS dhe nga opinioni publik në tërësi.
Me të drejtë mund të thuhet se kjo nuk është lista e kandidatëve socialistë për deputetë, listë e Partisë Socialiste, por është lista e Ramës, e shokëve dhe miqve të Edi Ramës, ose më saktë lista e Edvin Partisë, siç ka filluar të thirret me zë e pa zë struktura politike që ka krijuar gradualisht Rama, pasi ka përzënë me gjithë metodat e mundshme figurat e njohura të PS në gati çerek shekulli pluralizëm politik.
Dhe slogani “Rilindje” konsiderohet shaka nga shumica dhe fyerje nga të tjerët. Asgjë nuk ka lidhje me rilindasit e njohur të Shqipërisë. Rilindasit e Ramës konsiderohen karikatura perverse të rilindasve tanë.
Me këtë listë kandidatësh për deputetë, ai arriti më në fund të krijojë bërthamën e partisë së tij personale që qarkullon ende me targën që ia grabiti Partisë Socialiste.
I ndihmuar dhe favorizuar nga lloji i sistemit zgjedhur që lejon emërimin e kandidatëve për deputetë nga kryetari i partisë, sistem zgjedhor që pati luksin ta zgjidhte vetë sepse këtë mundësi ia afroi Berisha, ai arriti të përjashtojë gradualisht gjithë figurat apo emrat e njohur të PS dhe ta mbushë listën me tarafin e tij, me ish vartësit e tij në bashkinë e Tiranës. Me një tufë anonimësh profesionistë si anonimë, mes të cilëve ka një grup sharësish me pagesë, mohuesisht të gjithçkaje që është bërë në këtë vend, një grup të uriturish për fitime financiare që mendojnë se do të përfitojnë financiarisht me Ramën kryeministër siç kanë përfituar me Ramën kryebashkiak të Tiranës. Me një grup biznesmenësh që u bënë befas të tillë nga suportet politike që u pati afruar pushteti socialist dhe sidomos pushteti i Ramës në bashkinë e Tiranës. Me një grup rioshësh me lidhje të drejtpërdrejta e të forta me strukturat e ish byrosë politike të Komitetit Qendror të PPSH, me lidhje të drejtpërdrejta gjaku, afrie e miqësie me strukturat e punëve të brendshme dhe të sigurimit të fshehtë të diktaturës. Duke qenë edhe vetë Rama bir i një anëtari të Komitetit Qendror të PPSH.
Jo lehtë i harrueshëm është edhe fakti se socialistët tradicionalistë të vendit nuk e gëlltisin dot fshirjen e emrit të liderit historik të PS Fatos Nano, hija e të cilit ka vite që e len pa gjumë z. Rama.
Nano ka dalë në krah të kandidatit të pavarur socialist në Vlorë Arben Malaj që është njohur si aset i fortë ndër figurat socialiste të vendit, ekspert i njohur, ish-ministër financash që garon i pavarur, si i përjashtuar nga Rama me nxitjen e Kokëdhimës, siç thuhet dhe nga mëria e Ramës pse ai kandidoi për rival të Ramës në një palë zgjedhje formale për kryetar të partisë.
Mungesa e tradicionalistëve në listën Rama dhe zevendësimi i tyre me anonimë është ende në hava për kokë a pil. Të tillët si Kastriot Islami, Arben Malaj, Ethem Ruka, Ilir Gjoni, Andis Harasani, etj., janë emra me histori në PS.
Bie në sy fakti që në grupin e kandidatëve për deputetë që ka emëruar z. Rama dominojnë të quajturit milionerë që kanë vënë milionat me shpejtësi dhe në mënyrë të panjohur për publikun brenda një periudhe kohore që është e vogël për tu bërë milioner në një vend tjetër. Kryeson listën Tom Doshi ndër mbi 35 milionerët e PS të emëruar për kandidatë për deputetë. Të gjithë këta Rama i ka caktuar në top listë që ta kenë të sigurtë mandatin e deputetit. Këta milionerë nuk paraqesin pasaportë morale intelektuale, nuk mbartin autoritet moral por thjeshtë janë milionerë.
Mbushjen e grupit të tij parlamentar me milionerë Rama e justifikoi duke thënë se në sjellim milionerë në politike dhe nuk lejojmë që të hyjnë të varfër dhe të dalin milionerë nga politika, duke akuzuar kundërshtarët e tij. Por opinioni është i bindur se milionerët e Ramës të tillë i bëri politika dhe mbështetja e saj. Milionat ai ia dha Koços nga bashkia.
Nivelin e ulët arsimor kandidatët milionerë të Ramës e tregojnë vetë siç ndodhi në Shkodër një ditë kur Tom Doshi kandidat socialist u siguronte fermerëve të vendit se do të ndalonte çdo lloj importi të hyjë në Shqipëri me qëllim që të shiten në vend prodhimet vendase. Duke dalë kështu kundër sistemit të tregtisë së lirë dhe ekonomisë së tregut, duke harruar se vendi ka 20 vjet që është anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë dhe po synon me ngut të hyjë në BE.
Më spektakolari ndër milionerët është Koço Kokëdhima botues i majtë i njohur në vend, si pushkë me leje, pronar gazete, televizioni etj, i njohur si partner i Ramës në gjithë bizneset e Kokëdhimes, ose si përfituesi më i madh i gjithë favoreve financiare që ia ka siguruar Rama si kryebashkiak për 11 vite në Tiranë. Para Ramës Kokëdhima ka vjelë gjithë pushtetarët socialistë dhe sot konsiderohet një pasunar i madh që ka blerë pasuritë publike të vendit për pesë aspra kur ato kanë dalë në privatizim.
Tani Rama e emëroi Kokëdhimën në top listën e Vlorës dhe reagimet kundër qenë të forta pasi dihet se në një farë mënyre është Kokëdhima që dirigjon Ramën në çështjet ekonomike. Dhe ai duke ditur perspektivën ekonomike të Vlorës synon të jetë deputet për mundësi e lehtësi për ta zhvilluar biznesin më tej pasi rajoni i Vlorës pritet të marrë shumë hov në turizëm elitar.
Kokëdhima akuzohet nga zëra të ndryshëm se ai ka filluar të bashkëpunojë me biznese ruse për ta gllabëruar gjithë bregdetin nga Fieri në Sarandë dhe garancitë për këtë megaprojekt për resorte turistike më të lakmuarin në brigjet e Adriatikut e Jonit, ia ka dhënë z. Rama kandidat për kryeministër.
Reagimet nuk janë pozitive për Kokëdhimën edhe pasi njihet si një kuadër komunist i vijës së ashpër në diktaturë, si një ndër krerët më të lartë të Komitetit Qendror të Rinisë komuniste të Shqipërisë, si ndihmës i anëtarëve të byrosë politike dhe verteton akuzat që i bëhen Ramës se grupi i tij parlamentar është pjellë e strukturave të larta të diktaturës komuniste dhe segmenteve të errëta të saj.
Veç opinionit se PS e Ramës apo Edvin partia është larg socialistëve në program e mendësi, bie në sy edhe mungesa e individëve me profil të spikatur patriotik. Përkundrazi, kundërshtarët e Ramës po venë në spikamë se ai ka emëruar kandidate për deputete Luiza Xhuvanin, aktore dikur, e cila ka lënë shtetësinë shqiptare me vendim gjykate në vitin 2008 dhe ka marrë shtetësinë greke. Kjo në tërësi irriton opinionin publik por socialistët ftohen ta gëlltisin këtë pakënaqësi për hatër të Ramës e për inat të Berishës.
Veç Pandeli Majkos që qesh dhe herë pas here bën folklor patriotik me Kosovën, Edvin partia dhe grupi i deputetëve socialistë nuk e kanë në axhendë Kosovën as me shkrim as me gojë dhe Kosova për to, në programin e tyre politik zë vend më pak se ufot, shumë më pak se martesat e homoseksualëve. Aty thuhet vetëm kaq për Kosovën: “Ndërtimi i një partneriteti me shtetin e ri të Kosovës”. Vetëm kaq ka për Kosovën në programin politik të Partisë Socialiste që është libër i botuar. Ndërkohë në mesin e socialistëve patriotë e nacionalistë ekziston një dozë e revoltës së madhe për marrëveshjen që bëri Rama me Metën në Shkodër nën bekimin e ish presidentit serb Tadiç. Efektet negative të kësaj “martese” të celebruar nga Tadiçi të presim e ti shohim.
Shkaku pse nuk u festua 22 vjetori i krijimit të Partisë Socialiste, ose i konvertimit apo ndërrimit të emrit të Partisë së Punës në Parti Socialiste, shihet pikërisht këtu. Që Rama po e përdor për herë të fundit Partinë Socialiste dhe më pas do të merret me partinë e tij Edvin Partinë e cila qarkullon ende në trafikun politik me targën e PS.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›