Berisha, i kënaqur në Salzburg

Valon Berisha është ambientuar shumë shpejt në Austri. Sulmuesi kosovar është i kënaqur në Red Bulls Salzburg, të cilit iu bashkua gjatë kësaj vere nga Vikingu i Norvegjisë. Shoku i tij, Havard Nielsen, po ashtu nga Vikingu, e ka ndihmuar shumë të përshtatet dhe të mos ndihet i huaj në Austri.
“Këtu kishim një fillim të mbarë. Salzbugu është një klub perfekt, ku ndihemi si në shtëpi”, deklaroi 19 vjeçari për ueb faqen norvegjeze aftenbladet.no.
Ata kanë folur edhe për një ditë të zakonshme që e kalojnë në Austri. Berisha dhe Nielsen banojnë në një apartament luksoz prej 240 metrash katrorë në qendër të Salzburgut. Dita për ta fillon në orën 08:00, ndërsa më pas i bashkohen qendrës sportive në orën 10:00.
Stadiumi, ku u zhvilluan disa nga ndeshjet e Kampionatit Evropian 2008 e që ka 32 mijë ulëse, nuk gjendet larg apartamentit të tyre. Kurse darkën thonë se e hanë në restorant, pasi që asnjëri nga ta nuk di të përgatisë në shtëpi.