Berisha i kërkon të falur ambasadorit Gonzato: Riprodhova një deklaratë të tij

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i kërkoi të falur ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato për deklaratën e bërë më herët në Kuvend.
Në një prononcim për mediet, jashtë selisë së Parlamentit, Berisha tha se ai kishte riprodhuar një deklaratë të ambasadorit të bërë më herët dhe qëllimi i tij nuk ishte fyerja.
“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por nëse ambasadori Gonzato në një deklaratë të bërë publike vetë tha se: kam qenë i martuar dhe djalin e vogël e kam 31 vjeç dhe tani jetoj me një partner, ose jam i martuar me një burrë, dhe kjo deklaratë u përdor nga unë mënyrë absolute pa asnjë intension fyerje, nuk e konceptoj se si çështje fyerje”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së solli në vëmendje se ishte autori i një ligji që i ka dhënë fund në mënyrë përfundimtare diskriminimit të çdo lloj forme.
“Unë jam autori i një ligji që i ka dhënë fund në mënyrë përfundimtare, çdo forme diskriminimi. Unë thashë që ai vetë ka qenë binar dhe ka ndërruar mendje. Nëse unë ripërsëris deklaratën që ka bërë vetë, nuk di se çfarë fyerje është bërë. Nuk kisha bërë asnjë hetim për jetën e tij. E dëgjova, e tha vetë, dhe unë thashë që ai ka bërë këtë deklaratë. S’e si është fyerje kjo, nuk e konceptoj”, tha Berisha.
Berisha theksoi se nëse ai e konsideronte fyerje këtë, do të rikonsideronte qëndrimin e tij.
“I kërkoj të falur, nuk kam asnjë hezitim, por nuk ishte për fyerje deklarata”, tha Berisha.
/a.f/r.e/