Berisha i pandehuri i opinionit

Edi Rama
Kreu i opozitës Edi Rama i kërkoi sërish dje kryeministrit Berisha që të ndihmojë në zbardhjen e skandalit të armëve duke dhënë dorëheqjen e duke u paraqitur në Prokurori
Kryesocialisti Edi Rama i kërkoi dje kryeministrit Sali Berisha të lërë imunitetin dhe të japë dorëheqjen. “I kërkoj zotit kryeministër të dorëhiqet e të dorëzojë imunitetin për t’i dhënë shpjegimet e tij në prokurori, qoftë për veten, qoftë për djalin e qoftë edhe për të ndjerin, baxhanakun e tij, që dje mësuam se paska humbur jetën për shkak të shpërthimit dhe për të ndihmuar që këto dy javë që e ndajnë Shqipërinë nga një stacion historik, të mos kthehen në dy javët e një dështimi po aq historik”, - deklaroi dje numri një i socialistëve. Ai shtoi se kryeministri ishte në dijeni të hetimeve për investigimin e trafikut të armëve, ndërsa u shpreh mosbesues që më tej kreu e ekzekutivit, që shpesh ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë, të mos ketë dashur të mësojë më shumë rreth informacioneve. Rama nënvizoi se përkundrazi, shefi i ekzekutivit ka qenë mbulesa politike e asaj që e ai e quajti “zullum të hatashëm”. “Si një i pandehur i zënë në grackën e opinionit publik, për shkak të dhjetëra fakteve e të një filli fare të thjeshtë logjik që të çon tek ai vetë, si kryefajtor për tragjedinë, kryeministri në një përpjekje skandaloze për të fajësuar ata që e kanë investiguar me kohë zullumin e tmerrshëm dhe ata që me kurajë po e nxjerrin atë në dritën e diellit, na rrëfeu në fakt atë që mjafton për Prokuroren e Përgjithshme, për të kërkuar imunitetin e tij e për ta kthyer Sali Berishën nga një të pandehur të opinionit publik, në një të pandehur të prokurorisë”, - tha kreu i socialistëve. Për opozitën është e pamoralshme dhe e pakuptimtë shpresa që prokuroria të arrijë të zbardhë të vërtetën, ndërsa kryeministri vazhdon të mbajë postin e tij. Të majtët e kanë cilësuar prej kohësh zëvendësimin e kryeprokurorit Thoedhori Sollaku me Ina Ramën, si një lëvizje e mazhorancës në pushtet për të fshehur korrupsionin në ekzekutiv Edhe Meta thotë “ik” Ilir Meta e cilëson si mëse të domosdoshme dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Referuar akuzave që e implikojnë Shkëlzen Berishën, djalin e shefit të ekzekutivit shqiptar në trafikun e armëve, kryetari i LSI-së o kujtoi kryeministrit thirrjet e Qytetit Studenti në fillim të dhjetorit ‘90-të: “Ik, o doktoro!” , kur kërkoi mundësinë e takimit me ish-sekretarin e Përgjithshëm të KQ të PPSH0-së, Ramiz Alia. Ilir Meta mendon se lënia e postit nga kryeministri është e pashmangshme. “Këto prova të reja të cilat implikojnë edhe të afërm të tij, e bëjnë edhe më emergjente domosdoshmërinë e dorëheqjes së z. Berisha nga detyra e kryeministrit, në mënyrë që të kemi hetime të pavarura dhe të pandikuara për shkak të pozitës së tij si kryeministër. Edhe në planin moral kundërthëniet e tij e rrisin me të drejtë presionin tonë dhe të të gjithëve për një dorëheqje të menjëhershme nga z. Berisha”, - deklaroi kreu i LSI-së. Ai garantoi se opozita do të vazhdojë të kërkojë pa asnjë lloj kompromisi dorëheqjen e shefit të ekzekutivit. Ilir Meta shtoi se mbledhja e Kuvendit dhe vazhdimi i seancës në bazë të rendit të ditës, sikurse situata të ishte mëse normale, është krejt absurde.