E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vërejtje nga brenda

Omer Stringa

Anetari i kryesise se PD Omer Stringa thote se PD mban pergjegjesi per ate qe ndodhi. Ngjarja ishte teper e rende thote Stringa dhe ajo ka paralizuar edhe aktivitetin normal te partise, siç ishin zgjedhjet e radhes

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa, thotë se deri më tashmë, partia si mazhorancë qeverisëse i ka marrë përgjegjësitë e saj për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Gërdec. Sipas tij, edhe pse përgjegjësja ishte indirekte Partia Demokratike dhe qeveria duhet t’u futet analizave të thella, në mënyrë që të eliminojë pasojat e ngjarjes. Stringa thotë se pak para se të ndodhte ngjarja e rëndë, në PD kishin filluar edhe përgatitjet për zgjedhjet e strukturave drejtuese të partisë në pushtet, po që aktualisht kjo punë është pezulluar, pasi energjitë janë përqendruar në stabilizimin e situatës. Ndërkohë, ai deklaron se kjo ngjarje e ndodhur nuk do të ndikojë që në Partinë Demokratike të krijohen grupe të pakënaqurish, të cilët mund të kërkojnë më shumë pushtet, duke eliminuar kështu edhe ekzistencën e grupeve të mëdha influencuese brenda PD-së. Sikurse tregon Stringa, në Partinë Demokratike nuk kanë ekzistuar asnjëherë grupe reale, por kanë ekzistuar individë, të cilët për interesa të vogla ose të mëdha bashkohen bashkë.   -A mendoni se Partia Demokratike si mazhorancë qeverisëse i ka marrë të gjitha përgjegjësitë që i takonin për ngjarjen e Gërdecit? Omer Stringa: “Ngjarja e Gërdecit është një ngjarje mjaft e rëndë dhe padyshim Partia Demokratike si parti mazhoritare dhe si parti udhëheqëse e mazhorancës së sotme mban përgjegjësinë e saj për këtë ngjarje. Natyrisht mban një përgjegjësi indirekte, duke qenë përgjegjësi e plotë e qeverisjes së sotme e drejtuar nga kryetari i PD-së, zoti Berisha. Unë gjykoj që qeveria me kurajë civile, më të madhe nga deri më tani, duhet të pranojë këtë aksident si gabimin e saj. Ajo duhet t’u futet analizave të thella për këtë ngjarje dhe natyrisht, duhet të merret edhe me elementin kryesor: me eliminimin e fatkeqësive më të mëdha që ka krijuar kjo ngjarje”. -Para se të ndodhte ngjarja e sipërpërmendur, sapo kishte nisur puna për zgjedhjet e strukturave drejtuese në PD. Duke parë dhe situatën në të cilën ndodhet PD-ja, është pezulluar aktualisht kjo punë? “Para ngjarjeve të Gërdecit, Partia Demokratike kishte nisur organizimin e zgjedhjeve të reja në parti, për të ristrukturuar punën e saj dhe rikonceptuar drejtimet e saj e punës së saj në mazhorancë për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Kjo punë sapo kishte filluar, ishin krijuar grupet e punës sipas rretheve. Puna po rikonceptohej në drejtim të realizimit të saj dhe natyrisht që ngjarja e Gërdecit e ka pezulluar këtë punë, e cila në një të ardhme të shpejtë do të duhet patjetër të fillojë. Por gjykoj se puna aktuale e partisë është drejtuar për ndihmën që partia i jep qeverisë që ajo të krijojë sa më shpejt masat për të eliminuar sadopak pasojat e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gërdec”. -A rrezikon të ndahet PD-ja në grupe gjatë zgjedhjeve të drejtuesve të saj? “Në përgjithësi, gjykoj se Partia Demokratike asnjëherë nuk është ndarë. Nëse ju quani ndarje largimin e një pjese të vogël, e cila ka qenë e pakënaqur, unë gjykoj se kjo nuk ka për t’u përsëritur më, por gjithmonë besoj dhe shpresoj që debatet në Partinë Demokratike pas kësaj ngjarjeje të ngrihen në një nivel të ri, jo me idenë e ndarjes, por me idenë e përmirësimit të punës së qeverisë dhe partisë dhe për përgatitjen sa më të mirë për të fituar zgjedhjet e vitit 2009”. -Flitet për grupe në PD. A ekzistojnë ato realisht? “Që të jemi realistë, në Partinë Demokratike asnjëherë nuk kanë ekzistuar grupe reale. Kanë ekzistuar individë të cilët për interesa të vogla ose të mëdha qëndrojnë bashkë. Por grupe të mëdha, me interesa madhore, unë as nuk di dhe as nuk kam dëgjuar deri më tani. Për sa i përket ndarjes në grupin e të ardhurve të rinj dhe grupin e të vjetërve në PD, ju garantoj se asnjëherë nuk ka pasur të rinj apo të vjetër. Në PD janë anëtarë të saj, janë njerëz të vjetër me eksperiencë, janë edhe të rinjtë, të cilët ndoshta janë më shumë demokratë nga ne të vjetrit. Dhe unë gjykoj se në parti nuk ka grupe, por mund të ketë ca “luftëra” të vogla, ca përplasje të vogla mes klaneve, që shpeshherë janë të pakënaqura me punën e Partisë Demokratike dhe ka disa që janë të pakënaqur me qëndrimin e PD-së në raport me këta individë, gjë që unë nuk i përkrah këta njerëz. Ka edhe disa të tjerë që punët e Partisë Demokratike nuk po ecin mirë. Unë kam qenë dhe jam i mendimit që në PD ka shumë për të bërë, ka shumë për të përmirësuar në qeverisje, por asnjëherë nuk kam menduar që kritikat drejt uljes së punës së partisë të ndikojnë negativisht. Unë kam kërkuar që debate të jetë në drejtim të përsosjes së punës së saj në të mirë të qytetarëve”. -A paraqesin probleme zgjedhjet në PD? -Problemi më i madh i zgjedhjeve në PD gjykoj se do të ishte se a do të kemi mundësi që zgjedhjet të realizojnë fitoren e vlerave që ekzistojnë në të vërtetë në PD. Procedurat e organizimit të zgjedhjeve do të jenë të tilla, që në udhëheqjen e Partisë Demokratike të vijnë vlerat e vërteta demokratike dhe menaxhuese. Unë do të them që e kemi realizuar punën. Gjykoj se siç e kemi nisur, dëshira për të realizuar këtë që  gjë është, por në fillim duhet të shohim se si shkojnë ngjarjet”. -Cilat figura rrezikojnë më shumë nga zgjedhjet në PD, figurat “e vjetra” apo “të reja”?  “Unë gjykoj se në PD nuk ka të vjetër dhe të rinj. Unë gjykoj se në PD ka të vjetër në mentalitet, mendime dhe kulturë demokratike dhe këtu nuk ka rëndësi mosha. Natyrisht që gjykoj edhe në anën tjetër, që në PD ka të rinj të cilët janë demokratë me mendje, janë menaxherë të mirë, sikurse ka të rinj të cilët nuk janë aspak demokratë dhe nuk kanë aspak mentalitet demokratik. Uroj që në zgjedhjet brenda PD-së të fitojnë njerëz pavarësisht nga mosha, që kanë vlera demokratike dhe menaxhuese”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›