Berisha i thotë Po tryezës së Topit: Të ulemi për zgjidhje

Kriza politike
“E dobishme është që të firmosim një sukses”
Sali Berisha u shpreh dje i gatshëm të ulej menjëherë në një tryezë të përbashkët me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ku Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të kishte rolin e moderatorit. Por, sipas Berishës, ishte e nevojshme që ky takim të ishte një sukses, duke qenë se kjo ishte zgjidhja që kërkonin të gjithë. “Jam i gatshëm të ulem që sot. Do i le të gjitha. Unë kategorikisht nuk refuzoj. Por e dobishme është që të firmosim një sukses, besoj se kjo është normale, apo jo”, ishte përgjigjja e Kryeministrit pasditen e djeshme. Këto deklarata kreu i qeverisë i bëri pas një takimi në kuadër të hapjes së zyrës së fondacionit gjerman, “Konrad Adenauer”, në Shqipëri, ku merrte pjesë edhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert. Sipas Berishës, PD e ka bërë shumë të qartë pozicionin se mirëpret kontributin e cilitdo personalitet dhe Presidentit të Republikës në zgjidhjen e këtij problemi. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se ai nuk ka asnjë kompleks që tryeza e bisedimeve të drejtohet nga ish-vartësi i tij, Bamir Topi, që aktualisht është President i vendit. “Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur President, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë”, u bëri të ditur Berisha mediave. Por sipas Berishës, një takim mes tij dhe Ramës mund të jetë edhe një kafe e thjeshtë pa rezultate, por kjo nuk do i shërbejë asnjë pale dhe së ardhmes së vendit. Por nga ana tjetër, Kryeministri Berisha deklaroi se tashmë palët nuk duhet të merren me deklarata, por duhet të nisin zbatimin e rezolutës së Këshillit të Europës. “Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi të zbatojmë rezolutën dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama”, i bëri thirrje Kryeministri Berisha, Ramës. Në kuadër të rekomandimeve të KiE-s, kreu i qeverisë theksoi se mazhoranca ishte e gatshme që sot të ngrejë një komision hetimor për zgjedhjet, i cili mund të ketë edhe kryesimin e socialistëve. Nga ana e tij, kryetari i Parlamentit gjerman, Lammert, theksoi se bojkotimi i Parlamentit është i dënueshëm. “Duke qenë se në sistemet demokratike, roli i parlamenteve është i një rëndësie tejet të madhe, sigurisht që nuk është një ide e mirë bojkotimi i Parlamentit, nuk ka rëndësi se me çfarë argumentimi”, theksoi zyrtari i lartë gjerman. Në këtë kuadër, ai theksoi se hapja e kësaj zyre gjermane në vendin tonë do të mbështesë çdo lloj përpjekje për kapërcimin e të gjitha rezervave të mundshme, përplasjeve të mundshme në cilëndo lloj mënyre, në mënyrë që të garantohet funksioni kaq thelbësor i Parlamentit.
#