E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inaguron bypass-in e Durrësit

Ky segment fillon nga mbikalimi i  autostradës Tiranë-Durrës, në Shkozet dhe përfundon në mbikalimin e plepave. Faza e parë e ndërtimit përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypass-it  të Durrësit me gjatësi 5 kilometër dhe gjerësi 35.5 metër, me brez të gjelbër ndarës, trotuare si dhe rrugë paralele shërbimi në të dy anët. Në këtë segment përfshihet edhe ndërtimi i katër rreth rrotullime, si dhe nënkalimi hekurudhor i Shkozetit. Në fjalën e tijKryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i këtij bypass-i modernizon transportin e kësaj zone, si dhe lehtëson trafikun e rënduar në bulevardin e zonës së plazhit.

“Së shpejti, ne do të inaugurojmë unazën e Durrësit, sepse ne nuk mund të konceptojmë për shkak të dallimeve partiake në pushtet, të rrimë duarkryq para nevojave të qytetarëve. Absolutisht, jo! Përkundrazi, ne do të shumëfishojmë përpjekjet tona për të bërë sa më shpejt Durrësin me unazën që meriton dhe për të transformuar sa më shpejt infrastrukturën e asaj që dje ishte kënetë dhe sot është një nga qytetet e reja më të bukura të Shqipërisë”, tha Berisha.  Kryeministri u shpreh se Shqipëria po ndryshon dhe se ky do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve evropiane.

“Shqipëria po ndryshon! Ky është dhe do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve evropiane. Ky është motivi ynë i fuqishëm që këto katër vite ti shndërrojmë në vitet e transformimit më të madh dhe me të shpejtë të këtij vendi dhe që në këto katër vite ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të re dhe më moderne në Ballkan dhe më gjerë”, u shpreh Kryeministri Berisha.Në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, deputetë të Qarkut të Durrësit, etj.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›