E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inaguron shkollën 9-vjeçare në Baldushk

Kryeministri Berisha ka vijuar sot me turin e inagurimit shkollave në të gjithë vendin ndërsa sot ka qënë i pranishëm në shkollën 9-vjeçare “Koçaj” në Baldushk të Tiranës. Në fjalën e tij, kryeministri ripërsëriti se arsimi ndodhet në krye të axhendës së qeverisë. “Ne e bëjmë këtë se kemi bindje të madhe se vetëm Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e zhvilluar dhe se Shqipëria ka të gjitha potencialet, për të ecur me shpejtësi të madhe drejt Shqipërisë së dijes,” tha Kryeministri.
Ai ka theksuar se qeveria ka ndërmarrë investime të mëdha jo vetën në infrastrukturën arsimore, ku vetëm në qarkun e Tiranës janë ndërtuar e rindërtuar 145 shkolla, me investim prej 2 miliardë e 800 milionë lekë, por edhe në trajtimin financiar e kushtet e punës së arsimtarëve, paga e të cilëve, në gjashtë vjet është rritur me 120 përqind, me bindjen se investimi për ta është investim për cilësinë.
“Arsimi, sigurisht, është çështja më serioze. Ai që ka fëmijë në shtëpi mendon më shumë se çdo gjë tjetër, për shkollimin sa më të mirë të fëmijëve të tij. Por edhe shoqëria në tërësi nuk ka proces më serioz, sesa shkollimin dhe ne të tillë e kemi shpallur. Në një hark kohor të shkurtër, ne kemi arritur disa tregues të njëjtë, edhe pak më lart në ndonjë prej tyre, të vendeve të zhvilluara. Sot, 92 përqind e fëmijëve që mbarojnë shkollat 9-vjeçare hyjnë në shkollat e mesme, mbi 71 përqind e atyre që mbarojnë maturën hynë në universitete, analfabetizmi është zhdukur, ndërkohë që po rritej në mënyrë të frikshme më parë. Sot, arsimi privat po lëshon shtat gjithnjë e më shumë, duke bërë që sektori privat të marrë përsipër një pjesë të mirë të buxhetit për arsimin dhe të lehtësojë shpenzimet publike për një përmirësim të vazhdueshëm të standardeve në arsimin publik” shtoi Berisha.
Ndërsa ka theksuar se Shqipëria ka bërë shumë përpara në rrugën e saj të integrimit Kryeministri akuzoi opozitën për bllokim dhe kërkoi sërish votën e prindërve.
“Kur shihni parlamentin e komisionet parlamentare do të konstatoni se në mes të mbledhjes, një grup deputetësh ngrihen dhe ia mbathin dhe ai mbathin pikërisht atëherë, kur duhet të votohen 2-3 ligje që kërkohen me doemos nga Komisionin Europian, për të votuar statusin e vendit kandidat. Në shkëmbim kërkojnë që të shkelmojmë vendimin e gjykatave. Ju jeni fëmijë, por prindërit e mësuesit tuaj duhet t`ju shpjegojnë juve se vendimet e gjykatave, sido që të duken, të drejta apo të padrejta, ka vetëm një rrugë: t`i apelosh në gjykata dhe t`i zbatosh. Nuk mundet kurrë që një vendim që të pëlqen ta zbatosh dhe një vendim që nuk të pëlqen ta hedhësh poshtë e të thuash nuk e njoh, se pastaj drejtësia nuk ekziston. E thashë këtë që t`ju bëj thirrje që të bisedoni me prindërit tuaj dhe të mos harroni karriget bosh, të lëna në komision e parlament, se kanë vetëm një qëllim, të errësojnë ëndrrën tuaj më të bukur e më fisnike të Shqipërisë europiane. Ne edhe pak do ta bëjmë këtë ëndërr të vërtetë” ka shtuar Berisha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›