E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, “Dosja Pacolli” përfundon në EULEX

Behgjet Pacolli është zyrtari më i lartë i Kosovës mbi të cilin rëndojnë akuzat për falsifikim dokumentash dhe mashtrim. Kallëzimi penal, i ngritur kundër tij nga Agjencia Antikorrupsion, tashmë është në duar të prokurorëve të EULEX-it.
 

Zyrtarë të lartë të vendit theksojnë se ai duhet të largohet nga detyra, derisa organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit rreth “aferave” në të cilat dyshohet të jetë përfshirë ai kohët e fundit

Burime të afërta me AKK-në i kanë konfirmuar “Kohës Ditore” se kallëzimi penal iu është depozituar të enjten pasdite prokurorëve evropianë që veprojnë në Kosovë. “Kallëzimi penal është dorëzuar tek prokurorët e EULEX-it dhe tani është në kompetencë të tyre ta shqyrtojnë nëse ka bazë për të ngritur aktakuzë kundër Pacollit, ose jo”, ka thënë burimi i gazetës.
 

Në EULEX kanë konfirmuar se e kanë pranuar një padi nga AKK-ja, por pa dhënë shpjegime të tjera. “Prokuroria Speciale e ka pranuar një kallëzim penal nga Agjencia Antikorrupsion, mirëpo ne nuk mund të japim detaje për padinë ”, ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi. As Agjencia Kundër Korrupsionit në vijë zyrtare nuk ka pranuar të flasë për rastin.


Pacolli ka qenë duke u hetuar për konflikt interesi, për shkak se vitin e kaluar ka nënshkruar disa memorandume të bashkëpunimit në Nigeri në emër të bizneseve evropiane. Pas publikimeve të fakteve të reja në “Kohën Ditore”, AKK-ja pati nisur hetimet për të vërtetuar nëse dokumentet që ka ofruar Pacolli gjatë hetimeve të para kanë qenë të vlefshme apo të falsifikuara. Pas disa muaj hetimesh, AKK-ja ka ardhur në përfundim se Pacolli kishte falsifikuar dokumentet dhe njëkohësisht i kishte mashtruar hetuesit e AKK-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›